Hetimet për zjarrin vdekjeprurës në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana po thellohen.
Katër javë pas ngjarjes tragjike, prokuroria e kantonit Valais ka ngritur akuza edhe ndaj dy personave të tjerë, përveç çiftit Moretti, që drejtonte lokalin.
Sipas mediave zvicerane, procedura penale është hapur fillimisht ndaj një ish-përgjegjësi të sigurisë në komunë, i cili kishte kryer disa kontrolle kundër zjarrit në ambientet e barit. Hetimi synon të sqarojë nëse ka pasur përgjegjësi penale për mangësitë e konstatuara në mbikëqyrjen e ambienteve publike.
Më pas, drejtësia ka vënë nën akuzë edhe një person të katërt, shefin aktual të shërbimit të sigurisë publike në komunën e Crans-Montana. Ai pritet të shpjegojë pse komuna nuk ka kryer kontrolle në bar që nga viti 2019, ndonëse këto verifikime duhet të realizohen çdo vit.
Sipas RTS, ish-përgjegjësi i sigurisë do të merret në pyetje më 9 shkurt, ndërsa shefi i shërbimit të sigurisë më 6 shkurt. Me këto zhvillime, numri i personave të akuzuar në këtë çështje shkon në katër.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe Jacques Moretti dhe Jessica Moretti, drejtues të barit që nga viti 2015. Jacques Moretti kishte qenë i ndaluar përkohësisht, por u lirua më 23 janar, pasi një i afërm pagoi një garanci prej 200 mijë frangash zvicerane.
Zjarri, që shpërtheu natën e Vitit të Ri, shkaktoi një bilanc të rëndë: 40 persona humbën jetën dhe 116 të tjerë u plagosën. Mes viktimave, 20 ishin minorenë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë për një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Zvicër.
Komente









