TIRANE - Dy ditë më parë policia njoftoi arrestimin për shpërdorim detyre dhe korrupsion të një kontrollori në Rinas të quajtur Eduart Çelmeta, por duket se dosja e tij hetimore përmban shumë "xhevahirë" që flasin për një mjedis tërësisht të korruptuar mes efektivëve të aeroportit.

Hetimet ndaj Çelmetës duket se kanë patur pikënisjen e tyre që prej muajit Gusht. Më datën 28 Gusht 2012 Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, ka administruar informacionin operativ të në të cilin informohej se shtetesja O.Tafani nga Elbasani, 32 vjeçe, është person që ka probleme me shtetin Italian dhe ishte dëbuar nga ky shtet dhe po mundohej të nisej për në Itali në mënyre që të mos diktohej nga autoritetet italiane. Informatori ka thënë se kjo shtetase kishte bërë biseda paraprake me kontrollorët në Kakavijë dhe Kapshticë që fillimisht të kalonte në shtetin grek por ata i kishin kërkuar shumën prej 500 eurosh që ta kalonin. SHKB zbuloi se më datën 28 Gusht shtetasja O.Tafani ishte takuar me shtetasin Eduart Çelmeta i cili është me detyrë kontrollor në Rinas dhe pasi O. Tafani i ka treguar problemin e saj, ky ka kontaktuar me disa kontrollorë në Rinas të cilët ishin treguar të gatshem ta kryenin punën e kërkuar nga 32-vjeçarja kundrejt shumes se 300 eurove. Një ditë më vonë më datën 29 Gusht 2012 bazuar në këtë dosje të SHKB-së, prokurori i Task Forcës në prokurorinë e Tiranës Valentin Preçi i ka dhënë dritën jeshile hetimit të shtetasit Çelmeta me metoda speciale të hetimit. Këto hetime kanë zgjatur për afro 3 muaj e gjysmë, ndërsa përgjimet telefonike dhe ambientale kanë nxjerr në pah dhe rolin e Çelmetës në të gjithë këtë histori.

TAFANI
Pasi është vënën nën hetim Eduart Çelmeta ka rezultuar se ka komunikuar me katër kontrollorë të tjerë në rinas për të zgjidhur çështjen e shtetases 32-vjeçare O.Tafani. Të gjithë këta persona pas bisedës kanë rënë dakord që O.Tafani të niset për Itali të mërkurën e datës 29 Gusht 2012 rreth orës 16:00 ndërsa kolegët e Çelmetës kanë marrë përsipër kalimin e saj në Rinas. Në lidhje me lekët rezulton se kontrollorët në Rinas nuk kanë pranuar që t`i marri kontrollori drejtpërdrejt në momentin e kalimit pasi aeroporti ka shumë kamera, por përgjimet ambientale zbuluan se palët kishin rënë dakord që lekët shtetasja O.Tafani duhet t'ia japte një personi të besuar që më përpara dhe pasi të bënte kalimin kontrollori do shkonte tek ky person për të marrë lekët. Nga mbikqyrja e fshehtë e shtetasit Eduart Çelmeta ka rezultuar se më datën 29 Gusht 2012 ai ka ndihmuar O.Tafanin për ta kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt pagesës nga ana e kësaj të fundit të shumës prej 300 eurosh, nëpërmjet një mikeshës së saj vendin e quajtiur Bar "Serano" në rrugën Myslym Shyri. Momenti i këmbimit të lekëve në këtë Bar, u dokumentua plotësisht nga hetuesit. Ndërsa kishin për qëllim që të zbulonin të gjithë rrjetin e kontrollorëve të implikuar, hetuesit vendosën mbajtjen nën përgjim të Çelmetës edhe për disa kohë.

PËRGJIMET
Një tjetër episod përgjimi interesant është zhvilluar në fillim të muajit Tetor. Rezulton se Çelmeta ishte i lidhur me shumë agjensi udhëtimi të cilat i jepnin "klientelë" kryesisht persona që kanë mbaruar lejen e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian. Më datën 10 Tetor Eduarti i telefonon një personi të quajtur Altin dhe në bisedë Eduarti i thotë atij se personi që Altini i kishte sugjeruar ta kalonte i kishte bërë mullar ditët e qëndrimit jashtë shtetit. Personi nga ana tjetër e telefonit, Altini, i thotë Çelmetës se e dinte shumë mirë se "klienti" i kishte bërë ditët mullar dhe prandaj i ishte drejtuar pikërisht Çelmetës që ta "ndihmonte". Në këtë moment përgjimet kanë sjellë një element pikant pasi Çelmeta i përgjigjet personit të quajtur Altin se për ta bërë këtë kalim në Rinas duhej që klienti të paguante shumën e 100 eurove. Por sigurisht që Çelmeta nuk ka përmendur shifër në përgjime por në fjalorin e kontrollorit 100 euroshi identifikohej me gjuhën e kartmonedhës, ngjyrën jeshile.

"Epo mirë mo vlla thuaj atij botit të ma bëj gati një jeshile ai, një jeshile do i thuash atij, një njëshe është mëse normale se pesëdhjeçe as nuk bëhet fjalë fare, ore e shikon ti si po i kthejnë nga BE-ja dhe po bëhet nami. Një njëshe do i thuash që të kalojë sot në darkë, po ma konfirmo mua se s'jam vetë sonte në turn dhe më duhet të njoftoj atë shokun tim", - ka thënë Çelmeta gjatë kësaj bisede. Një tjetër bisedë e regjistruar e Çelmetës është bërë më datën 11 Nëntor ndërmjet tij dhe një shtetase të quajtur Vjollca e cila rezultoi se ishte punonjëse në një agjensi turistike. Eduarti i telefonon Vjollcës dhe i thotë se i kishte dërguar një person që ishte "klient" i tij që kjo t'i paguante siguracionin e qëndrimit jashtë vendit duke i thënë: "Ej, zogu, të kam sjell një derr katunari nga Baldushku, problemin e tij ta kam shkruajtur pas biletës që ka me vete". Pasi mbaron punë Vjollca telefonon çelmetën dhe i thotë se çdo gjë ishte në rregull dhe porosia e tij ishte zbatuar ndërsa e informon se "katunarit" i kishte bërë dhe rezervim hoteli jashtë vendit. Më pas Çelmeta i përgjigjet asaj duke i thënë se "Para se të shkoj ke hoteli ai majmuni katunar do kaloj njëherë këtu te unë, këtu te vendi. Se duhet ta shofim një herë sa lekë ka me vete katunari". Në një tjetër bisedë me një tjetër punonjëse agjensie turistike Çelmeta rezulton se është shprehur në telefon: "Ej goce, e përcolla atë mikun tënd unë. Kishim dhe ca katunarë aty nëpër këmbë, na mbytën katunarët gjëra të vogla fare, kshu lekë katunarësh, 10 euro, maksimalja 50 euro... katunarë hesapi".


(Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)