Përsa i përket mundësisë së një koalicioni mes LZHK e Fryma e Re Demokratike, që drejtohet nga Gazmend Oketa por që gjithnjë cilësohet si partia e Topit, ai ka deklaruar se gjithçka do shihet në zhvillim e sipër, duke preferuar të presë.
Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi nënvizoi se Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet vetëm me konsensusin e palëve politike dhe përjashton në mënyrë kategorikë mundësinë e zgjedhjes së një presidenti nga një palë dhe që të jetë produkt i shumicës së thjeshtë prej 71 votash.
Zoti Shehi, kur po afrohet sfida presidenciale, palët janë mbërthyer në debatin për presidentin konsensual. Qëndrimi juaj?
Unë qëndroj në mënyrë të palëkundur në mendimin tim që presidenti i Republikës duhet të zgjidhet sipas frymës së konsensusit politik. Mendoj që palët politike, ato të cilat kanë numrat e nevojshëm në Kuvend për të bërë votimin e kreut të shtetit, pra dy partitë e mëdha duhet me patjetër të bien dakort për zgjedhjen e një Presidenti me konsensus, që të përfaqësojë realisht unitetin e popullit dhe të jetë garant i Kushtetutës së Shqipërisë.
Pra ju jeni kategorik në qëndrimin tuaj për zgjedhjen e kreut të shtetit vetëm me votat e një partie apo koalicioni politik?
Jam kategorikisht kundër kësaj mënyrë zgjedhjeje, sepse që në formulimin e kësaj fraze kuptohet se kryetari i shtetit i zgjedhur në këtë mënyrë nuk do të jetë mbi palët, nuk do të jetë përfaqësues i unitetit të popullit, por i një partie apo i një koalicioni të ngushtë politik nga do të vijë dhe do të shërbejë pikërisht në këto korniza sipas të cilave është zgjedhur. Prandaj unë mendoj që një president i zgjedhur konkretisht me shumicën e thjeshtë prej 71 votash nuk mund të jetë simbol uniteti. Duhet me patjetër një president konsensual, me integritet dhe me një dakortësi të të gjitha palëve. Dhe këtë e kërkojnë dhe ndërkombëtarët, të cilët i kanë mëshuar kësaj mënyre zgjedhjeje.
Në vitin 2002, Nano dhe Berisha arritën konsensusin për zgjedhjen jo vetëm të Presidentit por dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Mendoni se pjesë e axhendës konsensuale të zgjedhjes së Presidentit duhet t'i bashkangjitet dhe ajo e zgjedhjes së kryeprokurorit?
Absolutisht jo. Presidenti i Republikës si simbol i unitetit të popullit dhe garant i Kushtetutës mund të zgjidhet nga konsensusi i partive politike, ndërsa institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm është tërësisht ndryshe. Nëse Kryeprokurori do të zgjidhej me konsensusin e partive politike, atëherë ai do të ishte i paragjykuar që në ditën e parë të punës, duke qënë gjithnjës nën presionin e politikës dhe në shërbim të saj, pa mundur të dalë nga qerthulli në të cilin e fusin partitë. Ndaj nuk jam dakord që të zgjidhet në këtë mënyrë kreu i akuzës.
Por në vitin 2002 u bë një gjë e tillë...?
Këmbëngul. Nëse Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet në këtë mënyrë atëherë mund të them se politika e ka ngjyer me ngjyrën e anësisë politike sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe hallkën më të rëndësishme të saj, Prokurorinë në veçanti. Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të bëhet pjesë e pazarit politik të partive politike, pasi përfundimisht sistemi i drejtësisë do të merrte fund. Mendoj se sistemi i drejtësisë të paktën formalisht duhet t'i jetë i pavarur nga politika. E ritheksoj se drejtësia duhet të jetë me patjetër e pavarur. Unë jam kategorikisht kundër futjes së emrit të Prokurorit të Përgjithshëm në pazarin e forcave politike.
Ju mendoni se një Prokuror i Përgjithshëm i zgjedhur me konsensusin e forcave politike nuk do të ishtë në lartësinë e detyrës që kërkon organi i akuzës...?
Unë mendoj se do të ishte që në fillim i paragjykuar, e ritheksoj, dhe nuk do t'i shërbente reformimit të sistemit të drejtësisë që është dhe një nga kërkesat e Bashkimit Evropian. Nuk mund të imagjinohet që në një vend të BE Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet si rezultat i konsensusit mes partive politike. Ai zgjidhet sipas ligjit, Kushtetutës dhe kryen detyrën jo në funksion të palëve që e kanë zgjedhur, por të ligjit dhe vetëm të ligjit. Zgjedhja e kreut të akuzës si rezultat i pazarit politik, do të bënte që kryeprokurori t'i kishte duart e lidhura për të luftuar krimin, korrupsionin. Pasi dihet që politika dhe qeveria është më e ekspozuar të preket nga korrupsioni. Dhe me një Kryeprokuror me duar të lidhura, i varur që në zgjedhje nga politika, pra pa filluar ende nga detyra, vendi do të gjendej me një drejtësi të mangët, të ekspozuar ndaj sulmeve të saj.
Eshtë krijuar partia e re, Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga Gazmend Oketa, por që cilësohet si partia e Topit. Mendoni se mund të bëjë ndonjë surprizë një parti e tillë?
Kjo parti ka më pak se një javë që është themeluar dhe kuptohet që duhet një ballafaqim elektoral për të parë nëse mund të ketë mbështetje ose jo. Gjatë gjithë këtyre viteve shumë parti janë shpallur me bujë, por kanë qënë ballafaqimet elektorale në zgjedhjet parlamentare ose vendore ato që kanë nxjerrë në pah peshën e vërtetë politike për secilën prej tyre. Unë mendoj se ajo realisht është një parti e qendrës së djathtë.
Në Partinë Demokratike të gjitha deklaratat konvergojnë në idenë se partia e re nuk merr vota nga PD. Ju si e mendoni?
Kjo parti e re është deklaruar si një parti e qendrës së djathtë. Unë jam i bindur se ajo do të marrë patjetër elektorat nga Partia Demokratike. Se sa vota do të marrë, do të marrë 1 përqind apo 6 për qind, kjo mbetet për t'u verifikuar në zgjedhjet më të para politike, dhe meqënëse ato janë vitin e ardhshëm, aty do verifikohet se sa vota merr nga PD partia e re e krijuar në më pak se një javë më parë. Por që merr vota nga PD, kjo është më se e sigurtë, pasi nga ajo parti ka dalë ajo dhe aty ka mbështetje.
Duke qënë se FRD është deklaruar një parti e qendrës së djathtë, nëse bëhet ftesë për të bërë koalicion me LZHK që drejtoni ju, do ta pranonit një ftesë të tillë?
Kjo parti sapo është krijuar. Do të shoh në vijimësi programin e saj, sjelljen politike dhe afrinë me programin e LZHK për të vendosur pastaj nëse janë kushtet për krijimin e një alencae të tillë. Unë do të pres për të parë në vijimësi. Unë kam qënë opozitar gjithnjë, por asnjë prej atyre njerëzve që e drejtojnë atë parti nuk i kam pasur në krah. Por ajo që mund të ripërsëris është të shohim, një javë jetë ka kjo parti.
Intervista u botua sot në gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)