Avokati i Popullit Igli Totozani, në një intervistë për “Shqiptarja.com” ka sqaruar rekomandimin që institucioni që ai drejton I ka nisur MASH-it për të përfshirë në lëndët shkollore edhe informimin për komunitetin gay, lesbikë dhe transgjinorë. “Edukimi nëpërmjet formimit do të mund të ndryshojë me kohën ose dhe do të zhdukë paragjykimet që ekzistojnë ndaj kësaj pakice”-thotë avokati Totozani.
Avokat, ju i keni rekomanduar MASH-it përfshirjen në kurrikulat shkollore njohuritë për “LGBT”, çfarë mendoni ju se mund të ndryshojë kjo gjë?
Ndikimi i edukimit në transformimin pozitiv të shoqërisë është shumë i madh. Ajo që është e rëndësishme është se edukimi nëpërmjet formimit do të mund të ndryshojë me kohën ose dhe do të zhdukë paragjykimet që ekzistojnë ndaj kësaj pakice. Në këtë kuadër është e rëndësishme ajo që thotë Thomas Hammarberg, ish-komisioner i të drejtave të njeriut në Këshillim e Europës se: “Duhen marrë masa për të eliminuar sjelljet diskriminuese që bazohen në idenë që ky, apo ai orientim seksual, apo identitet gjinor është superior, apo inferior ndaj tjetrit”.
Aktualisht nëpër shkolla ka ankesa se mësuesit nuk zhvillojnë lëndën e edukatës seksuale apo të biologjisë ku flitet për organet riprodhuese, pasi kanë “turp”, çfarë ju shtyn të mendoni se ata do të jenë më të lirshëm të flasin për homoseksualizmin?
Bëhet fjalë më tepër për edukim qytetar, se sa për edukim seksual
Nuk mendoni se është ende herët që çështje të tilla të përfshihen në tekstet tona shkollore, kur vetëm dy vjet më parë pati akuza kundrejt teksteve se i orientojnë fëmijët drejt sjelljeve homoseksuale dhe jo të natyrshme (Siç ishte rasti i librit të edukatës ku u përfol zgjedhja e autorëve që djali i shtëpisë luante me kukulla)
Nuk mund të them as që është herët, as që është vonë. Mund të them që është koha që të bisedohet dhe të debatohet për këtë çështje.
A aplikohet kjo gjë në vende të tjera të rajonit apo të BE-së dhe si është e realizuar kjo gjë?
Bëhet fjalë për disa parime, të cilat prej kohësh ekzistojnë në dokumente zyrtare dhe ndërkombëtare. Mund të përmenden këtu parimet e “Jogja Karta”, një udhërrëfyes mjaft aktual politikash publike për të drejtat e njeriut. Por dhe një legjislacion i pasur ndërkombëtar e kombëtar për këtë fushë.
Për cilat nivele shkollimi e keni fjalën për përfshirjen e këtyre njohurive? Arsimi i detyruar, gjimnaz apo universitar?
Ajo që ne kemi kërkuar është: Përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT, me qëllim arsimimin në një mjedis të sigurt pa dhunë, fyerje, përjashtim social apo trajtim ç’njerëzor lidhur me orientimin seksual ose me identitetin gjinor dhe trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi, duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore për shkak të përkatësisë së tyre seksuale.
(sg/shqiptarja.com)