TIRANË - Autoritetet shqiptare janë vënë në gatishmëri për të përballuar situatën që mund të krijohet në rast se trageti “Norman Atlantic” i cili është përfshirë nga flakët do të ankorohet në Durrës, apo nëse pasagjerët e shpëtuar do të sillen në Shqipëri.
 
Ekspertët shqiptarë, italianë dhe grekë janë të mendimit se drejtimi i erës dhe valëzimit mund të sjellin nevojën që anija greke të ankorohet në një nga portet shqiptare. Pikërisht prandaj, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Transporteve dhe Ministria e Jashtme kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar situatën.
 
 
Aktualisht, forcat detare dhe ajrore shqiptare janë në gatishmëri maksimale. Anija luftarake Butrinti ndodhet nga mëngjesi pranë anijes në avari dhe ekuipazhi shqiptar është pjesë aktive e operacionit të shpëtimit. Anijet luftarake Iliria dhe Lisus janë në gatishmëri në portin e Durrësit dhe mund të bëhen pjesë e operacionit në çdo moment që do ta kërkojë flota detare italiane, që po koordinon operacionin.
 
Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë vënë në gatishmëri të plotë spitali i Durrësit, urgjenca e Tiranës dhe spitali i traumës në Tiranë. Në orën 18:30 në spitalin e Durrësit është mblidhur Shtabi i Emergjencës i kryesuar nga Ministri Beqaj për të koordinuar të gjithë ndihmën mjekësore që mund të nevojitet në rast të ankorimit të anijes në portin e Durrësit.
 
Ministria e Punëve të Brendshme ka kaluar në gatishmëri të përforcuar shërbimet e Policisë Kufitare në Portet e Vlorës dhe Durrësit duke i mbështetur ato edhe me efektiva shtesë nga Policia e Rendit. Është udhëzuar personeli i Pikave të Kalimit Kufitar për procedurën emergjente që duhet të ndiqet për të lehtësuar zbritjen e pasagjerëve nga trageti dhe dhënien e ndihmës së parë mjekësore.
 
Ministria e Transportit ka vënë në gatishmëri kapitaneritë e porteve detare të Vlorës dhe Durrësit, me të gjitha kapacitetet e tyre për të orientuar dhe lehtësuar sa më shumë ankorimin e tragetit.
 
 
Kontaktet mes qeverisë shqiptare dhe qeverive italiane dhe greke janë të vazhdueshme. Ministri Tahiri ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij italian Alfano, ndërkohë që Kryeministri Rama ka folur me Kryeministrin Samaras, me të cilin kanë koordinuar vazhdimin e operacionit.
 
“Norman Atlantic”, trageti italian me 478 persona në bord, mes të cilëve 25 shqiptarë, prej orëve të para të mëngjesit u përfshi nga flakët, si pasojë e një incidenti në garazhin e anijes, shkaqet e të cilit mbeten ende të paqarta. Trageti ishte nisur nga Igumenica e Greqisë me destinacion final Ankonën e Italisë, ndërsa alarmi SOS u dha rreth orës 04:30 kur trageti ndodhej rreth 16 milje në veri-perëndim të ishullit Sazan.

Djegia e tragetit në Adriatik, Beqaj: Jemi në gadishmëri
Spitali është Durrësit është në gjendje gadishmërie për të përballuar cdo fluks pacientësh, nësë anija “Norman Atlantik” e përfshirë nga flakët në ujrat e adriatiku mbërrin në portin e Durrësit. Për të parë nga afër situatën ka mbërritur edhe ministrti i shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili shtoi së në gadishmëri është edhe spitali i traumës. Ministrti ndër të tjera pohoi së po punohet ngusht më ministrinë e mbrojtes dhe atë të brëndshme.
 
“Janë marrë të gjitha masat për pritjen dhe dhënien e ndihmës shëndetësore të të gjithë udhetarëve të tragetit që është përfshirë nga flakët nëse ai do të ankorohet në Portin e Durresit. Në gatishmeri janë spitali rajonal  i Durrësit, qendrat shendetesore të ketij rrethi, qendra e traumës në Tiranë si dhe qendra toksikologjike po në Tiranë e aftë për të kuruar të sëmurë të helmuar nga gazi karbonik. Gjithashtu janë marrë të gjitha masat që udhëtarët të marrin ushqimet e nevojshme.”- tha Beqaj.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)