DURRËS - Një person është arrestuar ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për trafik armësh dhe municionesh luftarake drejt Italisë. Policia ra në gjurmët e këtij trafiku mbrëmjen e djeshme (19 dhjetor) kur në portin e Durrësit u arrestua një 23 vjeçar i cili po tentonte të transportonte në mënyrë ilegale në Itali një sasi armësh.

Tre automatikë dhe 4 krehëra me 30 fishekë secili janë gjetur të fshehura në sedijen e pasme të makinës me targa KJ 7474 A, që drejtohej nga Selim Kaja, banues në Golem.

Armët janë gjetur në pikën e kontrollit në port nga policia kufitare. Pas arrestimit 23 vjeçari rrëfeu në polici se 2 automatikë i kishte marrë kushëririt Jak Xhepa 29 vjec lindur në Lushnjë rezident në Itali dhe një tjetër 55 vjecarit Hamdi Gjuzi nga fshati Manaskuri i Golemit.

Policia shpall në kërkim Xhepën dhe Gjuzin për akuzën e trafikut të armëve dhe municioneve luftarake.

Policia ka bërë gjithashtu bllokimin e makinës në të cilën u gjetën armët. Mësohet se i riu po udhëtonte drejt Italisë dhe makina do të imbarkohej në një traget të linjës Durrës-Bari.

(b.m/sg/shqiptarja.com)