Deputetja socialiste Ilir Luarasi tha se Qeveria duhet ‘ta lexojë’ protestën që po zhvillohet prej më shumë se 3 muajsh në Tiranë dhe ta përdorë si pasqyrë për të parë problemet e saj.
Komentet Luarasi i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku tha se ‘Prania Besnike’ është hapi i parë që tregon se Qeveria dhe PS po afrohet më shumë me qytetarët.
“Unë jam nga të paktat deputete të PS që kam thënë që Qeveria duhet ta lexojë protestën, duhet ta përdorë si pasqyrën ku ajo shikohet për të parë problemet e saj. Kam qenë aq e artikuluar në këtë pjesë, edhe realisht këtë gjë unë e besoj dhe tani ne e shohim edhe të formësuar. Dhe gjithë baza e pranisë besnike që tani po ndodh dhe që po i çon deputetët pranë njerëzve, patjetër që mendoj që është hapi i parë që e tregon këtë”, tha mes të tjerash Luarasi.
Më tej Luarasi pranoi se ka pasur gabime në qeverisjen e Partisë Socialiste, por ajo shtoi se besonte se kjo forcë politike do të bënte të mundur integrimin e vendit në BE, turizmin elitar dhe në tërësi zhvillimin ekonomik të vendit.
Lidhur me situatën që i ndodhi me protestuesit, të cilët e përndoqën brenda një qendre tregtare, Luarasi tha se nga deputetët e opozitës kishte marrë vetëm një mesazh për ngjarjen.
“Unë atë them, që e kuptoj edhe zemërimin e njerëzve. Ka gabime në qeverisje, unë nuk them se s’ka dhe nëse do të numëroj unë disa prej tyre. Për hir të së vërtetës unë kam marrë vetëm një mesazh nga një kolege e opozitës, por kam marrë mesazhe pa fund nga njerëz që nuk ndajnë të njëjtat bindje me mua dhe që debatojmë ashpër kur vjen puna për politikën. Mbi të gjitha ne jemi njerëz. Mbizotëron njerëzillëku. Unë as armikun tim më të keq nuk do doja ta shihja në atë pozitë që isha unë atë ditë”, përfundoi Luarasi.
Lajmi kryesor:
U përndoq nga protestuesit, Luarasi për Report Tv: Dorëzoj mandatin nëse kam bërë denoncim në Polici! Dhuna dhe intimidimi nuk janë zgjidhje, na kthejnë te vetëgjyqësia (VIDEO)






