TEPELENË - FRD zhvilloi një takim me banorë të qytetit të Tepelenës, në vazhdim të prezantimit para qytetarëve të programit të saj politik. “Dëshira për të ardhur në këtë qytet është mjaft e madhe, por gjithçka zbehet nga rruga skandaloze, që së bashku me disa segmente të tjera në vend nuk kanë vëmendjen e duhur të qeverisë,” tha i FRD, Bamir Topi.

“Kryeministri thotë se ka bërë mijëra kilometra rrugë, ndërkohë që gropat sa vijën e shtohen. A e dini se kryeministri shkon pothuajse një herë në javë në vilën e tij të luksit dhe përdor po rrugën e luksit, pra helikopterin, ndërsa për qytetarët është një tjetër panoramë, rrugë me gropa në një park kombëtar si ai i Dajtit ku duhet të lulëzonte turizmi,” vijoi Topi.

Më tej ai u ndal në misionin e FRD që sipas Topit është përfaqësimi i denjë i çdo qytetari përmes strukturave të shtrira në të gjithë vendin. “Kryeministri flet për kokën e Ali Pashës, ndërkohë që gurët e kalasë së tij, këtu në Tepelenë, po i marrin për të ndërtuar shtëpi” tha kreu i FRD.

“Qytetarët kanë frikë të shprehen në një atmosferë e cila mbjell vetëm terror, ne i kuptojmë dhe i përkrahim, por në datën 23 qershor të gjithë duhet të ndëshkojnë me votë këtë qeveri të korruptuar” tha Topi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.03.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)