Topalli poston foto me Hajdarin 
thumb Bashës:Kur bëhej opozitë

Topalli poston foto me Hajdarin <br />thumb Bashës:Kur bëhej opozitë
Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, një nga pretendentet për pasardhëse të Berishës në Partinë Demokratike, vijon thumbat dhe kritikat për mënyrën se si Lulzim Basha po e menaxhon opozitën shqiptare. Pasi rrëzoi pretendimet dhe paradokset e Bashës, i cili tentoi ta trumbetonte si fitore humbjen dramatike në zgjedhjet lokale, Jozefina Topalli vijon të shprehë sistematikisht pakënaqësinë e saj për mënyrën e drejtimit të Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Sali Berishës, tre vjet më parë. Në rrjetin social Facebook, zonja Topalli ka postuar një fotografi me Sali Berishën dhe Azem Hajdarin, duke kujtuar kohët e arta kur udhëheqësit e PD bënin opozitë të vërtetë. Topalli thotë se asokohe ishte kohë idealesh, ku bëhej opozitë, ndonëse kërciste plumbi. “Kur bëhej opozitë...edhe pse kërciste plumbi... Ishte kohe idealesh...”, shkruan Topalli. Jo rastësisht, Topalli i referohet Azem Hajdarit dhe Sali Berishës për të theksuar profilin e ulët të Lulzim Bashës, i cili pas tre viteve, nuk po arrin të vendosë autoritetin e kryetarit në krye të Partisë Demokratike. Topalli i përket linjës radikale të partisë, ndërsa ka vënë në pah çorganizimin e partisë dhe katapultimit e personave pa identitet politik. Zonja Topalli konsiderohet një nga rivalet më të përbetuara të Lulzim Bashën në PD. Edhe pse mes saj, Bashës dhe Olldashit, Berisha ia besoi Bashës fronin në parti, Topalli ka dhënë mesazhe të qarta se vijon të njohë vetëm Sali Berishën si liderin e partisë.

Përballja në horizont
Zgjedhjet e 2017 mund të pasohen me një përballje vendimtare mes Bashës dhe Topallit. Nëse PD do të humbasë zgjedhjet e 2017, Topalli dhe një grup figurash të PD pritet të kërkojnë largimin e kryetarit. Për të evituar këtë situatë, Lulzim Basha po përpiqet të krijojë një klimë artificiale tensioni para zgjedhjeve, duke paralajmëruar edhe bojkotin, nëse nuk i plotësohet kushti i qeverisë teknike. Megjithatë, qëndrimi i Berishës pritet të jetë përcaktues për fatin e Bashës në krye të PD, pas zgjedhjeve të 2017.

Mesazhi
Disa javë më parë, në një nga mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka vënë në dyshim kapacitetin e Lulzim Bashës, për të drejtuar opozitën. Në të njëjtën kohë, Topalli u identifikua edhe si një alternativë. “Ju nuk mund të udhëhiqni dot protestat popullore. Nuk mund ta udhëhiqni opozitën. Çfarë mund të bësh ti, po të mos jetë Berisha?”, mësohet se ka thënë Jozefina Topalli.

Për zgjedhjet
Ndryshe nga Basha, i cili një javë shpallte fitoren, ndërsa javën tjetër thoshte se zgjedhjet janë manipuluar, Topalli ka konstatuar humbjen e PD, me minus 482 mijë vota. “Unë me shpirt i përgëzova të rinjtë, qytetarët e Shkodrës. Por, unë jam e trishtuar për rezultatin në shkallë Republike. Zgjedhjet e 21 qershorit 2015 nuk plotësuan standardet, por edhe kjo nuk është se na zuri gafil. Ne nuk kemi fituar, dhe as kemi bërë hapa të mëdha përpara. Nëse diferenca është ulur tek kandidatët ajo ka ardhur se vërtetë kemi shtuar vota, por kryesisht se ASHE ka humbur më shumë se kemi shtuar ne. Ne kemi humbur në shumicën absolute të bashkive. Harta është pothuajse mavi dhe si PD kemi 20%, ndërkohë si koalicion jemi me minus 482 mijë vota. PD ka një betejë të vështirë përpara. Por PD duhet të shikojë më shumë nga vetja”, shkroi Topalli pas zgjedhjeve të 2017.

Për sulmet e krerëve të degëve
Në një nga mbledhjet e grupit të PD, Topalli ka akuzuar Bashën se fshihet pas sulmeve të kryetarëve të degëve. “Për rezultatin duhet bërë një analizë. Analiza le të nisë nga unë. Analiza të fillojë nga ne. Kjo që ka ndodhi nuk erdhi për një për një ditë, as për një muaj. Kjo e ka zanafillën në vitin 2013. Nuk është bërë analizë. Analiza nuk bëhet me sulme. Nëse nuk ke gisht, të kërkoj të distancohesh publikisht nga disa kryetar degësh që më kanë akuzuar mua”, ka deklaruar Topalli.

Për azilkërkuesit
Duke përdorur raportin rutinë të qeverisë italine për azilkërkuesit, zonja Topalli ka kritikuar Bashën për mosveprim dhe mosreagim ndaj kësaj situate. “Nuk jemi vetëm të dytët pas Sirisë për numrin e azilkërkuesve në Gjermani! Sipas të dhënave të qeverisë Italiane vendi ynë rreshtohet i dyti pas Egjiptit për numrin e minorenëve të pashoqëruar që shkojnë nga Shqipëria! Ky është një lajm tjetër tronditës në dramën e madhe të azilkërkuesve shqiptarë! A do rrimë të shikojmë si po zhbëhet ky vend? A do ulim shpinën e të shohim si zhbëhet familja shqiptare? A do ulim qafen e të presim si do rrokulliset ky vend?”, ka deklaruar Topalli.

Për ekonominë
Duke hedhur akuza mbi qeverinë, Topalli ka zgjedhur të godasë në mënyrë të tërthortë Bashën. “Ikin 150 milionë euro nga evazioni fiskal dhe vjedhje pa hesap. Ikën FMN. Ikin në korrik 7000 shqiptarë të tjerë për azil. Ikin dritat dhe uji në kulmin e sezonit turistik nga Velipoja në Sarandë. Ikin të torturuar emigrantët shqiptarë që për të marrë pasaportën e fëmijëve, zënë radhët me ditë në kulmin e të nxehtit, ku marrin dhe ndonjë grusht. Ikim lart në renditjen për çmimin më të shtrenjtë të naftës, fusim në burg fëmijë 4-vjeçarë dhe e trajtojmë si kafshë. Grabiten si kurrë më parë banesat edhe në qendër të qyteteve. Ikin për pushime të gjata dhe "udhëheqësit " politik. Dhe asgjë nuk ndodh. Pse? Pyetjen nuk e kam për klikën në pushtet. Jo! Pyetjes duhet t'i përgjigjet opozita”, ka deklaruar Topalli. 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois