Menjëherë pas votimit për Avokatin e Popullit, ka pasur reagime pozitive edhe nga kreu i OSBE në Tiranë. Kreu i OSBE, Wollfarth ka përshëndetur zgjedhjen e Totozanit dhe ka vlerësuar pozitivisht kompromisin e arritur nga dy forcat politike.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Ky është një hap madhor përpara në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të keni tashmë mbështetje më të fortë në përballjen me veprimet e parregullta të administratës zgjedhore”, tha Wollfarth, i cili ka bërë thirrje për plotësimin e vendit bosh të Avokatit të Popullit, që prej fillimit të punës së tij në Shqipëri, në vitin 2010.
“Është për t’u përgëzuar që shumica qeverisëse dhe opozita arritën një kompromis për këtë emërim të rëndësishëm”, shtoi ai. “Votim konsensual i sotëm tregon se si dialogu mes dy blloqeve kryesore politike mund të japë rezultate në dobi të popullit të Shqipërisë”.
Wollfarth theksoi se Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për të vijuar mbështetjen për Zyrën e Avokatit të Popullit.
Përgëzime, mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit kanë ardhur edhe nga komisioneri i BE në Tiranë, Stefan Fyle.
"Jam veçanërisht i gëzuar që Kuvendi i Shqipërisë vendosi sot të emërojë z. Igli Totozani si Avokatin e ri të Popullit.
Dëshiroj të përgëzoj Kuvendin e Shqipërisë dhe forcat politike për këtë rezultat të rëndësishëm dhe për procesin transparent dhe të hapur i cili solli në këtë emërim. Plotësimi i këtij pozicioni do të ndihmojë në forcimin e një institucioni kyç të pavarur, i cili luan një rol themelor në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Dëshiroj të theksoj se mënyra si u finalizua ky emërim përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës.
Përshëndes këtë zhvillim i cili shtron rrugën për përmbushjen e njërit prej 12 prioriteteve kyç të identifikuar nga Komisioni Evropian në Opinionin për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kjo është një tjetër shenjë e impulsit të ri që Shqipëria po fiton në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Shpresoj që në vitin 2012 të ketë të tjera zhvillime pozitive lidhur me fushat e tjera prioritare.
I uroj Avokatit të ri të Popullit suksese në përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme" u shpreh Fyle.
Urimeve iu bashkua edhe ambasadori i BE, Ettore Sequi.
"Dëshiroj të përgëzoj ngrohtësisht Kuvendin e Shqipërisë dhe forcat politike për emërimin me sukses sot të Avokatit të ri të Popullit në një mënyrë transparente dhe të hapur.
Kjo gjë shënon përfundimin e një procesi të rëndësishëm me plotësimin e një funksioni shtetëror i cili zë një vend qendror në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Vlerësoj gatishmërinë e qeverisë për të votuar kandidatin e propozuar nga opozita.
E përshëndes këtë emërim, si pjesë të prioriteve kyçe të Opinionit për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mënyra më të cilën u arrit është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të cilësisë së re të dialogut mes forcave politike shqiptare.
Duke iu bashkuar urimeve të shprehura pak më parë nga Komisioneri Fyle, dua gjithashtu t'i uroj sinqerisht Avokatit të ri të Popullit, z. Totozani, sukses në misionin e tij të ri e të rëndësishëm" tha Sequi.
Para mbylljes së seancës parlamentare Igli Totozani ka kryer dhe betimin për pozicionin e tij të ri. Ndërkohë, edhe Bujar Leskaj ka kryer betimin para kushtetutës për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).