TIRANE- Prokuroria kërkoi dënimin me 18 vjet burg për Vullnet Harizajn nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Rreth 200 kilogramë kokainë ishin shkrirë në një sasi vaji palme, i cili mbërriti në Shqipëri me një autobot që ndiqej nga Interpoli, që nga Belgjika deri në Gjirokastër. "Nga të gjitha veprimet e tij konstatohet lehtësisht se kemi të bëjmë me fshehjen e drogës në vajin e palmës e në asnjë rast për një tregti të këtij produkti.

Vaji u përdor thjesht për fshehjen e kokainës. Dhe ky fakt është i qartë po të kemi në konsideratë dhe interesimin e tij të vazhdueshëm për ngarkesën, por dhe dyshimet dhe kujdesin e tij që gjithçka të shkonte sa më mirë për të shmangur kontrollet", tha prokurori Eugen Beci. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi qëndrimin e saj përfundimtar për të pandehurin e vetëm të saj Dhimitros (Vullnet) Harizaj për rastin e trafikut më të madh të kokainës nga Kolumbia për në Shqipëri e mandej drejt Evropës, ate të 200 kilogramë kokaine e shkrirë në vaj palme. Prokurori Eugen Beci kërkoi 18 vjet heqje lirie për Harizajn për akuzën e trafikimit të narkotikëve, ndërsa shtoi se Dhimitros Harizaj nuk e ka kryer i vetëm këtë vepër penale, por ka bashkëpunëtorë të cilët nuk janë identifikuar ende. Prokurori përmendi me këtë rast përgjimet e kryera nga autoritetet spanjolle, kur një person i panjohur me theks amerikano-jugor komunikon me personin me emrin Huan Carillos, duke i thënë se e kishte gjetur një shqiptar që mund ta bentë "atë nderin", duke nënkuptuar këtu transportin e kokainës.

Prokurori shpjegoi se në funksion të hetimeve, sasia më e madhe e kokainës që vinte nga Kolumbia dhe që ishte tretur në vaj palme afrikan është bllokuar në Belgjikë, ndërsa operacioni ka vijuar me kontenierin e ngarkuar me ujë, por edhe GPS që ka treguar destinacionin përfundimtar të ngarkesës, por ka zbuluar edhe porositësin.
(sg/at/shqiptarja.com)