Topi:Rezultati në Dibër paradoksal,e 
djathta s'jep shpresë për të ardhmen

Topi:Rezultati në Dibër paradoksal,e <br />djathta s'jep shpresë për të ardhmen
Ish presidenti dhe kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi i ftuar në emisionin '45 minuta' nga Denis Minga në Report Tv ka folur për zgjedhjet e pjesshme në Dibër, rolin e të djathtës shqiptare si dhe atë të partisë së tij në skenën politike.
 
Sipas Bamir Topit rezultati i Dibrës është një rezultat tërësisht paradoksal pavarësisht se Muharem Rama e meritoi fitoren. Duke marrë parasysh rezultatin pas skandalit seksual them se është paradoksal 10-fishimi i votave për kandidatin socialist theksoi Topi.
 
Duke folur për përgjegjësinë e PD Bamir Topi tha se Basha ende nuk është lideri që vendos vetë në këtë parti dhe se influenca e Berishës mbi të vijon të jetë e madhe.
 
Sipas ish presidentit, Berisha vijon të jetë një faktor pengues edhe për të djathtën e cila nuk jep shpresë për të ardhmen. Kreu i FRD shprehu shqetësimin pasi nga njëra anë një krah ka të gjithë pushtetin ndërsa pala tjetër është shumë e dobët.
 
Sipas Bamir Topit ky rezultat nuk duhet të kënaqë as kryeministrin, pasi tregon që nuk njeh realitetin shqiptar. Mesa duket është një popull në dëshpërim që predispozon t’i marrë premtimet për të vërteta- theksoi Topi.
 
Ai shtoi se politika shqiptare ka nevojë për një zë të tretë që të bëjë balancimin mes dy palëve. I pyetur se pse presidenti Nishani po heziton të dekretojë ligjin për Vetingun , ish kreu i shtetit tha se ai është brenda afateve kushtetuese megjithëse shtoi se një qëndrim i tillë i tij pritej pasi presidenti Nishani i përket një krahu politik.
 
Përsa i përket reformës zgjedhore Kreu i FRD tha se partia e tij dëshiron që sistemi proporcional të korrektohet në nivel kombëtar në mënyrë që çdo votë të shkojë tek i zoti.

Si do ta lexonit votën e Dibrës, fitoi thellë PS apo humbi thellë PD?
Në një vend normal analizën më të mirë do ta bënin analistë e politologë. Në këndvështrimin tim duke tentuar të jem objektiv, është një rezultat tërësisht paradoksal por tërësisht i merituar nga Muharem Rama. Duke marrë parasysh rezultatin pas skandalit seksual them se është paradoksal pasi votat u 10-fishuan. Në rast se ky ishte si fenomen lokal gjithçka duhet të ishte konsumuar në Dibër që do të thotë media kombëtare nuk kishte pse të merrej përditë me Dibrën, partitë nuk kishin pse e kthenin në çështje Dibrën. U krijuan zgjedhje të parakohshme për shkak të kartës morale dhe këtë opozita nuk e përmendi asnjëherë. Çfarë ndodhi brenda këtyre 10 muajve jetë të pushtetit vendor, mos ndodhi ndonjë mrekulli, ndonjë investim ? Jo asgjë thjesht u 10-fishua rezultati.
Kjo vjen nga loja e partive politike dhe premtimeve pafund. Sa më thellë shkohet aq më lehtë manipulohet. Përtej entuziazmit të rezultatit mendoj që edhe ata që kanë fituar janë të befasuar nga rezultati. Opozita ra në një lloj gracke sepse në ditët e para u hodh ideja që do të kandidonte drejtori i tatimeve dhe prandaj u investua një figurë që ishte pjesë e parlamentit. U duk se opozita i investoi të gjitha kartat e veta. 

Prania e disa eksponentëve që ishin larg Dibrës. Përfshirja e AK-së, e Dash Alikos e kanë dëmtuar PD-në?
Do të lutesha të mos merreshim me emra, por nuk mund të citohet emri i Dasho Alikos kur Shqipëria ka sot qindra Dasho Aliko në të gjithë territorin. Duhet të jemi shumë objektiv, cilido që amplifikon bën gabim, cilido që minimizon bën faj. Secili duhet të merret me predispozicionin që kanë njerëzit për të qenë të ndershëm. Nuk jemi në një terren të pastër dhe këto patjetër që infektojnë situatën. Kjo ka bërë që në parlament të kemi konfigurim të çuditshëm dhe kjo ka bërë që edhe në zgjedhje të ketë paradokse.

A është e mundur që modeli i Dibrës të përsëritet edhe për zgjedhjet e 2017-ës?
Shkoni vite më pas sepse e keni në 21 prillin e vitit 2008. Ndryshimi i kushtetutës që ishte vepër e dy njerëzve që e ndienin veten të plotfuqishëm ka çimentuar sistemin. E drejta legjitime e çdo njeriu që të votojë dhe t’i lexohet vota. Vota e presidentit të republikës u lexua dhe deformua, histori blerje dhe shitje votash janë normale në Shqipëri. Është akuzë e drejtpërdrejtë për ata që ishin dhe janë në pushtet. Askush nuk deklaron të ardhurat dhe në fushatë ka shuma marramendëse për të krijuar halucinacione për ata që do të shkojnë të votojnë. Në peshkopi i shikon njerëzit pafund duke bërë xhiro, pasi nuk kanë çfarë të bëjnë. Ky rezultat nuk duhet ta kënaqë kryeministrin, nëse e kënaq tregon që nuk njeh realitetin shqiptar. Mesa duket është një popull në dëshpërim që predispozon t’i marrë premtimet për të vërteta. 

Ju thatë s’duhet ta kënaqë Ramën ky rezultat, çfarë duhet të bëjë Rama, të nxjerrë mësime?
Në një Shqipëri që ka mijëra probleme duhet të ketë edhe një fitore racionale. Unë jam i bindur që edhe ata që kanë fituar nuk janë të gëzuar se kanë fituar kaq thellë. Kanë një përgjegjësi të madhe tashmë. Është një përgjegjësi shumë e madhe që mund të kthehet në zhgënjim.

Si duhet të ndihet Basha, a ka edhe ai përgjegjësisë e tij?
Ai ka të drejtën të shprehet si të dojë, por nuk besoj se është surprizë të thotë ma morën kartelet e drogës. Pasi mbaroi votimi të dyja partitë shpallën fitoren. Është një situatë komplekse që ka nëvojë të analizohet. Qoftë si qytetar qoftë si ish president nuk mund të pranoj që ky vend ka një supermaci të një pushtetit dhe një dobësi të palës kundërshtare opozitare. A mund të shkojë Shqipëria me një të djathtë që nuk jep asnjë lloj shprese për një konkurrim normal për zgjedhje politike që janë shumë pranë? Nuk do të dëshiroja që Basha të jetë një lider që nuk mund të ketë aftësinë për vetëvendosje.

Ju po thoni që ai është ende nën peshën e Berishës? Këtë të djathtë me shumë probleme ende po e mban peng Berisha?
Sigurisht që Berisha ka influencë. Por ai është një nga faktorët e problemeve brenda së djathtës. Basha mund të jetë shembulli i liderit që vjen dhe ikën pa asnjë trofe, unë nuk ia uroj edhe pse kemi interesat tona partiake. Nuk është e rastësishme që menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese parlamenti shqiptar uli potencialet intelektuale aq sa ju desh të nxirrte një ligj për dekriminalizimin.


Nga fjalët tuaja kuptohet që ju ka ardhur keq për humbjen e PD dhe të djathtës në Dibër, është e vërtetë?
Nuk më vjen fare keq për individë që nuk kanë të bëjnë me ne. Më vjen keq që spektri politik shqiptar ka arritur këtu. Nëse nuk ndryshon sistemi dhe nuk garantohet vota do të shihni njerëzit më ordiner të mundshëm në parlamentin e ri. Ku janë analistët përse nuk flasin? Ata janë të paguar. 

Po thoni se e djathta ka pak shanse për të fituar në zgjedhjet e ardhshme?
Në këtë vend nuk ka të djathtë. Si mund të ketë të djathtë kur askush nuk flet për pronën? Si mund të ketë të djathtë kur ke paramendimin që të bësh koalicion me një pjesë të palës për të ardhur në pushtet. 

A keni besim se këtë situatë politike do ta ndryshojë reforma në drejtësi?
Unë kam qenë besim plotë që ka një investim të padiskutueshëm të partnerit tonë ndërkombëtar. Vetëm kjo më jep shpresë, por nëse i referohemi klasës shqiptare nuk ka më shpresë. Në bindjen time për aq sa e njoh politikën e gjeopolitikën këta janë politikanët ë të sofistikuar për keq. Këta e kanë kriminalizuar parlamentin. 

Pse presidenti Nishani po heziton të dekretojë ligjin e vettingut? Si e gjykoni ju?
Së pari e kam thënë vazhdimisht që detyrat e presidentit janë detyrat e presidentit. Për sa kohë ka opsione ai është i lirë të zgjedhë në mënyrën e tij. Në rastin e presidentit Nishani është i paragjykuar sepse është i zgjedhur me 71 vota. Presidenti aktual është politik. Sjellja e tij në këtë rast nuk më çudit por është në të drejtën e tij 3 opsionet që i ofron kushtetuta. 

Jeni penduar që jeni bërë president në një moshë të re kur mund të bënit karrierë politike brenda PD?
E nisëm emisionin me një situatë paradoksale. A mund të pendohet një njeri që ka qenë në krye të vendit duke i shërbyer popullit të tij. Unë karrierën e kam shumë të gjatë në politikë dhe unë e vazhdoj. Është tjetër gjë se këtu nuk ka kushtet e favorshme për të bërë karrierë politike. 

FRD është e përgatitur për zgjedhjet e 2017?
FRD para se të merret më të tjerët ka shumë sfida, për të rritur ndjeshëm organizimin dhe për të ndryshuar gjuhën e komunikimit në media. Deklarata shumë të kujdesshme nuk shkojnë më. Në fund komunikimi duhet të jetë i drejtpërdrejtë dhe radikal për të ndryshuar situatën aktuale.

FRD do qëndrojë jashtë dy kampeve të mëdha?
Ne kemi programin tonë. Ne do vrapojmë fort në korsinë tonë. Në fund kur çështja ka nevojë të kombinojë në interes madhor për Shqipërinë, ne sigurisht ne nuk jemi një forcë politike që nuk njeh dialogun. Por ne fillimisht do vrapojmë në korsinë tonë. Qëndrimi ynë për reformën zgjedhore është që sistemi le të jetë proporcional por me korrektim kombëtar.
 
Redaksia Online
Al.N, Xh.K/Shqiptarja.com
 

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë