Foto e familjes Kola dhe një buqetë me lule para banesës së tyre
Pas tragjedisë që tronditi Porcarin dhe gjithë komunitetin shqiptar në Itali, ku familja Kola humbi jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e saj mbrëmjen e 4 shkurtit, është hapur një fushatë solidariteti në platformën GoFundMe për të ndihmuar familjarët e viktimave.
Fushata është iniciuar nga Durim Kola, xhaxhai i Hajdarit dhe Xhesikës, si dhe vëllai i Artit Kola, i cili ishte edhe personi që gjeti trupat e pajetë në banesë dhe që vetë përfundoi në spital për shkak të ekspozimit ndaj gazrave toksikë. Ai tashmë është jashtë rrezikut dhe është liruar nga spitali.
Në thirrjen e publikuar në GoFundMe, Durim Kola shprehet se fondet po mblidhen për të përballuar shpenzimet e funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Sipas tij, çdo shumë që do të mbetet pas mbulimit të këtyre shpenzimeve do të përdoret për të ndihmuar familjarët e viktimave.
“Jam Durim Kola. Po mbledh fonde për humbjen e familjes së vëllait tim, të cilët humbën jetën si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga kaldaja e gazit në Porcari, në provincën e Luccës. Fondet do të përdoren për shpenzimet e varrimit dhe për transportin e trupave në Shqipëri, ku do të zhvillohen edhe funeralet. Shumat që do të mbeten do të shërbejnë për të ndihmuar familjet e tyre. Ju falënderoj nga zemra për ndihmën”, thuhet në thirrje.
Lajmi kryesor:
Përkujtohet familja shqiptare që u shua në Itali, në meshë edhe kardinali Ernest Troshani! Xhaxhai kërkon ndihmë për të sjellë trupat e pajetë në Shqipëri (VIDEO)









