Gjatë një takimi me shefen e Misionit të ODIHR-it Conny McCormak dhe anëtarë të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, lidhur me çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Topalli tha se “Si Kryetare e Kuvendit, e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme se jam e gatshme në çdo moment të mbledh Parlamentin e të votojmë tre emrat që opozita duhet të sjellë për vendet e lëna bosh në KQZ. Shpresoj që Rama të mos mendojë se mund ta përdorë këtë si alibi të rradhës për humbjen e tij, për të mos njohur rezultatin ashtu siç ka bërë në zgjedhet e mëparshme. KQZ-ja po vijon punën e saj në respekt të ligjit dhe kodit zgjedhor.”
Lidhur me numrin e vëzhguesve për zgjedhjet në vend, Kryetarja e Kuvendit tha se “jemi të angazhuar për zgjedhjet më transparente dhe më të mirat që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Kam ftuar të gjithë Asambletë Parlamentare për të sjellë numrin më të madh të parlamentarëve për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri”.
Sipas Topallit “kuadri ligjor elektoral është miratuar me konsensus, bazuar në rekomandimet e ODIHR-it. Rritja e numrit të qendrave të numërimit, zvogëlimi i numrit të zgjedhësve për qendër votimi, etj; do të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të standardeve, do të shkurtojë kohën e numërimit, do të rrisë edhe më shumë transparencën.”
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)