TIRANE- Familjarët e 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit nuk heqin dorë nga kërkesa për të hetuar Fatmir Mediun, aktualisht ministër i Mjedisit, por që në 2008, kur ndodhi shpërthimi tragjik i 15 marsit mbante postin e ministrit të Mbrotjes.

Sot paradite familjarët e viktimave u vendosën para Prokurorisë së Përgjithshme për të protestuar dhe i kërkojnë Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla të rifillojë hetimet.

“Kërkesën zyrtare ia kemi dorëzuar kur në detyrë ka qenë Ina Rama. Kemi respektuar afatet ligjore. Prokurori i Përgjithshëm të rifillojë hetimet për Fatmir Mediun pasi tani nuk ka më imunitet”- tha njëri prej familjarëve duke kujtuar se Llalla pas marrjes në detyrë publikisht u zotua se do të merrej me tragjedinë e Gërdecit.

Gjykata e Lartë më 10 dhjetor pushoi gjykimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili akuzohej për “plagosje të rëndë nga pakujdesia” lidhur me tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona e u plagosën rreth 300 të tjerë. Pushimi i çështjes u bë me argumentin se çështja për të cilën gjykohet Mediu përfshihet në veprat penale të amnistuara me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Trupa gjyqësore mori vendimin në unanimitet.

TRAGJEDIA

Më 15 mars të vitit 2008, si pasojë e shpërthimit të një fabrike demontimi të municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rëndë rreth 300 të tjerë. Tragjedia e Gërdecit vijoi të merrte jetë edhe në vitet e mëvonshme. Pak muaj më parë Tushe Osmani, nëna e Resmije Osmanit( kjo e fundit e mbetur e vrarë në Gërdec) i dha fund jetës duke pirë helm, ndërsa vetëm dy vjet më parë të njëjtin veprim e kishte kryer dhe bashkëshorti i saj.

(sg/shqiptarja.com)