TIRANE- Në qarkun e Shkodrës shifrat e trafikimit të qënieve njerëzorë dhe dhunës në familje janë alarmante. Vetëm nga shifrat zyrtare 90 raste janë dhunë në familje në qarkun e Shkodrës dhe 13 raste janë trafikim i qënieve njerëzore. Statistikat bëhen të ditura nga prefektura e qarkut Shkodër dhe Drejtoria e Policisë së Shkodrës, në kuadër të “Javës kundër trafikimit të qënieve njerëzore”. Gjatë gjithë këtyre ditëve janë zhvilluar një sërë aktivitetesh sensibilizuese por nga sa shihet është e vështirë që ky realitet i hidhur të përmbyset. Vetë institucionet dhe shoqata që merren me mbrojtjen dhe rehabilitimin kryesisht të grave të trafikuara dhe dhunuara pranojnë se gjëndja është e vështirë.