A ka përpjekje ruse për të minuar demokracinë në Shqipëri? Rama: Shqiptarët besnikë të perëndimit, Rusia s'mund të gjejë spiunë

 

Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024 në Pragë. Në bisedën e zgjedhur nga moderatori Steve Clemons, “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”, Rama u pyet nëse ka patur përpjekje të Rusisë për të minuar qeverinë dhe demokracinë në Shqipëri.

Sipas kreut të qeverisë, shqiptarët dhe Shqipëria njihen për besnikëri, dhe do të vijojnë të jenë pro-europianë dhe perëndimorë edhe kur BE dhe SHBA të mos jenë më.

Më lini t’ju pyes shumë shpejtë, a ka bërë ndonjë përpjekje Rusia për t’ju minuar ju dhe qeverinë tuaj kohët e fundit? 

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, për shkak të historisë sonë, ne kemi qenë “Korea e Veriut” e Europës. Ky qytet Praga për ne ka qenë po aq i paarritshëm sa Uashingtoni dhe Parisi kur ishim nën regjimin komunist sepse regjimi ynë i konsideronte qoftë perëndimin dhe lindjen, qoftë imperializmin amerikan e social imperializmin sovjetik si anë të së njëjtës medalje. Kjo ka qenë historia jonë. Dhe kur rusët vendosën që ta hiqnin qafe Stalinin, ne vendosëm që t’i rrinim besnik Stalinit.

E thashë dhe më parë. Ne e çojmë deri në fund. Kështu që edhe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Europian nuk do të jenë, ne do të jemi po prapë aty, me ju, ashtu si ushtari japonez që ishte në pyll dhe nuk e dinte që lufta kishte marrë fund. Duke qëndruar te Stalini, duke qenë vend stalinist deri në vitet 90, na bënte vendin më pak interesant për Rusinë në rajon. Merrni parasysh këtë që, që nga ‘90 deri më sot s’ka pasur një vizitë në Moskë të nivelit të lartë dhe as vizitë nga Moska dhe askënd se ka marrë malli për këtë. Ne nuk duam asnjë gjë të keqe për Rusinë. Rusia është një vend i madh, është një kulturë fantastike, nuk e kam kuptuar asnjëherë meqë ra fjala që si është e mundur që për shkak të agresionit në Ukrainë Dostojevksi ndalohet në disa prej universiteteve apo Stravinsky të ishte non grata në disa trupa baleti. Kjo është pjesë e asaj pozite të keqe në të cilën jemi në një pjesë të botës tone, por sa i përket Rusisë nuk jemi të interesuar, nuk ka oreks aty. Kështu që, Rusia nuk mund të gjejë shumë as spiunë apo njerëz, të cilët janë të gatshëm t’i shërbejnë Rusisë për pak para.

Kështu që, Rusia, përzierja e saj në politikën tonë, kemi pasur disa gjëra, por asgjë të madhe. Aty ku Rusia është e pranishme dhe është shumë influente dhe që mund të jetë vërtete një problem është në pjesë të tjera të Ballkanit dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë që Serbia dhe Kosova të dalin nga konflikti, ndaj na duhet që ta mbajmë Serbinë në anën tonë sa më shumë të jetë e mundur dhe kjo është arsyeja, siç e përmendët ju në një nga pyetjet tuaja, që është e rëndësishme që sa më shumë ta lidhim integrimin europian me integrimin në NATO dhe sa më shumë NATO të jetë e pranishme në sa më shumë vende në Ballkanin Perëndimor, do të ishte shumë më mirë. Unë kam qenë nga të parët që kam promovuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në atë kohë shumë vende thoshin: jo, se ka ndikim rus dhe në fakt rezultoi që të ishte mjaft dobiprurëse. Tashmë kemi Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi në NATO, çka është mjaft më mirë sesa po të kishim vetëm Shqipërinë në Ballkanin Perëndimor. Nëqoftëse kemi pastaj dhe Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë në NATO, kjo do të bëjë një dallim shumë të madh. 


Lajmi kryesor:

Rama në Pragë: Shqipëria vlerë për BE-në! Putin përpjekje për të minuar demokracinë? Te ne nuk gjen spiunë, shqiptarët besnikë të perëndimit


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Hyri me forcë në ambientet e një banke, jepet masa detyrim paraqitje për 38-vjeçarin

Korçë/ Hyri me forcë në ambientet e një banke, jepet masa detyrim paraqitje për 38-vjeçarin