TIRANE - Tre marinarët shqiptarë të cilët u kapën në ujërat e Jemenit me 179 ton municione, eksplozivë dhe armë, janë dënuar sot nga Gjykata Penale e Shkallës së Parë në Jemen me nga 6 vjet burg secili.

Kapiteni i anijes EOS, shqiptari Arif Bakillari, Mihal Cangonji oficer i parë, dhe kryemekaniku Nezir Shahaj morën sot dënimin me 6 vjet heqje lirie pasi u arrestuan më 18 dhjetor të vitit 2012 kur u pikasën në portin e Al-Mukalla të Jemenit, nën akuzën e trafikut të armëve.

Në bordin e anijes ishin 6 pjesëtarë , 2 grekë dhe një indian të cilët gjithashtu janë dënuar sot.

Lajmi u bë i ditur nga mediat jemenase, të cilat ishin të parat të cilat zbuluan historinë e trafikut të armëve, e cila fillimisht u paraqit mjaft e dyshimtë.

SHQIPTARJA.com solli fotot ekskluzive të momentit të ndalimit të anijes ‘EOS’ në momentin që i është afruar portit në Jemen, ku autoritetet vendase kanë kryer kontroll dhe kanë gjetur sasinë e madhe të armatimit e eksplozivit.

Anija e ngarkuar me municion dhe armë ishte nisur nga Greqia, u ndal në Durrës dhe më pas në Mal të Zi është ngarkuar me sasinë e armatimit të kontraktuar. Destinacioni përfundimtar ishte porti Um Kasrit në Irak ndërkohë që u kap në portin Al Mukallës, në bregdetin e Jemenit pasi autoritetet portale ngritën dyshime për trafik të armëve,

Mediat e Jeminit deklaruan se ndalimi u bë pasi ngarkesa e madhe me armatime dhe eksploziv bie në kundërshtim me ligjet e Jemenit si edhe me konventat ndërkombëtare. Sipas të njëjtave burime, ngarkesa është ndaluar që të mos shkonte për organizata të dyshimta apo grupe ilegale, pasi do të rrezikonte sigurinë e shoqërisë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)