TIRANË - Avokati i Popullit Igli Totozani ka deklaruar sot se institucioni që ai drejton i ka dyert hapur për cilindo punonjës të shtetit që mendon se është hequr padrejtësisht nga puna, qofshin të administratës apo efektivë të policisë së shtetit.
 
"Ne kërkojmë që administrata të mos preket dhe të mos ndikohet nga ndryshimet që vijnë si rezultat i zgjedhjeve në Shqipëri," - tha Totozani sot gjatë konferencës për shtyp me Komisionerin e të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Europës.
 
"Emërimet dhe shkarkimet duhet të bëhen vetëm me formën që njeh ligji," - theksoi ai. - "Çdo gjë ndryshe është objekt i punës sonë dhe jemi derë e hapur për të mbrojtur çdo qytetar që mendon se lirimi i tij nga puna nuk është në përputhje me legjislacionin.
 
Ne po i ndjekim me vëmendje pushimet e policëve, por ende nuk kemi një informacion zyrtar për këtë. Këto janë reforma që i takojnë qeverisë. Qeveria ka prioritetet e saj, vendos punët e saj. Por natyrisht ne jemi këtu për të pritur çfarëdo rasti qytetari, në pozicionin e policit rrugor apo jo; nëse ai gjykon se është hequr nga puna jo ne përputhje me parashikimet ligjore, ai do ta gjejë të hapur deren e Avokatit të Popullit dhe mbrojtjen tonë. Deri tani nuk kemi marre asnjë ankese konkrete."

Totozani theksoi se viti i kaluar ka qënë një vit rekord përsa i përket ankesave,  5200 ankesa, por  35 % e tyre ishin jashtë juridiksionit, jashtë kompetencës ose të pabazuara.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)