Toponimet, Avokati i Popullit:
Duam përgjigje urgjente nga MJ

Toponimet, Avokati i Popullit:<br />Duam përgjigje urgjente nga MJ
TIRANË - Avokati i Popullit ka dalë sot nëpërmjet zëdhënëses së këtij institucioni, Elona Demollari me një deklaratë lidhur me problematikën e toponimeve të emigrantëve shqiptarë në shtetin fqinj, Greqi.  
 
Avokati i Popullit ka marrë një sërë ankesash nga qytetarë shqiptarë lidhur me çështjen e pasqyrimit të toponimeve greke në dokumentet zyrtare të shtetasve shqiptarë dhe bazuar në to ka nisur procedurën e hetimit administrativ.

Avokati i Popullit e vlerëson një problem të rëndësishëm çështjen e mësipërme, pasi është një problem që prek një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë, veçanërisht fëmijët e shtetasve shqiptarë të larguar pas viteve 90, që kanë lindur dhe që jetojnë në shtetin Grek.

Kjo çështje është ngritur dhe diskutuar si një shqetësim i përbashkët edhe në vizitën që Avokati i Popullit pati në Greqi gjatë këtij muaji me homologen e tij, Ombudsmanen e Greqisë znj. Caliope Spanou.

Duke analizuar gjerësisht tërësinë e të drejtave që cënon gjendja e krijuar për shkak të pasqyrimit të toponimeve në dokumentet zyrtare të shtetasve shqiptar, të dyja institucionet u bënë thirrje institucioneve kompetente të shteteve respektive për të gjetur sa më shpejt të jetë e mundur zgjidhjen më të përshtatshme, dhe duke theksuar veçanërisht mbrojtjen e interesave legjitim të fëmijëve në këtë rast.

Ndjekja konkrete e çështjes nga ana e Avokatit të Popullit ka vazhduar me kërkimin e shpjegimeve nga ana e autoritetit kompetent në vendin tonë, Ministria e Punëve të Jashtme.

Megjithatë, edhe pse janë dërguar 3 shkresa të përsëritura për këtë qëllim, nga ana e këtij institucioni, Avokati i Popullit konstaton se është shfaqur mungesë angazhimi dhe transparence për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Për të vijuar me sukses procedurën e hetimit administrativ dhe për nevojën e qytetarëve shqiptarë të prekur, ose jo nga ky problem, për transparencë Avokati i Popullit i kërkon publikisht Ministrisë së Punëve të Jashtme që në një kohë sa më të shpejtë tu ktheje përgjigje pyetjeve si vijon:

1. Cilat janë shkaqet ligjore që kanë çuar në lindjen dhe bartjen e këtyre problematikave? 

2. Cilat janë masat dhe procedurat që po ndiqen aktualisht nga autoritetet shqiptare për shmangien e pengesave në lëvizjen e shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek për shkak të problematikës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat shqiptare? 

3. Cilat janë hapat konkrete të ndërmarrë për standartizimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit të shtetasve shqiptarë, bazuar edhe në Udhërrëfyesit e Toponimeve të Grupit te eksperteve të Kombeve të Bashkuara UNGEGN (United Nations Group of Experts on Geographical Names)? 

4. A është ngritur tashmë autoriteti shqiptar për standartizimin e përdorimit të emrave gjeografik në dokumentet zyrtare? 

5. Cila është fatura financiare e parashikuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit? 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Kamala Harris: Kam ndryshuar pikëpamjet, por jo parimet

Kamala Harris: Kam ndryshuar pikëpamjet, por jo parimet