Kryetari i FRD-së Bamir Topi zhvilloi dje takime me banorë si dhe me strukturat e partisë në Konispol, Vrinë, Shendëlli si dhe në qytetin e Himarës. Në këto takime ai shoqërohej nga nënkryetari Daut Gumeni si dhe nga Sekretari për Organizimin Sali Shehu.

Në takimin me banorët e Konispolit, Topi vlerësoi kontributin e tyre për të ndërtuar të ardhmen nëpërmjet burimeve që ka zona. Duke bashkëbiseduar me pjesëmarrësit në takim, kryetari i FRD-së u njoh me problemet që i shqetësojnë duke i siguruar se programi  i FRD-së për bujqësinë dhe pronën synon zgjidhjen e shqetësimeve për çështje te të cilat ata kanë bazuar të ardhmen e tyre.

Politika vijoi Topi mund ta zgjidhte shumë lehtë çështjen e  pronës por ka bërë gabime të pafalshme në këtë drejtim. Ai vlerësoi përpjekjet e banorëve për të rritur prodhimet bujqësore, ndërsa siguroi se FRD ka në programin e saj krijimin e një tregu te shëndetshëm bujqësor dhe dhënien e subvencioneve për fermerët.

Ai u ndal edhe në çështjen çame duke shprehur mendimin se FRD mbështet kërkesat e çamëve sidomos të pronave por gjithmonë përmes dialogut dhe sipas përcaktimeve të të drejtave ndërkombëtare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)