Ministri i shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu thotë se opozita sot po përpiqet t’i bëjë sot gjyqin drejtësisë, të cilët e kanë nisur këtë proces prej më shumë se një viti.

I gjithë debati po zhvillohet sepse opozita kërkon që institucioneve që do të raportojnë, t’i drejtojnë pyetje direkte, të tjera nga ato që janë depozituar paraprakisht me shkrim në Kuvend.

Gogu përfundon fjalën e tij duke thënë se pyetjet me gojë kanë për qëllim të vendosin në vështirësi drejtuesit e institucioneve dhe t’i ushtrojnë presion dhe se kjo nuk ka për të ndodhur.

“Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është më e qartë sesa mjegulla që po përpiqet të ngrejë opozita me një kauzë që nuk ekziston. Raporton për 20 minuta kreu i institucionit të pavarur, lexohet projekt-rezoluta që është debatuar nëpër komisione dhe fillojnë pyetje-përgjigjet e deputetëve.

Si mund të pretendosh që një pyetje me shkrim nuk qenka e drejtë për të folur? Mbani mend vetëm letrat që janë shkruar nga burgjet, se si kanë ngritur njerëz, forcën e letrës së shkruar.

E di çfarë bën një pyetje e shkruar? E di çfarë bën një pyetje e shkruar? I heq zhurmën “Big Brother”-it i heq  zhurmën e teatrit politik. Bën gjithashtu dhe një ndarje të kohës në mënyrë të barabartë.

Sepse, kur e merr titullari i institucionit, i cili është përgjegjës për t’iu përgjigjur pyetjes dhe jo stafet e tij, e lexon njësoj një pyetje të shkruar, pavarësisht se si mund të teatrohet ajo në sallën e Kuvendit. Kështu që t’i heqësh fjalën opozitës, duke e lënë që sot të bëjë pesë orë debat... Sot opozita ka të drejtë të flasë pesë orë, të nderuar qytetarë. Opozita sot ka të drejtë, të flasë pesë orë dhe vjen e bën teatër thotë: nuk më keni lënë që të bëj pyetjen.

Ndërkohë që pyetjet, po të shkruheshin mirë, po të referoheshin mirë me referencat e duhura, patjetër që mund të vendosin krerët e institucioneve përpara përgjegjësisë që ata kanë për t’i drejtuar institucionet.

Por çfarë po insinuohet sot?

Gjyq gjykatës! Sot gjysma e opozitës që e ka nisur gjyqin ndaj gjykatës që para një viti e gjysmë apo dy vjetësh, do ta bëjë gjyqin këtu.

Këtu do t’ia bëjë gjyqin gjykatës. Këtu do t’ia ngrejë akuzat prokurorit. Këtu do t’i bëjë inspektimin Inspektorit të Drejtësisë. Sepse do të përpijë çdo kompetencë që kjo shumicë i ka dhënë institucioneve të pavarura.

Patjetër që kemi depozituar pyetje, sepse ne besojmë që nëse institucionet e pavarura kanë dosjet, kjo sallë ka politikat e mirëqeverisjes së institucioneve të tyre.

Kjo sallë ka mënyrën se si organizohen ato institucione.

E prandaj, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë punë përmes ligjeve dhe përmes kontrollit parlamentar që është ajo rezolutë që ne do të miratojmë së bashku.

Kështu që, të nderuar kolegë, lëreni këtë teatrin që doni të bëni pyetje, sepse të bërit pyetje me gojë e vë në vështirësi dhe i bën presion prokurorit, sepse ngjason njësoj me atë studentin i cili thotë: “Nuk jam gati të hyj në provim me shkrim, dua të flas vetëm me gojë, sepse do të tregoj historinë e krimbit… e krimbit të korrupsionit”, tha Toni Gogu.


Lajmi kryesor:

Çela në Kuvend: Mungon humanizmi në draftin e Kodit Penal, burgu nuk është zgjidhja e vetme! PS e PD rreth 3 orë sherr për pyetjet