Në kuadër të këtij operacioni janë kryer dhjetëra arrestime dhe është sekuestruar thuajse një ton drogë. Hetimet janë kryer nga anti-mafia e Firences dhe autoritetet gjyqësore holandeze.
Operacioni është kryer në Firence, Amsterdam dhe Roterdam, ka sjellë arrestimin e shtatë personave, 6 prej te cilëve shqiptarë dhe 1 polake. Ata konsiderohen si përgjegjës për trafik ndërkombëtar droge, armëmbajtje (edhe armë luftarake) pa leje dhe pastrim parash. Hetimet kishin nisur më 2015 nga Prokuroria e Firences dhe në kuadër të tyre ishte goditur një rrjet kriminal kryesisht i përbërë nga shqiptarë, e cila merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës e cila nga Amerika e Jugut mbërrinte në Itali përmes Holandës, si dhe me pastrimin e parave.
Hetimet e policisë së Firences, bënë të mundur identifikimin e dinamikave kriminale të organizatës e cila, sipas hetuesve, ka importuar kokainë nga Amerika e Jugut në Holandë, për ta tregtuar më pas në vende të ndryshme evropiane, mes të cilave edhe në Itali dhe Angli. Në kuadër të hetimeve, në maj në Bari u arrestuan eksponentë të shquar të klaneve bareze Di Cosimo dhe Parisi, të cilët kishin gjetur te organizata shqiptare një kanal të qëndrueshëm të furnizimit me drogë, e cila më pas shitej në sheshet kryesore të qyteteve të Puljas.
Puna hetimore në më pak se një vit ka sjellë arrestimin e 30 të dyshuarve, si dhe sekuestrimin e:
140 kg kokainë me vlerë mbi 4 milionë euro dhe 700 kg marijuanë si dhe 4 milionë euro cash.
8 armë zjarri dhe një granatë.
Disa vetura dhe apartamente në Holandë, si dhe një biznes tregtar.
Nga ajo që është zbuluar nga hetimet, organizata kriminale ishte në gjendje të fuste në tregun italian çdo dy javë thuajse 20 kg kokainë, e pastër 97%.
s.k/Shqiptarja.com

VIDEO











