TIRANË – FRD-ja e kryesuar nga Bamir Topi nuk do të bëjë asnjë koalicion me partitë e vjetra dhe synon të krijojë polin e tretë. Në këto zgjedhje, FRD-ja do të testohet për herë të parë.

Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, mbajti sot një konferencë jo përballë gazetarëve, por studentëve të një universiteti në Tiranë. Ai tha se vendit tonë i shkon modeli pluralist në mënyrë që asnjë pushtetar të mos shndërrohet në monark dhe se Shqipëria ka nevojë për polin e tretë apo të qëndrës. Një bipolarizëm si ky aktual me dy elemente vertebralë pa disk në mes ,po i shkaktojnë dhimbje të tmerrshme shqiptarëve dhe është e domosdoshme prania e një amortizatori në politikën shqiptare theksoi kryetari i FRD-së.

Z.Topi theksoi se politika shqiptare i ngjan një terreni sizmik me lëkundje të forta, me të cilat shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur. Duke iu referuar bipolarizmit dhe ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit ai tha se ky bipolarizëm ishte për interesa të çastit dhe denatyroi të gjitha institucionet. Sot votohet me 71 vota dhe mjafton të marrësh pushtetin politik qoftë edhe me zgjedhje të kontestuara e atëherë institucionet precipitojnë në duart e një individi.
Kryetari i FRD akuzoi të gjitha qeveritë e tranzicionit shqiptar që kush më shumë e kush më pak, kanë prekur zgjedhjet dhe madje kanë denatyruar edhe votën e presidentit.

Ky individ tha z.Topi kërkon të çimentojë kohën në 2009 apo në 1968, por gjërat kanë ndryshuar dhe qytetarët do të vendosin në 23 qershor për këtë. Duke kujtuar ditën e tragjedisë së Gërdecit z.Topi akuzoi kryetarin e opozitës për gjestin e hedhjes së dorës në qafë sikur e ngushëlloi për keqqeverisjen dhe sikur ata të vdekur të mos ishin njerëz.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)