Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit burg avokaten Erida Lazimi, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se ajo ka përfituar uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe dënohet me 8 muaj burg.
Por GJKKO ka pezulluar vendimin e dënimit të saj dhe ka vendosur ndaj avokates Lazimi 16 muaj shërbim prove.
Emri i Lazimit doli në dosjen “Toyota Yaris”. Astrit Vladi dhe Erida Lazimin u akuzuan nga Prokuroria e Posaçme për ndikim të paligjshëm ndaj një gjyqtari.
Biznesmeni Astrit Vladi në shtator 2020, kur dosja e vëllait të tij Elvis Vladi ishte në seancë paraprake, i kërkoi avokates Erida Lazimi që të ndikonte te gjyqtari për çështjen e tij dhe disa të tjerëve. Lazimi dyshohet se ka pranuar të ndërmjetësojë kundrejt përfitimeve monetare të parregullta.
Çështja për dy të pandehurit u nda nga procedimi i mëparshëm penal, që përfshinte akuza për korrupsion pasiv ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, trafikim narkotikësh dhe pastrim parash.
Për dosjen Toyota Yaris janë dënuar më herët edhe ish-kreu i prokurorisë së Vlorës Aurela Zarka dhe avokati Radovan Çela.
Çështja ‘Toyota Yaris’ shkaktoi një ‘zhurmë’ të madhe në vitin 2019. Gati 3.5 milionë euro u zbuluan në Shqipëri, të fshehura në një makinë Toyota të blerë në Belgjikë. Një skandal që dyshohet se përfshinte qarqe kriminale dhe politike.
Komente








