SHBA- Publikimi i raportit të CIA-s mbi torturat gjatë marrjes në pyetje të terroristëve në Amerikë, ka ngritur diskutime mbi çështje të mëdha si dhe ka përfshirë mjaft shtete ndërkombëtare. Rasti më i fundit është ai i dyshimit për një bashkëpunim mes Anglisë dhe Amerikës, të ‘censuruar’ nga Raporti me kërkesë nga Agjencia Britanike e Inteligjencës.
 
Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i cili pranoi se Mbretëria e Bashkuar u ka kërkuar Amerikanëve të mos përfshijë disa informacione në raport, duke shtuar se kërkesa nuk ka qenë për fshehjen e përfshirjes së Britanisë në këto tortura.

Zyrtarë nga Qeveria Britanike fillimisht nuk e pranuan këtë fakt, por me pas komentuan se çfarëdo kërkese është bërë, ka qenë e arsyetuar për “sigurinë kombëtare”.
Raporti i plotë mbetet ende një dokument i klasifikuar, pasi është publikuar vetëm një përmbledhje prej 525 faqesh nga dokumenti prej 6 mijë faqesh, ku tregohen metodat e përdorura gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm pas sulme të 11 shtatorit.
 
Raporti është përgatitur nga Demokratët në Senatin e Komitetit të Inteligjencës dhe drejtuesja këtij senati Dianne Feinstein është shprehur se metodat e CIA-s klasifikohen si tortura me mbytje në ujë, rrahje, pozicione stresuese si dhe privim nga gjumi.
 
Britani e ka të ndaluar përdorimin e torturave gjatë marrjes në tortura, në mbrojtje të konventës për të drejtat e njeriut ndaj kjo çështje po hetohet dhe nga një komunitet brenda parlamentit për të provuar përfshirjen ose jo në këtë skandal ndërkombëtar.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)