TIRANË – Për më shumë se dy orë, PD mbajti “peng” raportimin e institucioneve të drejtësisë, duke këmbëngulur që pyetjet e depozituara me shkrim t’i lexonte edhe në sallë por kjo u kundërshtua nga maxhoranca. Pas një ndërprerje të shkurtër, PS dhe PD u dakordësuan që pyetjet do t’i lexojnë vetë krerët e institucioneve dhe më pas çdo deputet që ka adresuar pyetjet mund të replikojë për 2 minuta kohë.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ishte i pari që mori fjalën, teksa bëri edhe një përmbledhje të të gjithë veprimtarisë të institucionit që drejton përgjatë vitit 2024. Çela e vuri theksin tek mungesa e prokurorëve dhe volumin e lartë të çështjeve për shqyrtim, si dhe kërkesa për përmirësimin urgjent të infrastrukturës. 

Një tjetër çështje për të cilën ai kërkoi reagim urgjent, teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve ishte siguria në institucionet e drejtësisë, sidomos pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda Apelit në Tiranë. Përveç godinave të reja, ai tha se duhet bërë një rikonceptim total për masat e sigurisë ndaj magjistrave.

“Besoj se disa masa janë duke u marrë. Ka bashkëpunim edhe me policinë e shtetit. Ka nevojë për qasje të koordinuar dhe për rikonceptim të pjesës së sigurisë së magjistratëve. Nga prokurorët ngrihen shqetësime që jemi munduar t’u përgjigjemi.”, tha Çela.

I pyetur për draftin e Kodit të ri Penal, ai tha se i mungon humanizmi. Sipas Prokurorit, nuk është i nevojshëm ashpërsimi i dënimeve pasi, siç shtoi ai, burgu nuk mund të jetë zgjidhja për çdo problem të shoqërisë.

“Kur shkojmë te zgjidhja e ashpërsimit të dënimit, dmth se jemi duke hequr në drejtim të kundërt me humanizmin. BE është në radhë të parë që bart këto vlera dhe ne duhet të shkojmë drejt kësaj. Fakti që shtojmë dhe ndëshkojmë më shumë dhe masat administrative i bëjmë krime, nuk është qasja e duhur.”, shtoi ai.

Arrestimin e avokatit Ulian Barjami pas një debati me prokurorin gjatë një seancë në Elbasan, që shkaktoi debat dhe bojkotin e avokatëve për 5 ditë, Çela e lidhi edhe me prokurorët e rinj, që sipas tij, nuk kanë eksperiencën e duhur. Mungesa e eksperiencës, sipas Çelës, ndikon edhe në cilësinë e hetimeve në përgjithësi, por shtoi se kjo mund të  përmirësohet me shkëmbimin e përvojës me më të vjetrit apo me trajnime të vazhdueshme.

“Kemi sot probleme në mënyrën sesi realizohen funksionet e tyre nga prokurorët e rinj. Rasti në fjalë mund të jetë një reflektim i atij shqetësimi të parashtruar. Është e papranueshme që të kalojmë nga salla e gjyqit në ndërmarrjen e masave ekstreme. Ne i kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë e fundit, e nuk mund të jepet jo për avokatë, por në çdo rast vlerësimi duhet të jetë i kujdesshëm”, theksoi Çela.

Prokurori tha gjithashtu se duhet bërë më shumë edhe për hetimet lidhur me pastrimin e parave.

“Ka edhe shumë për të bërë në këtë drejtim. Nuk mendoj se situata është e kënaqshme. Presim më shumë kontribute nga Drejtoria e Tatimeve sa i përket referimit të veprave penale që lidhen me pastrimin e parave”, tha Çela.

Sa i përket ndërtimeve pa leje, Çela tha se ka pasur 1130 procedime gjatë vitit të kaluar.

“Nuk mund të jap sot kur ka pasur përgjegjësi penale nga IMT. Sa herë që ka ndërtim të paligjshëm ka nevojë të hetohet, përse është lejuar ndërtimi dhe përse nuk është kryer detyra nga ata që janë subjektet dhe personat përgjegjës. Në çdo rast potencialisht ka përgjegjësi nga subjektet që janë të ngarkuar për mbrojtjen e territorit”, tha Çela.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:12
Mediu ankohet për sistemin gjyqësor: Po na sulmojnë politikisht! Kemi ‘Republikë prokurorësh’

 

Deputeti i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij në Kuvend ditën e sotme, ka folur më së shumti për hallin e tij personal.

Mediu ka deklaruar se 10 vite më parë u synua një drejtësi e pavarur dhe e reformuar, por sipas tij tani kemi një republikë ku prokurorësh, ku këta të fundit marrin vendime dhe Gjykata i pranon.

Po ashtu ai tha se kemi sistem gjyqësor të përdorur politikisht, duke nënkuptuar çështjen ndaj tij për masakrën e Gërdecit, ku humbën jetën 26 të pafajshëm.

“Me reformën në drejtësi kërkuam drejtësi të pavarur, por në fakt kemi një korporatë gjyqtarësh dhe prokurorësh. I lamë dorë të lirë të bënte çfarë të donte pushtetin. Kemi 150 mijë dosje stok. 10 vjet pas reformës në drejtësisë, kemi një produkt, sistemi i drejtësisë është jashtë kontrollit dhe llogaridhënies kushtetuese. Tani është e provuar se prokuroria thotë 2+2 bëjnë 5 dhe Gjykata vendos në favor të prokurorisë, njerëzit janë kthyer në numra dhe gjithçka është statistikë në drejtësi. Kemi sistem gjyqësor të përdorur politikisht, kemi republikë të prokurorëve. Tani ka mbetur që t’i japim Prokurorisë edhe detyrën e gjyqtarit”, deklaroi Mediu.

Ora 16:44
Kapri: SPAK të vazhdojë punën e nisur! Ka goditur individë me pushtet

 

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri gjatë fjalës së tij në Kuvend, i ka bërë thirrje SPAK që të vazhdojë punën që ka nisur.

Ai tha se inkurajon SPAK që të mos intimidohet nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tij, është një mision historik që të vendosni para drejtësisë këdo.

“Në këto 35 vite shqiptarët kanë vvuajtur nga mungesa e drejtësisë. Është fakt që shqiptarët nuk kanë marrë pronat e tyre dhe kanë qenë të goditur nga pushteti arbitrat. Dhe në fakt, liria ekonomike është selektive, se kush fiton dhe kush duhet të qëndrojë. Ka kohë që thuhet ne po kthehemi në një ‘Republikë Prokurorësh’ dhe po të ishte kështu, do të ishte mirë, sepse problemi më i madh mbetet pandëshkueshmeria. Çfarë do që bënin njerëzit me pushtet askush nuk prekej. Unë jam nga ata që mendoj se nuk duhet ta mohojmë punën e SPAK, sepse ky institucion ka goditur individë me pushtet. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Kur arrestohen ministria, dhe kryeministri mbetet i paprekur, kjo nuk është drejtësi. Unë dua të inkurajoj prokurorët e SPAK që të mos intimidohen nga kërcënimet e Kryeministri kur iu thotë: mos guxoni të prekni telefonin tim. Sepse ky është një mision historik që të vendosni para drejtësisë këdo”, tha Kapri.

Ora 16:21
Kuvend/ Balla: Nga viti 2012, numri i vrasjeve në vend është ulur me 4 herë

 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste than nga foltorja e Kuvendit se që nga viti 2012, deri në vitin 2024, numri i vrasjeve në vend është ulur me 4 herë.

"Ju dëgjova me vëmendje disa prej jush, por duke qenë se është raportim për vitin 2025, unë në 7 prej 12 muajve të atij viti kam pasur nderin të jem ministër i Brendshëm, mendoj që Shqipëria ka bërë hapa tejet pozitivë. Mua nuk më pëlqen krahasimi statistikor për një fenomen siç janë vrasjet, por nëse shohim vitin 2023 me 2024, 2023 shënon numrin më të ulët të vrasjeve. Mos harrojmë se viti 2012 ka qenë 124, pra, katër herë pothuajse ka rënë numri i vrasjeve në Shqipëri nga viti 2012 në vitin 2024. E vërteta është që gjatë vitit 2024, për herë të parë u thye edhe miti i moskthimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe sot shpresoj që të vijojë ky komunikim dhe bashkëpunim. Gjatë viteve 2024–2025 Shqipëria ka ekstraduar nga Dubai më shumë se çdo vend tjetër në Europë, sepse Shqipëria ka ditur të ketë rezultate",- tha Balla.

Më tej, Balla tha se SPAK është suksesi më i madh i refomës në drejtësi.

“SPAK është pjesa më e suksesshme e reformës në drejtësi, por ne si Parti Socialiste askund dhe asnjëherë nuk kemi hyrë në meritën e një çështjeje drejtësie, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e vet”,- tha Balla.

Ora 16:20
Kuvend/ Gjiknuri: Një pjesë e opinionit publik i dha të drejtë vrasësit të gjyqtarit Kalaja, kjo tregon se besimi te drejtësia është ende i ulët

 

Gjatë diskutimeve në Kuvend, pas raportimit të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, deputeti socialist tha se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja tregoi përceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë, pasi në rrjetet sociale pati një lumë komentesh inkurajuese për vrasësin.

“Kjo ngjarje e rëndë u dënua me forcë nga të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare, por me trishtim u vu re një ekzaltim nga një pjesë e mirë e shoqërisë, e shprehur në komentet publike dhe rrjete sociale, ku krimi glorifikohej. Është kambanë alarmi, sepse besimi te drejtësia është akoma më i ulët. Kjo bëhet edhe më domethënëse pas euforisë dhe entuziazmit që ringjalli reforma në drejtësi 9 vite më pare”,- tha Gjiknuri.

Gjinkuri komentoi edhe punën e Prokurorisë së Posaçme, që sipas deputetit socialist është treguar e paanshme në goditjen e korrupsionit, në të gjitha nivelet.

“Nuk mund të lë pa përmendur rolin e SPAK, një institucion që po konsolidohet çdo ditë e më shumë. Fakti që kemi goditje të shumta të grupeve kriminale, me shtrirje ndërkombëtare, është tregues. SPAK është bërë kryefjala e luftës kundër korrupsionit, duke goditur në çdo nivel”,- tha Gjinkuri.

Ora 16:07
Ministri i Drejtësisë: Shqipëria e përmirësuar dhe drejtësia e konsoliduar! Politikanët e tjerë që anatemojnë reformat tona, s’do e kishin arritur kurrë

 

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari në fjalën e mbajtur në Kuvend foli për një Shqipëri të përmirësuar dhe për një drejtësi që tashmë ka hyrë në fazën e konsolidimit.

Lamallari u shpreh se nëse vendi do të ishte sot në duart e atyre politikanëve, që vetëm anatemojnë reformën në drejtësi dhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, Shqipëria sot nuk do të kishte këtë përparim.

Ndër të tjera, ministri i Drejtësisë tha, se tashmë nuk do të flasim më për një reformë në drejtësi, por për një sistem të konsoliduar. Ai shtoi se fokus për këtë vit është përmirësimi i infrastrukturës për gjykatat dhe prokurorisë si dhe përdorimi masiv i inteligjencës artificiale.

“Lufta kundër krimit në përgjithësi dh atij të organizuar në veçanti, është një provë morale për shtetin dhe drejtësinë. Viti 2024 shënoi një kthesë reale, por me fakte të pakundërshtueshme dhe themi me bindje se drejta në vend ka hyrë në një fazë të re të konsolidimit. Konstatohet një realitet i ri institucional. Në vitin 2024 ka pasur rritje në hetimet proaktive.

Po ecën shumë mirë procesi i implementimit të sistemit elektronik KAMPs, që është në zhvillim me mbështetjen e BE. Sot kemi një sistem që ka pavarësi prej politikës dhe prodhon besim.  Të ishte në dorë të një pjesë të politike, që sot rrinë e anatemojnë reformën në drejtësi dhe krerët e institucioneve të drejtësisë, kjo nuk do të ndodhte asnjëherë. Kjo mazhorancë ka përgjegjësinë historike për të konsoliduar më tej këtë reformën dhe shqiptarët të kenë drejtësinë e munguar. Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, sot po negociohet denjësisht me institucionet e BE për të qenë pjesë e tyre në vitin 2030 të barabartë mes të barabartëve. Sot është koha për një drejtësi që të ofrojë standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet evropiane. Fokusi ynë për vitin 2025 është i qarë, lidhet me nevojën për transparencë, integritet, goditna të reja të qenësishme për gjykata e prokurori dhe për përdorimin masiv të teknologjisë. Ministra e Drejtësisë po udhëheq fazën e dytë të konsolidimit të reformës në drejtësi me theks te integriteti, profesionalizmi.

Raporti i Kuvendit e thotë qartë, drejtësia penale shqiptare po ecën drejt standardeve evropiane. Në vitin 2025 nuk do të flasim më për reformë, por për konsolidim. Në këtë rrugë ministra do të jetë udhëheqëse e transformimit të sistemit të drejtësisë”, tha Lamallari.

Ora 15:56
Meta në burg, Blushi 'shigjeton' drejtësinë: Prokuroria ka dështuar, 2/3 e të arrestuarve janë të paraburgosur

Deputeti i PL-së Tedi Blushi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka deklaruar se 2/3 e të arrestuarve që ndodhen në burgje, janë të paraburgosur. Ai hodhi akuza se drejtësia është kthyer në vegël të pushtetit.

“Raporti i fundit i Prokurorisë së Përgjithshme, nuk ëhstë vetëm një dokument me statistika, por një raport i ndërtuar mbi jetë njerëzish, dramsh dhe tragjedi familjare dhe shoqërore. Cdo numër në atë raport është një nënë që pret djalin e saj pas hekurave. Sot 2/3 e të arrestuarve që ndodhen në burgje, janë të paraburgosur dhe 1/3 pa akuza. U është privuar liria jo se kanë shkelur ligjin, por se Prokuroria e Përgjithshme ka dështuar dhe ka përmbushur vullnetin e Edi Ramës, burg, burg, burg..

A i heton prokuroria se kush po i mbush çantat e fëmijëve me drogë edhe thika apo se kush po i vret në oborret e shkollave. Në shkollat e Shqipërisë, gjen më shumë armë dhe drogë, sesa libra Kush heton për këtë fakt? Kur drejtësia kthehet në vegël politike, ajo nuk është gje tjetër, veçse një armike e interesit publik. Drejtësia ose është për të gjithë, ose mos të jetë fare”, tha Blushi.

 

Ora 15:44
Ministrja e Brendshme: Është ulur kriminaliteti dhe është rritur siguria! Kemi dalë nga listat e zeza të 2012-ës

 

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka bërë bilancin për periudhën fundore në Shqipëri duke thënë se kriminaliteti është në ulje dhe se lufta kundër goditjes së paligjshmërisë është më e lartë.

Ndër të tjera, Koçiu thotë se qytetarët sot ndihen më të sigurte dhe kjo vjen si rezultat i fuqizimit të Policisë së Shtetit. Ministrja tregon se gjithashtu ka pasur ulje të ndjeshme të aksidenteve pavarësisht rritjes së përdorimit të automjeteve në rrugë. Fjalën Koçiu e mbyll duke thënë se pavarësisht rezultateve pozitive, ka ende shumë punë për të bërë për të arritur synimin e Shqipërisë pjesë të BE-së.

“Kriminaliteti është në rënie. Niveli i forcës goditëse dhe ndëshkimit është në rritje dhe mbi të gjitha vullneti për të luftuar krimin është më i fuqishëm. Kemi dalë përfundimisht nga çdo listë e zezë ku ishim vendosur jo më larg se 10 vite më parë.

Dalja nga këto lista është një arritje dhe arsyeja kryesore përse Shqipëria është sot vendi më i avancuar nga vendet e tjera në tryezën e  bisedimeve në BE.

Janë evidentuar 29 vrasje me dashje, janë 4fish më pas se vrasjet e 2012 dhe vitit të kaluar. Viti 2024 se bashku me vitin paraardhës shënuan numrin më të ulët të vrasjeve më dashje në vend.

Qytetarët sot janë më të sigurt dhe kjo vjen si rezultat i fuqizimit të Policisë së Shtetit. Veprat penale kundër jetës dhe pronës janë në rënie. Armëmbajtja pa leje në dy vitet e fundit, ka një rekord sa i përket zbulueshmërisë dhe goditjes.

Siguria në rrugë është rritur, në 10 vite numri i aksidenteve është reduktuar me 40% pavarësisht se numri i përdorimit të mjeteve në rrugë është rritur. Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurive, gjatë vitit 2024 rezultojnë mbi 234 pasuri të sekuestruara më vlerë mbi 48 milionë euro. Janë 89 të konfiskuara me vlerë mbi 163 milionë lekë. Kush është pasuruar sot përmes krimit apo korrupsionit, humbet sot dhe pasurisë., Këto para kthehen në buxhetin e shtetit dhe përdoren për qytetarët. Pavarësisht arritjeve, ka edhe shumë punë për të bërë, do të vijojmë të bashkëpunojmë me qytetarët. Siguria nuk i përket vetëm policisë apo institucioneve, por të gjithëve. Ky është zotimi ynë, përpjekja për një Shqipëri evropiane”, tha Koçiu.

Ora 15:38
Tabaku: Xhafaj foli vetëm kur u ngritën akuzat ndaj Veliajt! Deputeti i PS-së: Nuk kam folur për emra apo çështje të veçanta në Kuvend

 

Deputetja e PS-së Jorida Tabaku ka replikuar me deputetin socialist Fatmir Xhafaj, teksa i tha se ky i fundit, fjalimin e sotëm në Kuvend, duhet ta bënte 12 vite më parë. Sipas saj, Xhafaj shpenzoi 500 mijë euro për Komisionin e Posaçëm, dhe nuk prodhoi asnjë. Gjithashtu ajo tha se deputeti socialist, reagoi vetëm kur u ngritën akuza ndaj Veliajt.

“E ndoqa me shumë vëmendja fjalimin e zotit Xhajfaj dhe më ngjajti me një fjalim të vitit 2013, po te kishit folur kështu atëherë mund të iu kishim besuar, pasi sot fjala e ka humbur kuptimin e saj. Kushtetuta dhe integrimi në BE nuk është fjalë në erë, por cështje të ditës. Tre gjëra zoti Xhafaja që kanë ndodhur këto vite, për të mos iu dhënë të drejtë për fjalët e tuaja. E para, ju shkëlqeni në këtë Parlament në momentin kur u ngrit një akuzë ndaj Veliajt. Nuk e prisja kurrë që ish një prokuror të dilte këtu dhe të akuzonte pasi ishte mik me Veliaj, pse nuk ndodhi kështu edhe me rastet e tjera? Hera e dytë ishte kur ju ngritët një Komision të Posaçëm, i cili donte të merrte përgjegjësinë, që këto institucione të raportonin tek ju. Ose raporton tek mua ose nuk raporton fare në këtë Parlament. Ky komision kushtoi 500 mijë euro dhe nuk prodhoi asgjë. Hera e tretë ishte kur ngritët kartonin dhe morët një vendim pikërisht për ato që thatë këtu. Një vendim për të kaluar nga Prokurori i Përgjithshëm në SPAK, për korrupsion duke ulur në bivelin e 50 mijë eurove”, theksoi Tabaku në fjalën e saj.

Ndërsa po ashtu Tabaku gjatë fjalës së saj në Kuvend ka deklaruar se gjendja e vendit është duke u përkeqësuar. Tabaku tha se korrupsioni dhe pastrimi i parave është në rritje në vendin tonë.

'Shqipëria gjendet në vitit e 13 të qeverisjes tuaj dhe cdo ditë shihet keqqeverisja juaj. Këtë e sheh duke parë mendimin e qytetarëve për një qeveri që çdo ditë e më shumë e ka trashur zullumin, e cila i ka hapur rrugë një krize ekonomike dhe sociale. Thelbi i kësaj krize është sistemi i korruptuar që godet cdo ditë xhepat e qytetarëve. Fakti qe ne kemi një palë zgjedhje të pranuara jo nga opozita, por nga OSBE-ODIHR, i cili në raport theksonte se zgjedhjet nuk i arritën standardet, pasi nuk ishin të lira dhe të ndershme. Kur sheh në raportin e ODIHR-se Shqipëria është kthyer në një parti-shtet, ku cdo istutucion është një zgjatim i shtetit. Jo më kot e kot e pyeta edhe prokurorin e Përgjithshëm për pastrimin e parave. Në raportin e 2020, ne kemi parë që paratë pastrohen kudo në Shqipëri. Kemi parë një rrjet korruptiv i cili sot është kthyer në industri sic është industria e ndërtimit. Rasti i ‘5D’ nuk ëhstë rasti i vetëm, pasi është kthyer në sistem, i cili është shkaku se një shqiptar i thjeshtë, i cili punon me dy punë, nuk ka mundësi që të ia dalë dot. Ai shpenzon 40-50% të buxhetit të tij për shportën e ushimeve. Asnjëherë më parë, nuk ka ndodhur siç ka ndodhur në këto 12 vite.”, tha Tabaku në Kuvend.

Ndërsa Xhafaj në replikën e tij me Tabakun tha se nuk ka folur në Kuvend për emra dhe çështje të caktuara.

“Sa për dijeni, une nuk kam folur në këtë sallë për emra dhe cështje të veçanta. Se nuk jam në partinë tëndë dhe sikletin tënd partiak. Sa i përket SPAK, mësoje se nuk është vendosur në 2013 por në 2016, kur u votua Kushtetua me 140 vota”, tha Xhafaj.

Ora 15:35
Ndërtimet pa leje/ Shehaj: Prokuroria shumë e ashpër me qytetarët e thjeshtë! Pse njerëzve me pushtet nuk ia shemb askush pallatet

 

Deputeti opozitar, Agron Shehaj ka saktësuar pyetjen e tij drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsjan Çela lidhur me ndërtimet pa leje. Shehaj thotë se prokuroria është e ashpër me qytetarët e thjeshtë ndërsa pushtetarët janë farë të paprekur nga shkelja e ligjit.

“Zoti Çela u bëra një pyetje lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje. Siç e dini Shqipëria është një vend i padrejtë për qytetarët e thjeshtë. Nëse vëmë re shikojmë veprimet e prokurorisë, është e rreptë me qytetarët e thjeshtë dhe jo me njerëzit që kanë pushtet.

Edhe për ndërtimet pa leje, ka padrejtësi. Mjafton të bësh nj xhiro dhe shikon disa ndërtesa të shembura, dhe disa të tjera të paprekura. Ato që janë më të mira janë më të paprekura. Imagjinoni të vini në vend të një qytetari që ka ndërtuar pa leje. Ai nuk është kriminel, ka dashur të marrë leje po nuk ia jep askush. Këtyre iu shkon policia e ua shemb. Dikujt tjetër ngjitur nuk ia shemb. Dhe i referojnë në prokurori dhe prokuroria vepron. Kjo sipas mendimin tuaj, a kemi të bëjmë me shpërdorim detyre? A ju ka bërë përshtypje diçka e tillë? Duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit. Të gjithëve iu duhet shembur nëse është për tu shembur, se kjo është diçka që prej jashtëzakonisht shumë qytetarë. Njerëzve me pushtet nuk iu prishen ndërtesat. Qytetarët e thjeshte referohen ne prokurori. Në mes të Tiranës, tek liqeni, kanë ndërtuar një pallat të tërë pa leje. Nuk e shemb askush. Për atë nuk flet askush sepse është me pushtet.

Doja të dija nëse prokuroria ka hapur ndonjë hetim për shpërdorim detyre nga ana e qeverisë”, tha Shehaj.

Ora 14:43
A gënjeu Irena Gjoka në formularin e dekriminalizimit? Olsian Çela: Jemi në pritje të përgjigjes nga Greqia

 

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u pyet nga deputetët e opozitës për gjyqtaren e Posaçme, Irena Gjoka të cilën e akuzojnë se ka fshehur një dënim nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Në përgjigje, Çela tha se çështja është trajtuar edhe më herët gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, duke theksuar se mosdeklarimi i të dhënave të vërteta në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale. Ndërsa sa i takon pyetjes për sanksione administratave, Olsian Çela tha se në përfundim të verifikimit ia dërgojmë organit kompetent.

Pyetje: Irena Gjoka, rezulton e dënuar në Greqi, fakt që se ka deklaruar. A përben vepër penale, nëse po mund të na e specifikoni. Po sanksione administratave?  

Olsian Çela: Kjo çështje u trajtua edhe gjatë raportimit që bëmë në komisionin e ligjeve. Po përbën vepër penale, ishin 13 raste që ia kemi referuar prokurorisë së përgjithshme s ai përket deklarimit të të dhënave të rreme në formularin e dekriminalizimit, ka sanksione penale sa i përket kësaj çështje, sa i përket sanksioneve administrative, në përfundim të verifikimit ia dërgojmë organit kompetentet që vlerëson hapat e mëtejshëm që kanë të bëjnë me sanksionet administrative.

Ndërkohë, Çela shtoi se janë në pritje të përgjigjeve nga Greqia për rastin e Irena Gjokës.

Ora 14:40
Çela: Duhet rikonceptim për masat e sigurisë ndaj magjistratëve! Mungesa e përvojës ndikon në cilësinë e hetimeve! Drafti i Kodit Penal? S'ka humanizëm

 

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela po iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve në Kuvend. I pyetur për kushtet e punës së Prokurorive pas reformës në drejtësi, ai tha se një shqetësim të tillë e ka ngritur prej vitesh dhe se një ndër çështjet që duhet adresuar urgjent është situata në disa godina, sidomos në Tiranë. Sa i përket sigurisë së magjistrave, Çela theksoi se është e nevojshme që të ketë një rikonceptim total të masave.

“Sa i përket sigurisë së magjistratëve, them nisur nga ngjarja e rëndë hu humbi jetën një magjistrat, kjo lodhet edhe me gjendjen e godinave, stafet e trajnuara ose jo për sigurinë. Ka vend për t’u përjashtuar në këtë aspekt, ngjarja e rëndë është një nxitje sa më urgjentisht në këtë drejtim. Jemi përpjekur të bëjmë vlerësim të të gjithë aspekteve. Besoj se disa masa janë duke u marrë. Ka bashkëpunim edhe me policinë e shtetit. Ka nevojë për qasje të koordinuar dhe për rikonceptim të pjesës së sigurisë së magjistratëve. Nga prokurorët ngrihen shqetësime që jemi munduar t’u përgjigjemi.”, tha Prokurori.

Ai u pyet edhe për cilësinë e magjistratëve të rinj, teksa tha se nga 10-12 magjistratë që dilnin në vit, tashmë ky numër arrin deri në 60. Ai tha se cilësia mund të cedojë pak në këtë aspekt, por shtoi se është e rëndësishme se kjo korrigjohet nëpërmjet eksperiencës dhe trajnimeve të vazhdueshme. Çela theksoi si problematikë gjithashtu edhe mungesën e shkëmbimit të eksperiencës mes prokurorëve të vjetër me të rinjtë.

“Më disa nga prokuroritë, shumica e prokurorëve janë të rinj. Mungon lehtësia për të shkëmbyer eksperiencat me prokurorë më të vjetër në moshë, çka sjell mangësi në hetime, dhe është një nga problemet që po ndeshemi sot. Duhet të pranojmë se është një ndër faktorët që duhen marrë në konsideratë. Përsa kohë patëm largim masiv të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga sistemi, por pozitive është që janë instrumentat për t’i sjellë në parametra cilësore edhe magjistratët e rinj”, shtoi ai.

Një pyetje iu adresua edhe për Kodin e ri Penal. Sipas tij, draftit të r ii mungon humanizmi dhe se ashpërsimi i dënimeve  nuk mund të zgjidhë çdo problematikë të shoqërisë.

“Unë vazhdimisht e kam theksuar se Kodi që kemi është mjaftueshëm i ashpër, në disa propozime herë pas here. Nuk shikoj nevojën që të kemi qasje sa i përket ashpërsimit të dënimeve. Nuk mund të jetë burgu zgjidhja e vetme e problemeve të shoqërisë, të vihen në lojë mekanizma të tjerë që e bëjnë shoqërinë më humane kur shkojmë te zgjidhja e ashpërsimit të dënimit, dmth se jemi duke hequr në drejtim të kundërt me humanizmin. BE është në radhë të parë që bart këto vlera dhe ne duhet të shkojmë drejt kësaj. Fakti që shtojmë dhe ndëshkojmë më shumë dhe masat administrative i bëjmë krime, nuk është qasja e duhur.”, shtoi ai.

Ora 14:32
Arrestimi i avokatit pas përplasjes me prokurorin në gjykatë, Çela: Nuk duhet të ndodhte! Vjen nga përvoja e re e prokurorëve në profesion

 

Prokurori Çela ka folur dhe për arrestimin e avokatit Ulian Barjami pas përplasjes në sallën e gjyqit me prokurorin Gjergji Ceka. Ky i fundit pretendoi se u kërcënua nga Barjami pasi ky i fundit tha ‘do të merrem personalisht me ty’.

Olsjan Çela u shpreh se kjo është produkt i funksionimit të prokurorëve të rinj në profesion, problem të cilin ai e ngriti dhe gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, ku tha se prurjet e reja, nuk kanë eksperiencën e duhur për tu thelluar në hetime apo për të marrë vendime.

Çela dënoi rastin ndërsa dhe njëherë theksoi se u është kërkuar të gjithë prokurorëve të kenë kryer një analizë të detajuar të rastit përpara se të lëshojnë masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

“Kemi sot probleme në mënyrën sesi realizohen funksionet e tyre nga prokurorët e rinj. Rasti në fjalë mund të jetë një reflektim i atij shqetësimi të parashtruar. Është e papranueshme që të kalojmë nga salla e gjyqit në ndërmarrjen e masave ekstreme. Ne i kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë e fundit, e nuk mund të jepet jo për avokatë, por në çdo rast vlerësimi duhet të jetë i kujdesshëm.

Ka plot mënyra sesi të shkohet deri në fund të hetimeve. Rasti në fjalë nuk duhet të ndodhte, por masa e arrestit është ekstreme dhe e pajustifikueshme. Nuk di të ketë pasur rast tjetër të ngjashëm. Mesa jam informuar nga një ka një verifikim nga ILD ku do të dalin dhe elementët e përgjegjësisë nga prokurorët e përfshirë”, tha Çela.

Ora 14:31
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Çela në Kuvend: Ka shumë punë për të përmirësuar sigurinë, duhet vepruar urgjentisht

 

Kryeprokurori Olsian Çela në Kuvend është pyetur edhe për sigurinë në institucionet e drejtësisë, pas vrasjes në sallën e Gjykatës së Apelit të gjyqtarit Astrit Kalaja. Çela tha se ngjarja e rëndë është një nxitje për të vepruar sa më urgjentisht, duke theksuar se sa i përket sigurisë ka shumë vend për të përmirësuar.

“Nisur nga çështja që është diskutuar dhe ka të bëjë me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën një magjistrat. Kjo lidhet edhe me gjendjen e godinave, stafet e trajnuara apo jo, sa i përket sigurisë, ka shumë vend për të përmirësuar. Ngjarja e rëndë është një nxitje për të vepruar sa më urgjentisht. Ne kemi bërë përpjekjet tona. Besoj se disa masa janë duke u marrë, ka një bashkëpunim edhe me policinë. Kjo ka nevojë për një qasje të koordinuar dhe rikonceptim sa i përket pjesës së sigurisë së magjistratëve. Nga prokurorët ka shqetësime që ne jemi munduar tu përgjigjemi”, tha Çela.

Ora 14:24
Hetimet për pastrim parash? Çela në Kuvend: Kemi ende shumë punë për të bërë

 

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela iu përgjigj pyetjes së deputetes Jorida Tabaku, lidhur me numrin e referimeve nga Drejtoria e Tatimeve dhe institucioneve të tjera të inteligjencës financiare për veprat penale të pastrimit të parave.

“Në vitin 2020, është riorganizuar puna përmes krijimit të seksioneve të posaçme për hetimin e këtyre veprave penale, në 7 prokurori kemi seksione të posaçme dhe në prokurori të tjera kemi prokurorë të dedikuar për hetimin e pastrimit të parave. Nuk mund ta specifikoj se ku gjenden këto apartamente apo sipërfaqe të sekuestruara, por ajo që ka rëndi është qasja pozitive në drejtim të organizimit të punës dhe efikasitetit të kësaj pune.

Ka edhe shumë për të bërë në këtë drejtim. Nuk mendoj se situata është e kënaqshme. Presim më shumë kontribute nga Drejtoria e Tatimeve sa i përket referimit të veprave penale që lidhen me pastrimin e parave”, tha Olsian Çela.

Ora 14:23
Ndërtimet pa leje/ Prokurori Çela: 1130 procedime për vitin 2024! Duhet të hetohen institucionet përkatëse dhe zyrtarët që kanë lejuar zhvillimin e paligjshmërisë

 

Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela, ka dhënë përgjigje dhe lidhur me ndërtimet pa leje në vend, nëse ka pasur apo jo referime nga zyrtarë apo institucionet përkatëse, dhe në rast se jo, a jemi përpara veprës penale të shpërdorimit të detyrës, thuhej në pyetjen drejtuar Çelës.

Olsjan Çela, i është referuar shifrave të vitit 2024 ku në total janë dënuar 400 të pandehur. Prokurori i Përgjithshëm thotë se nuk mund të japë një përgjigje konkrete për përgjegjësitë penale të institucioneve përkatëse, por nuk përjashton mundësinë e shpërdorimit të detyrës nga këto institucione apo zyrtarë.

“Mund t’ju jap shifër të vitit 2024. Janë shumë çështje. Kemi për vitin 2024 ndërtimi i paligjshëm 1130 procedime, të pandehur 207, të dërguar për gjykim 358 dhe numri i të dënuarve 400.

Dukshëm ka një aktivitet që kryhet nga prokuroria për goditjen e fenomenit ne bashkëpunim me institucionet. Nuk mund të jap sot kur ka pasur përgjegjësi penale nga IMT. Sa herë që ka ndërtim të paligjshëm ka nevojë të hetohet, përse është lejuar ndërtimi dhe përse nuk është kryer detyra nga ata që janë subjektet dhe personat përgjegjës. Në çdo rast potencialisht ka përgjegjësi nga subjektet që janë të ngarkuar për mbrojtjen e territorit. Kjo ka të bëjë sesa të thella janë hetimet. Ka të bëjë me cilësinë punës së prokurorisë, me kontrollin gjyqësore, dhe e elementë të tjerë që kanë të bëjnë me administrimin e territorit, që jo në çdo rast përbën vepër penale.

Jo në çdo rast, çdo shkelje është vepër penale ,ashtu si shumë herë që janë trajtuar si raste administrative, mund të kenë përbërë vepër penale. Ajo që mbetet për të thënë, prokuroritë kanë një trajtim të shpejtë të rasteve, por mund të ketë dhe çështje të mungesës së mungesës së efikasitetit në drejtim të hetimit të zyrtarëve që kanë lejuar ndërtimin pa leje”, tha Çela.

Ora 14:10
Olsian Çela i përgjigjet opozitës në Kuvend: Po hetohet përdorimi i administratës në fushatë zgjedhore

 

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsan Çela iu përgjigj pyetjes së deputetit të PD, Agron Gjekmarkaj në lidhje për krimet zgjedhore. Çela bëri me dije se aktualisht janë në hetim disa çështje penale të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, që lidhen me përdorimin e administratës publike dhe të fondeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore.

Sipas tij, hetimet për këto çështje janë ende në proces dhe rezultatet pritet të bëhen të ditura brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Pyetje: Administrata u përdor dhe u bë presion, pse nuk u ushtrua ndjekje penale. Ca bëni për të ndëshkuar përdorimin e burimeve njerëzore.

Çela: Janë marrë disa masa, kjo është çështje e vitit 2025. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme u ndërmorën hapa në drejtim të forcimit, të koordinimit institucional me KQZ, SPAK dhe Policinë e Shtetit në mënyrë që të kishim qasje të koordinuar, qoftë në drejtim të masave institucionale, por edhe ato ndër institucional. U organizua puna edhe brenda sistemit të prokurorisë, u ngritën grupe pune për periudhën zgjedhore me prokurorë të dedikuar për hetimin e krimit zgjedhor. Këto ishim masat nga pikëpamja administrative. Janë disa çështje penale, s’mund ta them numrin e saktë, janë të shpërndara në territorin e republike, lidhur me përdorimin e administratës publike dhe përdorimin e fondeve gjatë fushatës, janë në vijim dhe një rezultat i hetimeve mbetet për tu parë në vijim.

Ora 13:53
Raporti për 2024-ën/ Prokuroria e Përgjithshme në Kuvend: Nga numri i ulët i prokurorëve, rritja e kriminalitetit e deri tek infrastruktura e dobët

 

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar për të dytën herë bilancin e punës së kryer nga Prokuroria e Përgjithshme për vitin 2024, kësaj radhe në Kuvendin e Shqipërisë. Fillimisht raporti është prezantuar në Komisionin e Posaçëm të Ligjeve, ndërsa sot Çela do t’i përgjigjet dhe pyetjeve të ligjvënësve.

Raportimi nis me mungesën e theksuar të prokurorëve si dhe me volumin e lartë të çështjeve që institucioni po përballet. Çela e ka cilësuar vitin 2024 kompleks, pikërisht për këto arsye, të cilat ia faturon procesit të vettingut.

“Viti 2024, ashtu si dhe paraardhësi, vijoi të ishte mjaft kompleks për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, si dhe intensifikimi e përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale, siç do të shihet në këtë raport”, tha Çela.

Krahasuar me vitin 2023, prokuroria ka shqyrtuar 61167 materiale, 10.52% më shumë. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara. Numri më i lartë i çështjeve janë regjistruar në Prokurorinë e Tiranës.

“Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33 %”, tha Çela.

Në total prokuroria ka marrë 13062 kërkesa për vendosjen e masave të sigurimit personal. Për rreth 59.5% të çështjeve është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’, rritje kjo në shifra krahasuar me vitin 2023.

Prokurori raporton se për vitin 2024 ka pasur një rritje të ndjeshme ndaj krimeve me dashje kundër jetës.

“Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 %  e totalit, Korçë 12 %, Durrës 10 %,  Fier dhe Lezhë 8 %, Elbasan 6%, Vlorë 5%,  ndërsa vërehet se numri më i ulët i procedimeve të regjistruara është në Dibër, me rreth 1 %,” tha Çela.

Gjithashtu është konstatuar dhe rritje e vrasjeve me dashje. Për vitin 2024 kjo vepër penale zë 12.46% ndërsa për vitin 2023, ishte vetëm 4.83%.

“Në vitin 2024 janë regjistruar 44 procedime për këtë vepër, që përbëjnë një rritje prej 3,14 herë krahasuar me 14 procedime të regjistruara në vitin 2023.Tendencë të fortë rritje ka pasur edhe vepra penale e “vrasjes me paramendim”, pasi janë regjistruar 31 procedime penale që krahasuar me 15 procedime të regjistruara në vitin 2023, që përbën një rritje prej 2 herë”, tha Çela.

Prokuroria e Përgjithshme thekson dhe intensifikimin e kontakteve me ndërkombëtarët, kryesisht me autoritetet belge dhe ato holandeze për vepra penale në fushën e pastrimit të produkteve penale dhe krimeve të rënda.

Olsjan Çela bën me dije se bashkëpunimin ne LGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë, për përmirësimin e infrastrukturës për prokuroritë. Projekti është përfunduar ndërsa një kerkesë është depozituar në Ministrinë e Drejtësisë për sigurimin e sheshit të ndërtimit të godinës së re, ndërsa kërkon që të saktësohet çështja e financimit dhe e terrenit.

Gjithashtu një tjetër problem është dhe çështja e arkivimit të dosjeve, për të cilën prokurori thotë se situata sa vjen dhe rëndohet.

“Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për  sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre”, tha Çela.

Ora 12:58
Braçe ironizon opozitën: 2 orë e 40 minuta shkuan kot! Prokurori mund të pyetet për çështje konkrete në gjykatë dhe jo këtu

Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka ironizuar opozitën për zvarritjen që i bënë raportimit të krerëve të institucioneve të drejtësisë me argumentin se duhet të parashtrojnë pyetje edhe me zë.

Teksa ka ndarë disa pamje nga brenda Kuvendit ndërsa seanca është ndërprerë, deputeti thotë se rreth 3 orë kohë iku duke pritur që të vendosin për një kërkesë të tillë. Më tej ai thumbon teksa thotë se prokurori mund të pyetet për çështje konkrete, përfshirë edhe të atyre që janë në Kuvend, në gjykatë.

“2 orë e 40 minuta kot, pa punë duke pritur të vendosin do e pyesin me zë prokurorin apo jo!! Në fakt, prokurorin për çështje konkrete edhe tënden, e pyet në gjykatë jo këtu!”, ka shkruar Braçe.

Postimi i Braçes 
Ora 12:25
Blushi–mazhorancës: Çlirohuni nga komplekset, keni dosje të hapura prandaj keni frikë nga pyetjet tona

 

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit që të lejohet opozita për të zhvilluar pyetje me gojë drejtuar krerëve të institucioneve që do të raportojnë në Kuvend për punën e tyre vjetore.

Blushi thotë se heqja e të drejtës për të bërë pyetje opozitës, është një dakordësi mes palëve pasi vetë anëtarë të mazhorancës kanë dosje të hapura në këto institucione.

“Z. Kryetar, sot duhet të jetë një ditë shumë e rëndësishme si për llogaridhënien ashtu edhe për transparencën dhe i vetmi mekanizëm që i garanton këto dy element është debati, janë edhe pyetjet.

Unë e kuptoj që i vetmi manual që ju keni është manuali i kodit mafioz "Omerta", sepse shumica prej jush, në fakt, kanë dosje në një institucion, i cili është gjymtyra më e shëmtuar e këtij regjimi represiv.

Unë dhe besoj, shumica e kolegëve të mi opozitarë, nuk duhet të kemi dhe nuk kemi asnjë iluzion, sidomos pas raportit të OSBE-ODHIR, për të folur për institucione të pavarura në një regjim ku shteti dhe partia janë shkrirë në një.

Ndaj ju ftoj të lejoni debatin, të lejoni pyetjet dhe të mos keni frikë nga transparenca dhe llogaridhënia.

Unë e kuptoj që ju keni frikë nga krimet tuaja, sepse të gjithë prej jush këtu janë me dosje në një institucion, i cili këto dosje o i përdor për shantazh, o i përdor si mjet për të garantuar këtë pushtet kriminal ku partia është shkrirë me shtetin, siç e faktoi edhe raporti i fundit i OSBE-ODHIR.

Ndaj lejoni që kjo seancë sot të garantojë transparencën dhe llogaridhënien për këto institucione, të cilat me vetëdije dhe me qëllim janë bërë palë e një regjimi represiv, në rradhë të parë ndaj qytetarëve dhe sidomos ndaj Opozitës dhe veçanërisht ndaj dy liderëve të Opozitës, nga këto institucione gjoja të pavarura, që nuk kanë bërë asgjë tjetër vecse janë sjellë si armiq me liritë dhe të drejtat e njeriut, si armiq me demokracinë dhe pluralizmin politik.

Ndaj clirohuni nga komplekset e krimeve tuaja, clirohuni nga makthet dhe hajdutëritë që i keni bërë buxhetit të shtetit dhe lejoni që kjo seancë të zhvillohet, në rradhë të parë për qytetarët që duan të dinë se ku kanë përfunduar dhe ku përfundojnë taksat e tyre dhe pse kjo hajdutëri nuk është hetuar”, t

Ora 12:24
E sulmon nga SPAK, a po i shmanget Berisha përballjes me Dumanin në Kuvend? Kreu i PD: Mercenar, u kthye në avokatin e Ballukut

Kreu i PD, Sali Berisha jashtë Kuvendit ka hedhur akuza ndaj Altin Dumanit, ndërsa seanca plenare ishte pushim për shkak se PS kërkon ndërprerjen e saj në rast se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa e saj që pyetjet për krerët e drejtësisë ti lexojë në sallë. Berisha tha se ky është skenar për të kyçur Kuvendin.

“Ose të pranoni të hiqni dorë nga pyetjet me gojë ose do votohen pa lexim raportet e kryetarëve të drejtësisë. Çfarë ka në këtë propozim. Ka skenarin e kyçje së parlamentit. Nuk ka opozitë në botë që mund të pranojë të bëjë një Pazar të tillë, nëse ti do ti vësh kyçin, vërja që nesër, opozita nuk heq dorë nga e drejta kushtetuese për pyetje. Këta kërkojnë të bëjnë interpretim që u leverdis se janë në kompromis krimi me ata që kanë ardhur të raportojnë, prandaj gjejnë një pretekst se si e si ti imponohemi opozitës që të mbyllim Kuvendin.

Në shumë raste pyetje nuk bëhen fare, deputetët, opozita e gjykon të arsyeshme mos të bëjë pyetje dhe kjo ka ndodhur. Pyetjet me shkrim janë një normë për ti dhënë mundësi të pyeturit që të përgatitet, por kjo nuk përjashton as të drejtën e pyetjes me gojë pasi të lexojë raportin. Këta janë në frikë dhe tmerr”, tha Berisha.

Pyetjes së gazetares së Report Tv, Danjela Maloku se përse nuk i publikojnë pyetjet për publikun dhe të lejojnë vijimin e seancës normalisht, Berisha i përgjigjet se mazhoranca vuri kusht që ose të heqin dore nga pyetjet ose do mbyllin seancën.  

“Ky tha ose pranoni këtë ose do i votojmë. Këta përjashtojnë çdo variant tjetër, përveç këtij”, tha Berisha.

Por, ndodhur përballë kushtit të PD që t’i drejtojnë pyetjet në sallë, gazetarët ngritën edhe pyetjen nëse Berisha po i shmanget përballjes me Dumanit. Kreu i PD thotë se nuk ka asgjë personale me të, por njësoj si para SPAK lëshon një lumë akuzash ndaj tij, duke e quajtur mercenar e armik të pluralizimit. Më tej, Berisha tha se është kthyer në avokat të Lubisë, duke iu referuar njoftimeve se zv.kryeministrja Belinda Balluku ishte thirrur në SPAK.

“S’kam asgjë personale, ato çfarë kam patur i kam thënë Dumanit. Unë këtu kam hallin e qytetarëve, nëse kërkojnë të bëjnë pyetje thjesht për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Këto ditë po gumëzhin Tirana se po bëhet avokat i Lubisë. Pyetjet e mia kanë të bëjnë me faktin se sa ka kthyer kjo prokuroi nga 1 mld euro të plaçkitura nga qeveritarët te qytetarët shqiptarë. Është armik i pluralizmit, mercenar i Ramës që vitin elektoral sulmon opozitën dhe i vë në arrest shtëpie, arrest burg, ndjekje penale, në mënyrë që partia e krimit dhe ia vetë të fitojnë zgjedhjet”, tha Berisha.

Nga ambientet e jashtme të Kuvendit, Berisha paralajmëroi se aksioni i opozitës do të radikalizohet përmes protestave, ndonëse mobilizimet e fundit të PD-së kanë pasur mbështetje të ulët.

“Natyrisht ne jemi opozitë. Partia Socialiste ka frikë të tmerrshme, deputetët dhe ministrat e saj kanë frikë të tmerrshme nga vetja e tyre. Absolutisht do ketë protesta se pa protesta situata vijon të degradojë gjithnjë e më shumë”, tha Berisha.

Kjo seancë do të përballë Sali Berishën me Dumanin, hera e parë që kur SPAK nisi hetimet për aferën Partizani dhe kërkoi masë sigurie ndaj tij. Në raportimin e një viti më parë të Dumanit në Kuvend, Berisha ishte në arrest shtëpie.

Ora 12:20
Lapaj i ‘bashkohet’ debatit për Zgjedhoren në Kuvend: PS do bëjë çfarë të dojë se ka votat, PD pa interesin e vet! Partitë e reja s’mund të ankohen më tani

1761390079_adriatiklapaj.jpeg

Debatit në Kuvend për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore i është “bashkuar” edhe kreu i Partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj. Në një postim në rrjete sociale, Lapaj thotë se socialistët do të bëjnë çfarë të duan me Zgjedhoren sepse i kanë të gjitha votat. Shënjestron PD-në, teksa thotë se nuk mund që të ankohet sepse kur e kishte mundësinë që ta kushtëzonte vitin e kaluar, nuk bëri asgjë duke parë interesin e vet.

Një koment bën edhe për partitë e reja, teksa thotë se nuk është më koha e duhur që të ankohen.  Lapaj duket se i referohet partisë Mundësia të Agron Shehajt, i cili sot në Kuvend shprehu kundërshti për komisionin e Zgjedhores. Lapaj thotë se kur kërkuan bashkëpunim, morën vetëm baltë dhe sulme.  

Reagimi i plotë i Lapajt:

Reformën zgjedhore do ta bëjë PS si t’i dojë qejfi.

 1. Sot PS i ka votat, ndaj do bëjë atë që i intereson. Këtë ua thamë që para datës 11 maj, kur të gjithë na thonin pse flisni vetëm për sistemin...

 2. PD e kishte mundësinë vitin e kaluar ta kushtëzonte, pasi kishte në favor vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk e bëri, sepse pa interesin e vet: si e si të kapte nga një karrige dhe të mos lejonte ndryshimin.

 3. Partitë e reja e patën mundësinë të bashkoheshin dhe ta shpartallonin sistemin. Ishte kjo arsyeja pse ne u shtrimë dorën, por morëm pas vetëm baltë e sulme. Tani, nuk është koha e duhur të ankohen.

 4. Ka vetëm një rrugë: të gjithë me Lëvizjen “Shqipëria Bëhet”, e cila është e vetmja që kërkoj të ndalonte këtë masakër të sistemit zgjedhor. Të gjithë me Lëvizjen që lufton për ndryshimin e SISTEMIT.

Koha po na jep të drejtë!

Ora 12:15
Raportimi në Kuvend/ Opozita 57 pyetje për Altin Dumanin, Sali Berisha asnjë

1761564000_pyetjetperspak.jpg

Opozita ka 'bombarduar' me pyetje kreun e SPAK, Altin Dumanin me plot 57 pyetje në total të depozituara paraprakisht në Kuvend.

Jorida Tabaku kryeson listën me 8 pyetje për Dumanin, ndjekur nga Flamur Noka me 7 pyetje. 6 pyetje janë përgatitur nga Tedi Blushi, Luan Baçi. Ndërkohë Sali Berisha nuk ka përgatitur asnjë pyetje për SPAK, institucion të cilin e anatemon dhe sulmon sa herë që paraqitet atje për masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani.

Theksojmë se deputetët ka nisur një sherr në sallë, pasi opozita kërkon që pyetjet e depozituara, t'i lexojnë edhe në sallë përballë krerëve të institucioneve të drejtësisë, kërkesë kjo që është kundërshtuar nga mazhoranca me argumentimin se kjo është një tendencë për të intimiduar titullarët institucionalë.

SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, pritet të raportojnë sot punën vjetore në Kuvend pas raportimeve në komisionin e posaçëm të Ligjeve.

Ora 12:05
Debati për pyetjet/ Balla ironizon opozitën: Në matematikë jemi më mirë se ju! Keni një problem të madh, keni rënë dakord për të mos rënë dakord

 

Krerët e institucioneve të drejtësisë ende nuk kanë nisur raportimin në Kuvend për shkak se opozita kërkon që t’i bëjë pyetjet edhe me gojë pavarësisht se i kanë depozituar me shkrim. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla mori sërish fjalën dhe e kujtoi opozitës se vetë është dakordësuar për pyetjet me shkrim.

Më tej, teksa bëri llogaritë e kohës që merr parashtrimi i pyetjeve që kanë adresuar deputetët me shkrim, Balla ironizoi teksa përmendi matematikën. Më tej tha se do të bëjnë 15 minuta pushim dhe nëse nuk do të bien dakord për të zhvilluar seancën normalisht, do të kalojnë për votim veprimtarinë e institucioneve pa raportuar.

“E gjithë kjo lojë për të mos lejuar moszhvillimin normal të seancësz. Zoti Blushi the që lejoni debatin, kemi rënë dakord për 12 orë e gjysmë debat. Kemi rënë dakord për këtë. Kemi rënë dakord sipas rregullores dhe janë depozituar për dy pikat e para 25 dhe 57, 82 pyetje. Të paktën me matematikën jemi më mirë se ju… 7x7. Për këto kemi dakordësi të plotë. U sqarua më së miri, imagjoni 82 pyetje herë 3 minuta për prezantim, i bie 246 minuta ose 4 orë e pak. Ndërkohë, që merreni procesverbalin e Konferencës së Kryetarëve se ju keni problem të madh, bini dakord për të mos rënë dakord. E keni sjellë edhe me shkresë dakordësinë për kohën e debatit dhe pyetjet. Për ta sjellë seancën në shinat e rregullores, në mungesë të kryetarët të grupit të PD, zoti nënkryetar më lejo të të them se bazuar në rregulloren e kuvendit neni 103, ftesa juaj, kërkesa për të shkelur rregulloren as sot, as nesër as pas një muaji nuk do të marrë dakordësinë tonë. Prandaj zoti kryetar i Kuvendit kërkoj 15 minuta pushim për një bisedë me ju dhe kryetarët e grupeve prezent dhe nëse nuk kemi dakordësinë, do të kërkoj ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim.”, tha Balla.

Ora 12:01
Toni Gogu – opozitës: Kërkoni t’i bëni këtu gjyqin drejtësisë! Me pyetjet direkte i ushtrohet presion prokurorit e gjykatësit që raporton

 

Ministri i shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu thotë se opozita sot po përpiqet t’i bëjë sot gjyqin drejtësisë, të cilët e kanë nisur këtë proces prej më shumë se një viti.

I gjithë debati po zhvillohet sepse opozita kërkon që institucioneve që do të raportojnë, t’i drejtojnë pyetje direkte, të tjera nga ato që janë depozituar paraprakisht me shkrim në Kuvend.

Gogu përfundon fjalën e tij duke thënë se pyetjet me gojë kanë për qëllim të vendosin në vështirësi drejtuesit e institucioneve dhe t’i ushtrojnë presion dhe se kjo nuk ka për të ndodhur.

“Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është më e qartë sesa mjegulla që po përpiqet të ngrejë opozita me një kauzë që nuk ekziston. Raporton për 20 minuta kreu i institucionit të pavarur, lexohet projekt-rezoluta që është debatuar nëpër komisione dhe fillojnë pyetje-përgjigjet e deputetëve.

Si mund të pretendosh që një pyetje me shkrim nuk qenka e drejtë për të folur? Mbani mend vetëm letrat që janë shkruar nga burgjet, se si kanë ngritur njerëz, forcën e letrës së shkruar.

E di çfarë bën një pyetje e shkruar? E di çfarë bën një pyetje e shkruar? I heq zhurmën “Big Brother”-it i heq  zhurmën e teatrit politik. Bën gjithashtu dhe një ndarje të kohës në mënyrë të barabartë.

Sepse, kur e merr titullari i institucionit, i cili është përgjegjës për t’iu përgjigjur pyetjes dhe jo stafet e tij, e lexon njësoj një pyetje të shkruar, pavarësisht se si mund të teatrohet ajo në sallën e Kuvendit. Kështu që t’i heqësh fjalën opozitës, duke e lënë që sot të bëjë pesë orë debat... Sot opozita ka të drejtë të flasë pesë orë, të nderuar qytetarë. Opozita sot ka të drejtë, të flasë pesë orë dhe vjen e bën teatër thotë: nuk më keni lënë që të bëj pyetjen.

Ndërkohë që pyetjet, po të shkruheshin mirë, po të referoheshin mirë me referencat e duhura, patjetër që mund të vendosin krerët e institucioneve përpara përgjegjësisë që ata kanë për t’i drejtuar institucionet.

Por çfarë po insinuohet sot?

Gjyq gjykatës! Sot gjysma e opozitës që e ka nisur gjyqin ndaj gjykatës që para një viti e gjysmë apo dy vjetësh, do ta bëjë gjyqin këtu.

Këtu do t’ia bëjë gjyqin gjykatës. Këtu do t’ia ngrejë akuzat prokurorit. Këtu do t’i bëjë inspektimin Inspektorit të Drejtësisë. Sepse do të përpijë çdo kompetencë që kjo shumicë i ka dhënë institucioneve të pavarura.

Patjetër që kemi depozituar pyetje, sepse ne besojmë që nëse institucionet e pavarura kanë dosjet, kjo sallë ka politikat e mirëqeverisjes së institucioneve të tyre.

Kjo sallë ka mënyrën se si organizohen ato institucione.

E prandaj, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë punë përmes ligjeve dhe përmes kontrollit parlamentar që është ajo rezolutë që ne do të miratojmë së bashku.

Kështu që, të nderuar kolegë, lëreni këtë teatrin që doni të bëni pyetje, sepse të bërit pyetje me gojë e vë në vështirësi dhe i bën presion prokurorit, sepse ngjason njësoj me atë studentin i cili thotë: “Nuk jam gati të hyj në provim me shkrim, dua të flas vetëm me gojë, sepse do të tregoj historinë e krimbit… e krimbit të korrupsionit”, tha Toni Gogu.

Ora 11:44
Spahiu-demokratëve: Keni gjellën para dhe s’doni të hani! S’keni të drejtë të intimidoni institucionet e drejtësisë

 

Deputetja socialiste, Klodiana Spahiu iu përgjigj opozitës e cila kërkon t’i drejtojë pyetje në sallë krerëve të drejtësisë. Spahiu tha se opozita e ka gjellën para dhe s’do të hajë edhe pse është e uritur. Ajo theksoi se opozita ka të drejtën për të diskutuar, jo për të intimiduar institucionet e drejtësisë.

“Nuk kanë ardhur që ju të bëni prokurorin, por për të deklaruar punën që kanë bërë gjatë vitit. Keni kundër 95% të shqiptarëve nëse i dilni kundër sistemit të drejtësisë, me shumë dashamirësi do doja të kthemi në rendin e ditës. Një muaj e gjysmë që nuk flasim dot, kanë gjellën para dhe s’duan të hanë edhe pse janë të uritur. Ja ku e keni gjellën, keni të drejtën për të diskutuar, por jo të drejtën për të intimiduar institucionet e drejtësisë”, tha Spahiu.

Ora 11:44
Toni Gogu pyet opozitën: A është e varur apo e pavarur drejtësia shqiptare?

 

Ministri i shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu iu drejtua me disa pyetje opozitës, e cil apo këmbëngul që ti drejtojë pyetje në sallë drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. 

"Tridhjetë pyetje do të ishin hartuar dhe dorëzuar deri tani. Dhe në fakt, e dini pse e përmenda? Sepse mu fanit i përshpirtshmi dhe i respektuari kolegu ynë Pjetër Arbnori, i cili kontraston kaq shumë me të gjithë ju, kur bënte pyetje për prokurorin. S’mund t’i bënte dot në sallë, por i bënte me shkrim. Pyetjet e tij janë regjistruar dhe na vijnë edhe neve sot. Edhe fëmijët e mi mund të lexojnë pyetjet e tij. Por ju sot nuk doni t’i përgjigjeni një pyetjeje që ka publiku shqiptar dhe ndaj shumëfishoni veten në pretendime për pyetje. Pyetja që ka publiku shqiptar është: A është e varur apo e pavarur drejtësia shqiptare sipas opozitës shqiptare? Sepse për shumicën është shumë e qartë. A janë kalorës të ligjit, apo janë ushtarë të krimit drejtuesit e institucioneve të pavarura? Kjo është pyetja për opozitën shqiptare. Kjo është pyetja që juve ju mbyll gojën dhe ju shumëfishon në mijëra pretendime për pyetje që nuk arrini dot t’i bëni", tha Toni Gogu.

 

 

Ora 11:41
Topalli ‘këshilla’ Peleshit: Njeriu heq dorë nga karrigia kur nuk lejohet të zbatojë ligjin! Urdhri politik që keni marrë, po i mbyll gojën opozitës

 

Deputetja e PD-së Jozefina Topalli, ka ‘këshilluar’ kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin në bazë të eksperiencë së saj në krye të këtij institucioni.

Topalli thotë se vendimi politik që ka marrë Peleshi, është për t’i mbyllur gojën opozitës. Ndër të tjera, ajo i thotë Niko Peleshit se duhet të heqë dorë nga posti, në momentin që nuk lejohet të respektojnë rregulloren dhe ligjin.

“Detyra e kryetarit të Kuvendit nuk është e thjeshtë. Jo sot shumë herë ke për tu gjetur përballë situatave të vështira nëse e nuk vendosni që do t’i qëndroni vetëm rregullores. Mua më bën shumë përshtypje që flisni për manual dhe ju duket se qëndron mbi rregullore. Njësoj si të thuash se ligji qëndron mbi Kushtetutën. Ka një historik parlamentarizmi dhe nuk ka ndodh kurrë që deputetët kanë dashur të bëjnë pyetje, dhe t’i jetë mohuar e drejta e pyetjes.

Ndaj dhe urdhri politik që keni marrë, është për të mbyllur gojën opozitës, kjo është e rëndë. Nuk ka ndodh kurrë që kur institucionet kanë ardhur për raportuar dhe deputët kanë dashur të bëjnë pyetje, kurrë nuk i është mohuar e drejta. Njeriu vendos që dhe të ikë nga një karrige nëse ligji që detyron ta zbatojë bie në kundërshtim me vendimin politik të mazhorancës, Unë kam votuar kundër prokurorëve të përgjithshëm të propozuar nga mazhoranca kur isha kryetare e parlamentit. Janë vendime të vështira, por janë vendime që njeriu i merr në bazë të ndërgjegjes”, tha Topalli.

Ora 11:40
Kiduina Zaka ironizon opozitën: Zhurmuesin e keni brenda jush, më i madhi mungon sot! Ne të rinjtë po bëjmë rolin e edukatorit me ju

 

Deputetja e re socialiste Kiduina Zaka kritikoi kolegët e saj opozitarë për qasjen në Kuvend, teksa tha se po pengojnë zhvillimin normale të seancës që ka të bëjë me raportimin e institucioneve të drejtësisë. Ajo tha se deputetët e rinj të PS dhe të PD nuk kanë folur në Foltore për shkak të zhurmuesve të opozitës.

“Që prej fillimit të kësaj legjislature, opozita na është qasur me idenë e keqardhjes për ne të rinjtë që nuk kemi pasur mundësi të mbajmë fjalën në Foltore, por në fakt sot e nxorrën kokën që paksa pasur hallin e vet që nuk kanë dalë aty. Dhe fakti që ju dhe ne bashkë me ju s’kemi pasur mundësi të shprehim qëndrimet tona, kërkojeni brenda grupit parlamentar se aty keni shumë zhurmues, më të madhin që mungon sot (referuar Bardhit). Keni dhe ndonjë që iu pëlqen komplimentet që i jep Maxhoranca. Kështu që do t’iu lutesha shumë që t’iu rikthehemi normalitetit të kësaj seance. Ne deputetët më të rinj të maxhorancës na është dashur të bëjmë rolin e edukatorit për t’u rikujtuar deputetëve më me eksperiencë të opozitës se për çfarë merret fjala për procedurë. Nëse ju kolegë të opozitës dëshironi të këqpërdorni kohën që iu vihet në dispozicion dhe të zhgënjeni votuesit që iu dhanë votën, atëherë më qafë i paçi të gjithë qytetarët që votëbesuan se maxhoranca dhe çdo deputet i saj është zotuar t’u shërbejë qytetarëve. Një thirrje shumë miqësore të mos e keqpërdornim kohën dhe t’i kthehemi seancës normale.", tha ajo. 

Ora 11:38
Dumani në sallë/ Berisha akuza SPAK: Gjumashë që flenë mbi dosjet e krimit!

Kreu i PD, Sali Berisha sulmoi nga salla e Kuvendit SPAK, ndërsa në seancë ishte edhe vetë Altin Dumani i cili do të raportojnë për punën gjatë vitit 2024. Ndërsa u përfshi në një debat me Blendi Klosin, Berisha zgjodhi të sulmojë edhe Dumanin, ndonëse nuk e përmendi me emër, duke thënë se mes PS dhe drejtësisë ka një kompromis të heshtur që të fshehin dosjet e socialistëve.

Berisha kërkoi që t’u drejtojnë pyetje institucioneve të drejtësisë, ndërsa tha se socialistët kanë dosje në SPAK por u fshihen. Një pyetje i drejtoi edhe Blendi Klosit duke i kërkuar të betohet mbi kushtetutë që nuk ka dosje në SKAP, siç ai quan prokurorinë e përgjithshme.

“S’mund ti përgjigjem një njeriu që ja vodhi bixhozi rininë. Çështja është serioze, mëkatarë, me dosje palë palë dhe gjumashë mbi dosjet e krimit kanë bërë një kompromis që t’iu fshehin juve, të fshihen para jush duke na hequr të drejtë të bëjmë pyetje direk, si burri burrit, si qytetar qytetarit. Këta këtu janë në konflikt interesi. Dil betohu në kushtetutë se nuk ke dosje në SKAP. Pse iku vëngu, ku shkoi ai. Ose ia mbathi, sepse ju jeni me doje. Juve keni rënë në një kompromis për të vendosur errësirën, ne kërkojmë të bëjmë pyetjet, ka një manual që nuk thotë se asnjë fjalë nuk bëhen me gojë pyetjet, ai që pyete duhet të këtë kohën për tu përgatitur, por kjo nuk përjashton autorin e pyetjes ta lexojë siç e ka bërë dhe me qëllimin që e ka bërë”, tha Berisha.

Ora 11:38
Manja ironizon Berishën me një ‘episod’ në Bjeshkët e Istogut: Për herë të parë ishe i vërtetë, të tjerat i ke gënjeshtra

 

Në Kuvend nuk munguan as replikat mes Sali Berishës dhe Ulsi Manjas. Socialisti e ironizoi me një ‘episod’ nga Bjeshkët e Istogut, teksa tha se kreu i PD-së vetëm atëherë ka qenë i vërtetë në jetën e tij.

“Ta dëgjojë opinion publik. Në 35 vjet Sali për herë të parë ke qenë i vërtetë kur u ngjite në Bjeshkët e Istogut si vjet se zakonisht kur ngjitesh në mal na flet shpirti dhe na thërret origjina. Se të kam ndjekur, se zakonisht i ndjek shëtitjet në mal se jam i apasionuar pas këtyre gjërave. Aty ku zhvillove dialogun me kalin mes pasioneve të rinisë që t’u ndez zjarri nga brenda për të hipur në kalë dhe bërë xhiro dhe moshës. Dhe në fund e the dhe vetë se në këtë dyluftimin mes rinisë, pasionit, malit, triumfoi mosha. E le kalin dhe the vendosa të ec në këmbë. Sali…atje je i vërtetë. Të gjitha të tjerat i ka gënjeshtra se edhe vetë jetën e ka ndërtuar mbi gënjeshtra. Dua që të dëgjojnë atë Saliun e bjeshkëve të istogut shqiptarët dhe jo atë të parlamentit.”, tha Manja.

Berisha replikoi duke thënë se kreu i SPAK, Altin Dumani fsheh dosjet që sipas tij kanë të bëjnë me Manjën. Kjo është arsyeja sipas Berishës që nuk duan që t'i adresojnë pyetjet me gojë drejtuar krerëve të institucioneve të drejtësisë. 

“Sepse ai atje, në vend se ta thërrasë dhe t’ia zhveshë kostumet, t’ia hedhë në kosh kostumet, ia fsheh dosjet. Kjo janë arsyet ju që nuk doni pyetjet, por e keni gabim sepse vetë e keni përmbysur... Ju bëni fjalë për këtë kod, por vetë e keni përmbysur manualin në vitin 2022, 2023, 2024. Ne nuk ju kemi diktuar përmbysjen e tij. Po pse? Sepse ai manual kurrë nuk mund të përjashtojë të drejtën e pyetjes me gojë ndaj përfaqësuesit të institucionit. E keni frikë, e keni nga halli. Të dy palët. Ky është kompromis në frikë. Ky është kompromis në krim.”, tha Berisha.

Ora 11:28
VIDEO/ Klosi: Mendoni se do i vendosni institucionet e drejtësisë në vështirësi me llafe! Ina Rama kërkoi hetim për 21 janarin, Berisha nuk e lejoji

Deputeti i PS-së Blendi Klosi kundërshtoi kërkesën e opozitës për t’i drejtuar përfaqësueseve të institucioneve të drejtësisë pyetje direkte, të cilat janë depozituar paraprakisht në kuvend me shkrim. Deputeti i PS-së tha se opozita ka urdhër nga Berisha për të prishur seancën.

Klosi ndër të tjera, tha se opozita dhe mazhoranca kanë raporte krejt të ndryshme me drejtësinë, duke risjellë në kujtesë raportimin e prokurorit të përgjithshëm të kohës në vitin 2007. Klosi tha se ai u shkarkua pasi në parlament deklaroi e janë vjedhur 200 milionë dollarë nga ndërtimi  i Rrugës së Kombit. Apo raportimin e Ina Ramës, e cila në cilësinë  e prokurores së përgjithshme kërkoi të hetonte vrasjet  protestës së 21 janarit, dhe Berisha nuk e lejoni, tha Klosi.

“E mbështes kolegen topalli ,si ajo dhe ne përgatitemi për të folur n këtë foltore. Duhet të thuash të vërtetën. Thuaj urdhrin që ju tha në mbledhjen e grupit para një dite. Ne jemi opozitë tha Berisha dhe ne nuk na intereson rrjedha e parlamentit, ne duhet ta prishim atë. Dhe ja ku jeni prapë sot, në këtë seancë të zbarstisë. Kur mendoni se duke i dalë përballë dhe duke i ngatërruar dhe llafe drejtuesit e institucioneve, do të keni mundësinë të bëni atë që nuk e bëni dot me logjikë. Je keni strategji të prishni vetëm seancën. Sa i përket raportit me drejtësinë re, e kemi ndarjen shumë të thellë. Ne si partie majtë ne i bejsojmë institucioneve, ju i besoni individit.

Sa i përket këtyre raporteve kemi qenë në këtë sallë, kur në 2007 prokurori i përgjithshëm erdhi në këtë foltore dhe deklaroi se në rrugën e kombit u vodhën 200 milionë dollarë me tender korruptiv, atë ditë u shkarkua. Kemi qenë në këtë parlament kur Prokuroja e Ina Rama kërkoi të hetonte vrasjet e 21 janarit, ai njeri doli dhe tha këtu jam unë dhe këtë drejtësi e bëj unë”, tha Blendi Klosi.

Ora 11:14
Gjekmarkaj i kthehet Peleshit: Po i trajtoni titullarët e institucioneve të drejtësisë si zëdhënës të deputetëve! Vetë je kthyer në një haberxhi

 

Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit që pyetjet për përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë të lexohen nga dikush nga sekretaria e Kuvendit ose nga vetë deputetët. Gjekmarkaj thoë se kjo është një ofendim për titullarët e institucioneve të cilët po trajtohen si zëdhënës të deputetëve.

Ndër të tjera, ai e ka cilësuar Niko Peleshin, jo si një kryetar parlamenti, por si një haberxhi, i cili raporton apo vendos atë që i kërkohet nga PS.

“Po asgjësoni parlamentin. Ne deputetët e opozitës kemi ardhur të përgatitur në respekt për titullarët e institucioneve. Mos e sabotoni këtë seancë, lejoi deputetët të bëjnë pyetjet. Pyetja nuk është mekanike, ka tekst dhe kontekst. Përfaqëson interesin e qytetarëve.

Nëse na mohoni këtë të drejtë, po fyeni qytetarët dhe titullarët e institucioneve dhe po fikni parlamentin. Ju po i trajtoni titullarët si zëdhënës të deputetëve. Me çfarë të drejte i kërkoni atyre që të bëjnë prezantimin e pyetjes së deputetëve dhe prezantimin e përgjigjes. I bie që të na përgjigjen me shkrim e me postë. Dikush nga sekretaria e Kuvendit t’i lexojë pyetjet ose njëri prej deputetëve.

Jeni nën efektin e ngjarjeve që vetë i keni gatuar, por kuvendi nuk është pronë e Partisë Socialiste. Mos harxhoi drita, ujë dhe roje, mblidhuni njëherë në 6 muaj si Haxhi Lleshi. U zgjodhët si kryetar kuvendi dhe jeni kthyer në një haberxhi”, tha Gjekmarkaj.

Ora 11:04
‘Sikur djalli të interpretonte Biblën’, Balla-Berishës në Kuvend: E mban mend kur raportonte Ina Rama këtu, dhe ti lije sallën (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla replikoi me Sali Berishën pas akuzave të këtij të fundit lidhur me pyetjet drejtuar institucioneve të drejtësisë që pritet që të raportojnë sot në Kuvend. Me ironi, Balla tha se fjala e Berishës ishte sikur “djalli të interpretonte Biblën.” Më pas i kujtoi kohën kur në Kuvend raportonte ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, të sulmuar nga Berisha, dhe ai me deputetët e tij linte sallën.

“Fjala e fundit sikur të kërkoje djallin që të interpretojë Bilbën. Dëgjuam se çfarë thotë djalli për Biblën. Tani e kam për deputetët e rinj të grupit të PD, kur keni ardhur në shtator këtu në tryezë keni gjetur këto tre libra. Këto janë tre librat që rregullojnë, i pari Kushtetuta, i dyti rregullorja dhe i treti një libër që ka ardhur nga tradita parlamentar. Kemi bërë punë të mirë 4 vite më parë ku traditën parlamentare e kemi vënë në libër. Rregullorja, neni 103, e ka përcaktuar qartë se si bëhet procesi i raportimit. E vërteta është dhe ju e thoni shpesh, kur e kemi bërë gabim njëherëm, nuk kemi pse e bëjmë gjithmonë. Po, e vërtetë që në 2023 apo 2024 është bërë gabim. Por, ky libri këtu është miratuar përpara në korrik 2021 ku në fakt me deputetë që kishin ardhur nga listat tuaja kemi bërë një diskutim të tillë.

Gënjeu zotëria kur tha PE...nuk ka më në PE që të vijë një institucion të raportojë dhe të çohesh nga vendi kam këtë pyetje shiko se kam edhe këtë...Ka një rregull në të gjitha parlamentet, pyetjet depozitohen përpara seancës. Lezoni nenin 90 të rregulloresm, kur do t'i bësh pyetje kryeministrit. Edhe kur do t’i bësh pyetje kryeministrit, depozitohen përpara dhe kryeministit lexon pyetjen që i ka dhënë deputeti. Dhe deputeti ka të drejtë që në kohën që kemi rënë dakord 150 minuta herë 5 institucione kemi 12 orë e gjysmë debat. Ore zotërinj deputetë të rinj të PD-së, zgjidheni brenda jush këtë hall që iu ka zënë. Ndoshta ai njeriu aty ndoshta nuk do që të flisni. Strategjia e tij. Edhe gënjeshtar i nivelit…tani the Prokurori i Përgjithshëm raporton këtu prej unë kam 20 vite deputet…Prokurori ka raportuar gjithmonë, ama koha kur raportonte Ina Rama dhe t’i lije sallën  edhe pse kishe shumicë, e mban mend ëë (i drejtohet Berishës)? E mban mend Jozefina, kur vinte Ina Rama këtu, largoheshit nga salla…”, tha Balla.

Ora 10:59
Raportimi i drejtësisë/ Berisha: Lejoni deputetët të bëjnë pyetjet! Kanë frikë ata se do i pyes për bisedat me Mario Çelën e kostumet e Altin Hajrit

 

Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar që deputetëve t’iu jepet e drejta për t’i drejtuar pyetje institucioneve që do të raportojnë në kuvend, të cilat nuk janë depozituar paraprakisht me shkrim në Kuvend.

Ndër të tjera, Berisha thotë se institucionet e drejtësisë, kanë frikë nga pyetjet e opozitës dhe se ky është një konsensus midis mazhorancës dhe atyre, duke i cilësuar të gjithë si bashkëmëkatarë.

“Po shkelen parimet themelore të barazisë midis palëve. Nëqoftëse pala që pyetet pyetjet ka të drejtë ka të përgjigjet, ka të drejtë dhe të lexojë pyetjet. Ajo që citoni ju është jashtë konteksti. Këto institucione nuk kanë ekzistuar n vitet që përmendët.

Nga viti 2022 e këtej, pyetjet janë bërë siç duhet dhe zotëri, në  rregullohen e parlamenteve evropiane, çdo deputet ka të drejtën e pyetjes orale të padepozituar. Dhe ju e hiqni këtë të dejtë, përse ky kuadër? Ju jeni mëkatarë, Ju të gjithë keni dosje tek ata. Ata kanë mëkatet e tyre. Ky është një kompromis mes mëkatarëve. Unë e kuptoj që Uluziu nuk do të që të pyes se të kujt janë ato dy kostumet që i solli Altin Hajri. Ky tjetri nuk do që ta pyes me Mario Celën, as për Dëshmitë e Eriona Daupajt. Ju po bëni një gabim historik nëse i hiqni deputetëve të drejtën për të pyetur”, tha Berisha.

Ora 10:22
Drejtësia raporton sot, video e Dumanit dhe Çelës nga Kuvendi

 

Institucionet e drejtësisë raportojnë sot në Kuvend për punën gjatë vitit 2024. Këto janë pamjet kur Altin dumani, kreu i SPAK ndodhet në Kuvend në pritje të raportimit, i shoqëruar nga dy prokurorët Adnan Xholi dhe Klodian Braho. Krah tyre është edhe kryeprokurori i përgjithshëm, Olsian Çela.

Ora 09:59
Raporton sot në Kuvend, mbërrin Altin Dumani (VIDEO)

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka mbërritur në Kuvend ku do të raportojë për punën e institucionit që drejton për gjatë vitit që lamë pas.