Ora shënonte 08:50 e mëngjesit në Sion të Zvicrës kur Jessica dhe Jacques Moretti u shfaqën para ndërtesës ku do të merreshin në pyetje. Në trotuar i prisnin turmat e familjarëve të viktimave të zjarrit që ra natën e vitit të ri në diskon ‘Le Constellation’ në Crans Montana.
Pak sekonda më pas nisën britmat dhe shtyrjet. Rreth njëqind persona i rrethuan të dy. Pati ofendime dhe shtyrje. Jessica, e cila do të merrej në pyetje, u shty disa herë. Avokatët dhe përfaqësuesit e palëve civile dukeshin të befasuar. Policia nuk ishte e pranishme në momentin e përplasjes, edhe pse protesta ishte paralajmëruar.

Familjarët e viktimave kundër çiftit Moretti
“Na vratë djalin!”, dëgjohej të bërtiste një grua. Ajo ishte nëna e Taylan, i cili humbi jetën mes flakëve. “Ku është djali im? Si flini? Si hani? Si merrni frymë?”, bërtiti ajo mes lotësh. Jessica qante dhe përsëriste: “Më vjen keq, më vjen keq”.
Në mes të turmës, Jacques Moretti arriti të flasë me zë të lartë: “Do të marr përsipër përgjegjësitë e mia” tha ai. Moretti u përgjigj edhe ndaj akuzave për “mafie”, duke thënë: “Nuk ka mafia, jam një punëtor”.
Çifti përparoi drejt hyrjes metër pas metri, në një situatë që zgjati disa minuta. Më në fund arritën të futeshin në ndërtesë, të shoqëruar nga avokatët.
Seanca nisi rreth orës 09:30. Në hapje, zëvendësprokurorja Christine Seppey u bëri thirrje të pranishmëve të ruanin qetësinë.
Rreth orës 11:00, në mensën e fakultetit që ishte kthyer në një hapësirë për median, avokati i Jessica Moretti, Nicolas Meyer, tha se çifti kishte shprehur më herët dëshirën për t’u takuar me familjarët e viktimave, por nuk e kishin pritur këtë reagim kaq të ashpër./CorrieredellaSera
Komente








