Shkoder - Avokati i popullit Igli Totozani ka inspektuar nga afër situatën e përmbytjeve në një nga komunat më problematike në zonën e NënShkodrës, në atë të Anës së Malit. Duke parë nga afër situatën e krijuar në fshatin Obot të izoluar prej një muaji, Totozani tha se situtata paraqitet më problematike sesa në përmbytjet e vitit 2010. Sipas tij dëmet në bujqësi janë më të mëdha këtë vit ndërsa ka evidentuar faktin se deri më tani strukturat e shtetit kanë qënë inekzistente.

"Kësaj rradhe ndoshta në një drejtim përmbytja ka qënë më e vogël në sipërfaqe ndoshta se sa e disa viteve më parë, por dëmet kanë qenë më të mëdha, sepse ka gjetur kulturat bujqësore të mbjella. Këtu ende nuk po shohim strukturat e emergjencave civile, megjithëse këto ditë në media ka qarkulluar një lajm që është vendosur gjëndja e emergjencës, por mesa kam informacion dhe mesa po shikojmë nuk kemi prezencë të tyre", tha Totozani

Për shkak të përmbytjeve, Totozani tha se situatën e përmbytjeve do ta përmbledhë në një raport, të cilin do t’ja dorëzojë organeve përkatëse për të marrë masa për dëmet e shkaktuara.

"Sa herë që ndërmarrin vizita të tilla janë të qëllimshme, kuptohet për të njohur situatën dhe për të nxitur ekspertët tanë që të ndjekin të gjitha proçedurat dhe të ndjekin të gjitha aktet e nevojshme", u shpreh Avokati i Popullit

Totozani ka biseduar me banorët e zonës të cilëve prej afro 1 muaji u duhet të përballen me uji që ka rrethuar banesat dhe ka shkatërruar bujqësinë dhe blegtorinë.

(v.gj/shqiptarja.com)