SHKODER- ‘40 ditë burg’ është masa e sigurisë që ka dhënë sot gjykata e Shkodrës për Kleves Mujën, kryetar i komunës Rrethina në Shkodër i kërkuar nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike. 

PROKURORI: KERKOJ 40 DITE PARABURGIM
Kjo ka qënë dhe kërkesa e prokurorit të cështjes, Ermir Lelci, gjatë seancës së zhvilluar në gjykatën e Shkodrës, séancë që u shoqëruar me praninë e forcave të shumta të policisë. 50 forca policie dhe 3 furgonë të FNSH kanë siguruar gjykatën në kohën që mbahej séanca. Prokurori pasi kërkoi si masë sigurie ‘40 ditë burg’ dhe vendimi t’i njoftohet menjëherë Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim respektimin e afateve proceduriale mbi ekstradimin e Klevis Mujës. 

AVOKATI: ARREST SHTEPIE, JO EKSTRADIMIT
Nderkaq avokati Ardjan Visha e konsideroi të paligjshëm arrestimin e klientit të tij e më pas kundërshtoi dhe kërkesën e prokurorit. Sipas avokatit Visha, konventat e zbatueshme në këtë rast nuk urdhërojnë arresin në burg dhe vendimi i palës italiane i përket vitit 2009 e duke qënë një vendim i hershëm nuk ka arsye për të vendosur burgun si masë arresti. Sipas Vishës në të paktën 8 raste të tilla, është vendosur gjithnjë arresti në shtëpi, me vendim të Gjykatës së Lartë. Ndërkaq avokati i kreut të komunës Rrethina refuzon ekstradimin e klientit të tij drejt Italisë. 

I PANDEHURI: KERKOJ MESHIRE
Vetë i pandehuri Kleves Muja ka bërë vetëm një deklaratë të shkurtër në sallën e gjyqit: “Jam dakort me avokatin tim dhe i kërkoj mëshirë gjykatës.
Pasi ka dëgjuar palët gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg për 40 ditë”. 38 vjecari, Klevis Muja, kryetar i komunës Rrethina u arrestua një ditë më parë, në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës në momentin kur ai ishte kthyer nga zyra dhe po dilte nga automjeti i tij. Ai akuzohet nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar droge.

Kleves Muja fitoi në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në vend, si kandidat i Partisë Socialiste. Përpara hyrjes së tij në politikë Muja ishte një personazh i njohur për forcat e rendit për krime të ndryshme. Vetëm pak ditë më parë ndaj tij prokuroria e qytetit verior ka nisur procedimin për një tjetër vepër penale. Muja ka goditur drejtorin e ujësjellësit të disa fshatrave të Shkodrës, Flauers Shoshin. 
(en/jd/shqiptarja.com)