Totozani në letrën publike drejtuar Nishanit nënvizon shqetësimin e paraqitur prej disa kohësh nga 5 prej bashkëshorteve të efektivëve të rënë në krye të detyrës.
Ato ankohen për mos përfitim të të drejtave ligjore të garantuara nga aktet normative në fuqi, si dhe udhëzimet e kryeministrit “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetëm në krye apo për shkak të detyrës.
FAMILJARËT: S’NA JAPIN KREDI DHE AS PENSION MUJOR
Sipas Avokatit të Popullit:
1. Shtetasja L. A, me banim në Kurbin, bashkëshorte e punonjësit të policisë F. A, ish efektiv i Komisariatit të Policisë Kurbin, i cili është vrarë në krye të detyrës në datën 01.05.1999.
Ankuesja pretendon se nuk ka përfituar të drejtat ligjore si:
a) Shpenzimet e varrimit të bashkëshortit;
b) Shtesën e pensionit familjar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.10289, datë 17.06.2010;
c) Kredinë për banesë, e cila nuk është miratuar akoma.
Përveç sa më sipër, ankuesja ngre edhe një shqetësim tjetër që ka të bëj me një nga kriteret për përfitimin e kredisë për banesë. Sipas saj, banka nuk të jep kredinë e miratuar nëse përfituesi nuk është i punësuar. Ajo megjithëse ka kërkuar që të punësohet në strukturat pushtetit vendor dhe në shoqëritë private nuk ka mundur që të gjej punë. Në këto kushte, duke qënë e pa punë, ankuesja nuk mund të marrë kredi për banesë sepse nuk ia jep banka, ndonëse ligji nr.10289, datë 17.06.2010 nuk e kushtëzon dhënien e kredisë me faktin e qënies në punë.
2. Shetasja L. Gj, me banim në Mamurras, bashkëshorte e punonjësit të policisë M. Gj, ish efektiv i Postës së Policisë Mamurras, i cili është vrarë në krye të detyrës në datën 17.08.1999.
Ankuesja pretendon se nuk ka përfituar marrjen e kredisë për banesë. Sipas saj, kredia për banesë është miratuar në shumën prej 1 200 000 lekë, por ajo ngre dy shqetësime:
a) Banka nuk ia jep kredine për faktin se ajo nuk plotëson një nga kriteret e vendosura prej saj (bankës) për përfitimin e kredisë, atë të qënies në punë. Megjithëse ajo ka kërkuar punë në organet e shtetërore dhe shoqëritë private, por nuk ka mundur që të punësohet sepse nuk e marrin në punë.
b) Shuma e kredisë prej 1 200 000 lekë është e pamjaftueshme për të blerë banesë, sepse një banesë 1+1 në qytetin e Mamurrasit shitet minimalisht 3 000 000 lekë.
3. Shtetasja Gj N, me banim në Lezhë, bashkëshorte e punonjësit të policisë M N, ish efektiv i Komisariatit të Policisë Lezhë, i cili është vrarë në datën 12.07.2001.
Ankuesja pretendon se nuk ka përfituar marrjen e kredisë për banesë. Sipas saj, kredia për banesë është miratuar në shumën prej 3 200 000 lekë, por ajo ngre dy shqetësime:
a) Nga punonjësit e BKT Lezhë i është thënë se nga shuma e kredisë së miratuar prej 3 200 000 lekë do t’i japin vetëm 2 560 000 lekë, sepse pjesën tjetër do ta mbaj banka për garanci.
b) Gjithashtu ajo pretendon se me shumën prej 2 560 000 lekë që do t’i japë banka në qytetin e Lezhës nuk mund të blej banesë. Ajo ka tre femijë dhe i takon që të marrë kredi për të blerë një banesë 2+1, por në këtë qytet çmimi i shitjes së 1 m2 banesë është 550-600 Euro dhe një banesë 2-1 shitet minimalisht rreth 6 000 000 lekë.
4. Shtetasja Gj F, me banim në Lezhë, bashkëshorte e punonjësit të policisë Gj F, ish efektiv i Komisariatit të Policisë Lezhë, i cili është vrarë në datën 04.10.1998.
Ankuesja pretendon se pas shumë mundimesh dhe në rrugë gjyqësore me vendimin nr.211, datë 14.07.2011 të Gjykatës së Apelit Shkodër, ka fituar të drejtën për t’i lidhur asaj pension suplementar familjar për të ndjerin Gjovalin Frroku si punonjës policie i vrarë në krye të detyrës. Por ajo nuk e ka marrë kredinë për banesë. Sipas saj, kredia për banesë është miratuar në shumën prej
3 200 000 lekë, por ajo ngre dy shqetësime:
a) Nga punonjësit e BKT Lezhë i është thënë se nga shuma e kredisë së miratuar prej 3 200 000 lekë do t’i japin vetëm 2 560 000 lekë, sepse pjesën tjetër do ta mbaj banka për garanci.
b) Sipas saj, me shumën prej 2 560 000 lekë në qytetin e Lezhës nuk mund të blej banesë. Ajo ka tre fëmijë dhe i takon që të marrë kredi për të blerë një banesë 2+1, por në këtë qytet 1 m2 banesë shitet 550-600 Euro dhe një banesë 2+1 shitet minimalisht 6 000 000 lekë.
Gjithashtu ajo pretendon se nuk ka përfituar edhe ndihmën e menjëhershme për vrasjen e bashkëshortit në shumën prej 300 000 lekë për çdo person në ngarkim të tij.
Totozani gjithashtu ka përcjellë edhe ankesën e shtetases D N banuese në Shkodër bashkëshorte e ish punonjësit të policisë K. N, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës në datën 29.08.2010, në Reç të Malësisë së Madhe.
Ankuesja ka dy fëmijë të mitur dhe është në kushte të vështira ekonomike. Ajo pretendon se pas vrasjes së bashkëshortit të saj, nga autoritetet e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit i është premtuar dhënia e një banesë, si dhe shpërblimi në shumën prej 5.500.000 lekë. Sipas saj, deri tani i është dhënë vetëm një pjesë e shpërblimit në shumën prej 1.200.000 lekë, ndërsa banesa nuk i është dhënë akoma.
PËRGJIGJA E VONUAR E NISHANIT
Totozani deklaron në letrën e tij se ndonëse afati ligjor i kthimit të përgjigjeve kaloi, ministria e brendshme nuk ka patur asnjë reagim për shqetësimin e paraqitur nga familjet dhe Avokati i Popullit.
“Vonesa e kthimit të përgjigjeve ka sjellë vonesa të procesit të shqyrtimit dhe përfundimit të ankesave të shtetaseve që i janë drejtuar institucionit tonë. Për këto arsye kërkojmë të dërgoni sa më shpejtë shpjegime rreth pretendimeve të secilës ankuese të parashtruara më sipër”, e mbyll letrën e tij Totozani.
(aq/shqiptarja.com)