TIRANË – “Rinia nuk është dekor elektoral, por pjesë e vendimarrjes. Politika shqiptare ka nevojë të rigjenerohet, ujrat duhet të lëvizin dhe uji më i pastër jeni ju dhe jo ata që kërkojnë t’u japë Zoti jetë, për të qëndruar në pushtet”. Këtij fakti i ka mëshuar sot Bamir Topi, kryetari i Frymës së Re Demokratike në qytetin e Pogradecit.

Të ftuar në një takim bashkëpunimi, ishin përfaqësues të shoqatave te ndryshme rinore si dhe pjestarë aktive të rinisë së FRD-së. Synimet dhe projektet kushtuar rinisë i paraqiti Sonila Xhaferllari dhe Rigels Xhemollari, të cilët theksuan se FRD beson tek një rini aktive në vendimmarrjen politike dhe mirëqeverisjen e vendit.

Mes drejtuesve te FRD-së i pranishëm ishte dhe kryetari, Bamir Topi i cili ju tha të rinjve se janë vetë ata që kanë në dorë fatin e politikanëve dhe vendit të tyre dhe jo politikanët fatin e të rinjve. FRD -tha z.Topi nuk i trajton të rinjtë si dekor elektoral, por si pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Sot orientimi drejt profesioneve është totalisht jo profesional, madje ky orientim nuk krahasohet as me perceptimin që kishte Shqipëria e viteve 30 për to - tha kryetari i FRD, i cili citoi se Shqipëria është e varfër në profesione.

Duke iu referuar situatës politike në vend, z.Topi u shpreh, se sot lokaleve të Tiranës hidhen tendera koalicionesh të çastit , të cilat nuk bazohen në program, por në numra komisionerësh.

Eshtë demoralizuese për qytetarët dhe pjesmarrjen e tyre në votime fakti që diskutohet ende ruajtja e votës, theksoi kryetari i Frymës së Re. Politika shqiptare ka nevojë të rigjenerohet, ujrat duhet të lëvizin dhe uji më i pastër jeni ju dhe jo ata që kërkojnë t’u japë Zoti jetë, për të qëndruar në pushtet. FRD premton që hapësirat për të rinjtë të jenë natyrale dhe të ndershme dhe të injektojnë kudo frymën e re”, - përfundoi z.Topi në fjalën e tij.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)