Një nga ngjarjet më të errëta në historinë e futbollit botëror ndodhi 13 vite më parë në Egjipt, kur një ndeshje e kampionatit vendas u shndërrua në një masakër të vërtetë. Përplasja mes Al Masry dhe Al Ahly në stadiumin e Port Said përfundoi me 74 viktima dhe qindra të plagosur, duke tronditur mbarë botën sportive.

Pas kësaj tragjedie, autoritetet egjiptiane pezulluan të gjitha aktivitetet futbollistike në vend, ndërsa hetimet dhe proceset gjyqësore zbuluan një përzierje fatale mes dhunës ultrase, mungesës së sigurisë dhe neglizhencës shtetërore.

Moment nga dhuna

Si ndodhi tragjedia

Atmosfera ishte e tensionuar që përpara ndeshjes. Grupi ultras i Al Masry, i njohur si Green Eagles, kishte publikuar një këngë kërcënuese në YouTube, duke paralajmëruar tifozët e Al Ahly për dhunë të mundshme. Për arsye sigurie, autoritetet u detyruan të transportonin tifozët e Al Ahly me automjete ushtarake nga stacionet e trenit deri në stadium.

Megjithatë, masa të tilla nuk mjaftuan. Para nisjes së takimit, tifozët vendas pushtuan fushën, duke vonuar fillimin e ndeshjes me rreth 30 minuta. Edhe gjatë ndeshjes, pas çdo goli të Al Masry, një pjesë e tifozëve hynte në fushë, duke krijuar kaos.

Pas fitores 3-1 të vendasve, situata doli jashtë kontrollit. Tifozët e Al Masry sulmuan lojtarët dhe tifozët kundërshtarë, duke hedhur shishe, gurë dhe fishekzjarrë. Paniku në tribuna u kthye në tragjedi, shumë njerëz u therën me thika, u rrahën brutalisht, ndërsa të tjerë humbën jetën duke u shtypur në përpjekje për t’u arratisur nga daljet e mbyllura të stadiumit.

Moment nga përleshjet

Pasojat dhe drejtësia

Pas hetimeve, 73 persona u vunë nën akuzë, përfshirë nëntë oficerë policie dhe dy zyrtarë të klubit Al Masry, për vrasjen e 74 tifozëve.

Gjykatat egjiptiane dhanë 21 dënime me vdekje, 5 dënime të përjetshme dhe 10 dënime me nga 15 vite burg, ndërsa 28 persona u shpallën të pafajshëm, mes tyre edhe shtatë policë.

Pas një rigjykimi, Gjykata e Kasacionit e Egjiptit mbështeti dënimet përfundimtare me vdekje për 11 persona, me vendimin përfundimtar që mbështeti dënimet me vdekje për 10 të pandehur, megjithëse nuk ka të dhëna për ekzekutimin e tyre.

Kjo ngjarje e tmerrshme mbetet një plagë e hapur për futbollin egjiptian dhe atë botëror, duke u kujtuar të gjithëve se pasioni për sportin nuk duhet të shndërrohet kurrë në urrejtje apo dhunë.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?