ITALI - Tragjedi në Itali përpara ndeshjes Inter-Napoli. Një grup ultrasish të napolitanëve u përpleshën me ata të Interit dhe në përpjekje për t'u larguar me një furgon të zi, kanë përplasur një tifoz 35-vjeçar të zikaltërve. Tifozët e Napolit dhe ata të Interit u përleshën me shkopinj dhe shufra metalike. Daniele Belardinelli, nga Varese, kishte mbërritur në Milano për të parë ndeshjen, kur në orën 19:30 të mbrëmjes së djeshme, rreth 1 orë përpara sfidës, u godit nga automjeti dhe pësoi plagë të rënda.
Daniele Belardinelli tifozi i vdekur
Ai humbi jetën rrugës për në spital teksa po transportohej nga disa tifozë të Interit. Mediat italiane raportojnë se drejtuesi i furgonit, një tifoz i Napolit mund të mos e ketë vënë re përplasjen e 35-vjeçarit për shkak të kaosit të shkaktuar pranë stadiumit "San Siro" të Milanos.
35-vjeçari ishte kampion i arteve marciale dhe atlet në 'Akademinë e Luftës' të Morazzone, me të cilin tre vjet më parë kishte fituar disa kompeticione në Kremones. Daniele Belardinelli ishte i njohur nga policia në Varese si eksponent i një grupi ekstrem dhe për pikëpamjet e tij fashiste. Ndërkohë, Prokuroria e Milanos kërkon dënimin e fushës së Interit me ndalimin e hyrjes së tifozëve deri në 31 mars 2019 si dhe mos lejimin e tifozëve interistë jashtë fushe deri në fund të kampionatit. Belardinelli ishte gjithashtu i njohur me ultrasin neofashist, Landi Gjoni. Shqiptari nga Talja i Lezhës i cili jeton prej 20 vitesh në Varese të Italisë i dënuar më parë për drogë dhe prostitucion është pjestar i të njëjtit grup ‘’Blood& Honour”. Gjithashtu Gjoni ka tifogrupin e tij ‘’Árditi’’.