TIRANE - Kryetari i FRD Bamir Topi, ka kritikuar sërish dy forcat kryesore politike në vend për tentim të monopolizimt të pushtetit. Në një takim me studentët, ai ka ripërsëritur sërish se duhet të bëhet rrotacioni i elitave politike. “Politika po tenton të zyrtarizojë monopolizimin e pushtetit vetëm te dy liderët.

Protagonistët e politikës së vjetër në Shqipëri nuk po mësojnë nga politikat e vendeve që na rrethojnë. Dypolarizmi në vendin tonë është i ndërtuar jo si vlerë, dhe i ka kushtuar vendit një tranzicion të gjatë dhe dramatik. Kjo ka bërë që institucionet të mos jenë të pavarura.

I gjithë shteti të jetë nën këmbët e pushtetit dhe në këmbët e një individi”, tha Topi. Sipas tij, dy liderët kryesorë politik në Shqipëri me vullnetin e tyre të plotë i janë larguar vlerave të demokracisë dhe të drejtës legjitime për të qenë i barabartë në ushtrimin e të drejtës së votës.

“Hartuan një kod zgjedhor që tenton t’i shkojë për shtat vetëm synimeve të tyre politike. Kjo na bën që të demaskojnë, të gjejmë mënyrat për  ti dhënë fund patologjizmit të deformuar. Unë jam i bindur se rinia do të dijë të vlerësojë rolin moderator të FRD për ndryshimin e situatës në Shqipëri”, ka shtuar më tej Topi. Ai njoftoi edhe për publikimin e programit paraprak të FRD më 4 mars.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013

Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)