Topi: Nishani militant, s'mund të
ulë në tryezë Ramën dhe Bashën

Topi: Nishani militant, s'mund të<br />ulë në tryezë Ramën dhe Bashën
Ish presidenti Bamir Topi ka kritika të forta për qëndrimin e presidentit Nishani pas dekretimit të ministrit Fatmir Xhafaj.
 
Sipas Topit, ky qëndrim e pozicionon kreun e shtetit politikisht e kjo situatë i heq atij mundësinë të organizojë tryeza dialogu për palët politike.
 
"Pas prononcimit djeshëm detyrohem edhe unë të flas. Akti ishte presidencial. Komentet politike me pozicionim partiak, militantesk tregojnë që Presidenti aktual nuk është në gjendje dhe nuk mund të luajë asnjë rol koordinativ përsa i përket uljes në tavolinë. Edhe vetë e shprehu se “nëse ftohem marr pjesë në një tryezë politike”. Presidenti nuk ftohet, Presidenti fton. Në rast se do ishte në lartësinë e detyrës, duhet t’u kishte bërë thirrje partive politike që të ulen në tryezë dhe s’ka nevojë as nga Rama që të shkojë të bisedojë në çadër dhe as nga Basha për të dhënë ultimatume nga çadra", u shpreh Topi. 

Gjatë një interviste për Report Tv kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi thotë se vendi nuk është në krizë institucionale por nëse palët do të vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet që ata po mbajnë, mund të përballemi me një krizë më pasoja të rënda për Shqipërinë. 

Sipas tij, në kushtet aktuale nuk ka vend as për qeveri teknike, por as për zgjedhje pa opozitën, ndërsa thotë se përgjegjëse janë të dy palët PS e PD e kjo që prej 21 prillit 2008.
 
"Më duhet të them që krizë në kuptimin konstitucional nuk ka. Ai tension politik është prelud i një krize që do të vijë. Në rast se palët do të mbajnë këtë pozicion, me siguri që do të jenë në krizë. Sot për sot nuk jemi. Opozita është futur në çadër dhe ka gjuhën e vet. Unë nuk jam i opsionit politik që duhet të ketë qeveri teknike, sa kohë ajo qeveri ka edhe numrat në parlament. Kështu funksionon demokracia në çdo vend në botë.
Nga ana tjetër ka një gjuhë gati-gati definitive nga ana e Kryeministrit që zgjedhjet do të jenë në kohën e duhur, duke marrë parasysh që opozita mund të mos jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Pra, duhen thënë gjërat sipas këndvështrimit tim, duke qenë fare i qartë. Pozicioni i FRD-së është që nuk ka nevojë për qeveri teknike dhe e dyta nuk jemi të mendimit që mund të shkohet në zgjedhje duke përjashtuar apriori pjesën e opozitës institucionale
", thotë Topi.

Edhe për rolin e Ilir Metës në këto zhvillime kritikat janë të drejtpërdrejta, sipas kreut të FRD, kryetari i Kuvendit po shfrytëzon situatën politike në vend për interesa partiake.
 
FRD ka edhe propozimet e saj për reformën zgjedhore. 

Intervista e plotë e Topit për Report Tv

Z.Topi jemi në një situatë të vështirë politike. PD ka paralajmëruar se s’do hyjë në zgjedhje. A mund të ketë zgjedhje pa opozitën?
Së pari, më duhet të them që krizë në kuptimin konstitucional nuk ka. Ai tension politik është prelud i një krize që do të vijë. Në rast se palët do të mbajnë këtë pozicion, me siguri që do të jenë në krizë. Sot për sot nuk jemi. Opozita është futur në çadër dhe ka gjuhën e vet. Unë nuk jam i opsionit politik që duhet të ketë qeveri teknike, sa kohë ajo qeveri ka edhe numrat në parlament. Kështu funksionon demokracia në çdo vend në botë.
Nga ana tjetër ka një gjuhë gati-gati definitive nga ana e Kryeministrit që zgjedhjet do të jenë në kohën e duhur, duke marrë parasysh që opozita mund të mos jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Pra, duhen thënë gjërat sipas këndvështrimit tim, duke qenë fare i qartë. Pozicioni i FRD-së është që nuk ka nevojë për qeveri teknike dhe e dyta nuk jemi të mendimit që mund të shkohet në zgjedhje duke përjashtuar apriori pjesën e opozitës institucionale. Por ka një zgjidhje të tretë, që është çelësi, që palët nisur nga ajo që kanë realizuar 9 vite më parë, 9 prillin e 2008-ës, duke kthyer sipas ndryshimeve Kushtetuese politikën shqiptare në bipolarizëm, kanë një detyrim të madh. Të dy palët janë të detyruar të marrin pjesë në një proces që është institucional, që është Komisioni i Reformës Zgjedhore. Janë të detyruar, përndryshe do të mbajnë përgjegjësi të rëndë për atë që po përgatisin. Unë nuk mund të luaj rolin e “Kasandrës”, por kriza ndonëse nuk është konstitucionale, kjo klimë që po akumulohet mund ta sjellë situatën në një pozicion të tillë që askush nuk do jetë në gjendje ta zgjidhë.
 
A nuk ka një opsion zgjidhje?
Jo. Nuk ka opsion tjetër. Këta të mos i marrin pozicionet e tyre si benefice që ua jep qenia në një parti tradicionale të madhe. Këto kanë prodhuar ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, të dy palët janë bashkëpërgjegjëse. Madje të gjitha pasojat si rezultat i mospjesëmarrjes së tyre në procese që i detyron të marrin pjesë, do të përkthehet me situata të pakëndshme.
 
Të ngjashme me ‘97-ën?
Unë nuk i referohem me data, por mjafton të themi që do të biem në krizë. Sot, ende nuk jemi në krizë, por ka tensione. Nuk them se kush është më në rregull, pasi secili ka të drejtën e vet në politikë. Por kur bëhet fjalë për veprime që më pas përkthehen në tensione deri diku të parikuperueshme, unë besoj që jemi në këtë klimë.
 
Presidenti i Republikës çfarë roli duhet të ketë në këtë klimë?
Pas prononcimit djeshëm detyrohem edhe unë të flas. Akti ishte presidencial. Komentet politike me pozicionim partiak, militantesk tregojnë që Presidenti aktual nuk është në gjendje dhe nuk mund të luajë asnjë rol koordinativ përsa i përket uljes në tavolinë. Edhe vetë e shprehu se “nëse ftohem marr pjesë në një tryezë politike”. Presidenti nuk ftohet, Presidenti fton. Në rast se do ishte në lartësinë e detyrës, duhet t’u kishte bërë thirrje partive politike që të ulen në tryezë dhe s’ka nevojë as nga Rama që të shkojë të bisedojë në çadër dhe as nga Basha për të dhënë ultimatume nga çadra. Në rast se këto janë pasues të asaj vendimmarrje të prillit 2008, ju siguroj sikur e kam thënë atëherë, po paralajmëroj një krizë shumë të rëndë për Shqipërinë.
 
Roli i kreut të LSI, ku e shihni? S’është pjesë e 21 prillit 2008-ës...
Nuk dua ta komentoj fare rolin e z.Meta. Ai është kryetar i Parlamentit, pastaj lëvizjet politike secili i bën sipas mënyrës së tij. Por, në rast se sot i kemi këto probleme, këto edhe për shkak të pozicionit që ka luajtur vetë z.Meta. Kjo sepse në kushte krize, vërtetë një pozicion i lartë institucional duhet të jetë moderator, kam përshtypjen sikur vetë z.Meta dhe LSI-ja, tentojnë të përfitojnë nga kriza irriversive e dy partive të mëdha. Pra, në momentin kur kërkon të shfrytëzojë këtë për t’u rritur politikisht, atëherë unë them që nuk ka më pozicion institucional, por pozicion në bazën e interesave politike partiake. Dhe kjo e kthen më pas Shqipërinë në një demokraci hibride.
 
Ulja e palëve në një tryezë duket sikur ka shumë pak gjasa të ndodhë...
Këtë e kanë në dorë ata që kanë mandatin. Nëse dikush thotë se unë e zgjidh nga çadra dhe nuk shkoj në zgjedhje, kjo nuk është zgjidhje. Ai tjetri thotë që unë shkoj në zgjedhje edhe pa ty, edhe jo nuk është zgjidhje. Atëherë cili është? Paralajmërimi është ai që ne kemi si ndjesi. Ndjesia është rezultati i një analize politike edhe mbi bazën që kemi pasur në retrospektivë. I kemi kaluar njëherë. Nuk ka asnjë ndjesi që të futet në lojë Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe propozimet janë fare të thjeshta: Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore, të mos proporcionohet në rajone, por të ketë një proporcional kombëtar, të largohen komisionerët partiakë dhe të zëvendësohen me arsimtarë dhe e treta të ketë numërim elektronik të votës. Gjëra që realizohen në kohë. Nuk ka alibi tjetër. Shpresoj të dëgjohen, por nuk kam shumë shpresë se ata që e kanë në dorë do ta dëgjojnë, sepse janë futur aq thellë në llogoret e tyre politike, sa u është errësuar arsyeja. Dhe një arsye e errësuar nuk mund të japë dritë në fund të tunelit. Është momenti për të qenë të gjithë në alert. Gjithmonë kam qenë i natyrës për t’i ekuilibruar gjërat, por është momenti që të jap nga pozicioni im, një pozicion alerti. Një pozicion që patjetër duhet t’i sjellë me këmbë në tokë ata që kanë të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë në dorë sa i përket pozicioneve politike që janë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0