TIRANE- Kryetari i partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi, në një deklaratë të bërë në media e ka quajtur si kapriçoze dhe jo serioze sjelljen e opozitës në lidhje me vendimin për të bojkotuar komisionin për reformën territoriale-administrative. “Opozita po mban qëndrim kapriçoz dhe kundërshtues me vendimet e saj të mëparshme.

Dukshëm opozita me vendimin për të mos u bërë pjesë e komisionit për reformën kundërshton vetveten”,-ka thënë ish-presidenti. Sipas Topit, rëndësia e kësaj reforme është shumë e madhe dhe nuk duhet nënvlerësuar, por duhet marrë me seriozitetin e duhur dhe duhet të ketë konsensusin e plotë mes palëve. Ky nuk është deklarimi i parë që ish-Presidenti Topi bën duke i kërkuar opozitës të bëhet pjesë e kësaj reforme duke realizuar konsensusit. Ish-presidenti ka sqaruar edhe pozicionin e forcës së tij politike duke deklaruar se FRD është në opozitë por gjithsesi e ka të pamundur që të shkrihet me Partinë Demokratike.

“FRD-ja nuk është në qeveri pasi është e vendosur të bëjë opozitë dhe mundësitë për t’u bashkuar me PD-në janë fare minimale. Opozita është kapriçoze ndërsa ne jemi të vendosur të bëjmë oponencë të qartë politike”,-deklaroi Topi.

Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)