TIRANE - Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ka reaguar ditën e sotme në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Berisha mbi nacionalizmin. Në një konferencë për shtyp Topi u shpreh se Kryeministri nuk mund të bëjë dot patriotin kur e shet Shqipërinë me 1 euro, sikur ta kishte pronën e të atit.

“Shqetësuar është fakti se në pamundësi për të qeverisur Kryeministri ditët e fundit ka nisur një fushatë populiste dhe spekulative nacionaliste. Ata që për favore politike dhuran pjesë të territorit shqiptar, ai që i fal pa asnjë lloj problemi bizneseve joshqiptare duke e shitur shumë lirë territorin shqiptar me politikën “Shqipëria një euro del sot dhe bëhet patriot i madh.Një njeri që s’ka respekt për pronën, e fal sikur të ishte malli apo prona e të jatit dhe nuk më rezulton të jetë e tillë. Ia fal disa bisnesmenëve rajonalë duke mos respektuar të drejtën legjitime të pronarëve që prej 22 vitesh sorollaten për atë që mund të jetë pjesë identitare e familjes së tyre, ia fal me 1 eruo se brenda janë interesat e bizneseve dhe klaneve të tyre”, deklaroi Topi.

TOPI: BERISHA MESIA I BASHKIMIT KOMBETAR
Topi e ka krahasuar Berishën me diktatorin Enver Hoxha duke thënë që shfaqet si mesia i bashkimit kombëtar.

“Kryeministri i vetëm në Europë që nuk bën dot zgjedhje të lira në parti dhe as në vendin e tij, na shfaqet sot mesia i bashkimit kombëtar, me të njëjtin stil e propagandë si diktatori Hoxha në vitet e fundit të sundimit të tij. Nëse Kryeministri e do dhe e respekton shtetin, popullin dhe kombin e tij ka pasur e ka të gjitha mundësitë t'u shërbejë atyre përmes vendimeve të urta, modelit qytetar, platformave kombëtare dhe rritjes së prestigjit shtetëror, duke e bërë shtetin shqiptar qendër e shembull të zhvillimit normal dhe të demokracisë funksionale dhe jo duke i kthyer të gjitha institucionet kushtetuese të shtetit në organizata satelite të partisë në pushtet. Në formimin e tij populist dhe komunist internacionalist nuk zë vend as flamuri, as kombi, as shteti dhe as qytetarët! Ai ka pasur, ka dhe vijon të ketë vetëm një ideal: pushtetin personal, pa kontroll, pa kufij, pa transparencë dhe pa rotacion politik", tha Topi.

TOPI: BERISHA PATRIOT, NUK DI NUMRIN E SHQIPTAREVE NE BOTE
Më tej kreu i FRD-së deklaroi se Kryeministri bën si patriot por në fakt nuk di numrin e shqiptarëve që kanë emigruar, pasi dikasteri për emigrantët nuk ekziston më.

“Këta njerëz në vitin e 8 të qeverisjes nuk kanë çarë kokë kur bashkëatdhetarët tanë kanë probleme. Kemi pasur një dikaster për emigrantët, nuk ka një numër ekzakt ku janë apo çfarë probleme kanë emigrantët. Ky dikaster nuk është më. Ky është patrioti i madh që nuk e di sa është numri i patriotëve në botë, që ikin për një jetë tjetër dhe ndjehen të braktisur”, tha Topi.

TOPI: BERISHA PREMTIME TE NJEJTA QE NUK I REALIZON
Bamir Topi hodhi akuza nga keqqeverisjes së qevererisë në pushtet, duke akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha që bën premtime të njëjta dhe nuk i realizon asnjëherë.

“Ky është shërbimi më i keq që një politikan masovik i bën vendit. Prej 22 vitesh Kryeministi vijon të premtojë të njëjtat gjëra dhe nuk realion asnjë premtim. Shqipëria nën drejtimin e tij vazhdon të jetë vendi i vetëm i Lindjes Komuniste pa statut anëtarësie në Bashkimin Europian, një vend i etiketuar për keqqeverisje dhe korrupsion të lartë, i vetmi vend ku ende nuk ka zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Kushtetuta e Shqipërisë mbron të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Politikanët kanë detyrë ta zbatojnë në çdo kohë këtë detyrim kushtetues, jo duke e harruar atë për 7 vjet dhe duke u kujtuar vitin e fundit të fushatës”, u shpreh Topi.

TOPI: SUKSESET E QEVERISE IMAGJINARE

Lidhur me raportin e publikuar sot në Transparency International, Topi tha se “Qeveria flet për suksese imagjinare, ndërkohë që raporti i sotëm i Transparency International 2012 e rendit Shqipërinë 18 vende më poshtë, pra edhe më të korruptuar sesa një vit më parë”.

TOPI: POLITIKA JONE SHTETI DHE QYTETARET
"Politika jonë është shteti dhe qytetarët, sot pushteti kontrollohet nga një person i vetëm. Bëj thirrje që në komunikimet me njerëzit t’ia bëni të qarta këto gjëra. Përgjegjësia më e madhe është për ata që janë në pushtet dhe jo siç ndodh rëndom për ata që angazhohen në një parti politike. Vjen struktura e pushtetit, marrin vesh lidhjet dhe pas një javë i japin njoftimin për largim nga puna, deri tani i kemi mbajtur pa i shprehur në publik, po ky është interesi i qytetarëve", tha Topi.

TOPI: NEVOJA PER ROTACION POLITIK
Në fund të kësaj konferencë për shtyp, kreu i FRD-së, Bamir Topi ka premtuar kontakte intesive me qytetarët e të gjithë Shqipërisë, për të bërë të mundur rotacionin politik, duke ia rikthyer pushtetin qytetarëve.

“Kontakti do të jetë shumë intensiv, me ju, me qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për të bërë të mundur nevojën për një rotacion politik, për t’ia rikthyer pushtetin qytetarëve dhe duke ia hequr një grupi që shikon vetëm interesat e veta politike”, deklaroi Topi.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)