Gjykata e Posaçme konfirmon masën e sigurisë “arrest në burg” për Marsel Liçaj, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për trafik heroine në Danimarkë. Gjyqtarja Rudina Palloj la në fuqi edhe masën “detyrim paraqitje” për Ermal Liçaj. Të dy ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Referuar SPAK, dy vëllezërit nga Fieri dyshohen se kanë trafikuar heroinë nga Suedia drejt Danimarkës të paktën 7 herë. Marsel Licaj dhe Ermal Licaj janë kthyer në Shqipëri pas arrestimit në Danimarkë të 2 shqiptarëve të tjerë dhe një shtetasi të huaj. Njërin prej shqiptarëve të arrestuar në Danimarkë ishte kunati i tyre.
Sipas SPAK, të dy akuzohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal”. Hetimet nga SPAK kanë nisur prej viti 2024, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet daneze, të cilat në vitin 2023 kishin nisur hetimin “Operacioni Bacchus”.
Në njoftim thuhet se grupi kriminal, i përbërë nga shqiptarë dhe të huaj, dyshohet se ka trafikuar heroinë nga Suedia drejt Mbretërisë së Danimarkës në të paktën shtatë episode, gjatë periudhës 1 tetor 2023 – 23 janar 2024. Lënda narkotike përzihej me substanca të tjera, si paracetamol dhe kafeinë, për t’u shpërndarë më pas në tregun danez me synim rritjen e fitimeve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










