Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje mediave që të tregohen të kujdesshme dhe të përgjegjshme lidhur me ngjarjen tragjike në Durrës, ku 2 të mitur humbën jetën pasi u përplasën nga një automjet dhe një tjetër i mitur u plagos rëndë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama thekson se publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda, nuk bën gjë tjetër veçse shton dhimbjen e familjarëve të viktimave.

Teksa nënvijësoi se dinjiteti njerëzor duhet të jetë mbi ‘luftën’ e klikimeve, kryeministri kërkoi më shumë solidaritet dhe humanizëm në një ditë tragjike si kjo.

Reagimi i Ramës:

Ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim për këtë ngjarje dhe drejtesia bën punën e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e mediave e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit.

Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e të prekurve drejtëpërdrejt duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo.


Lajmi kryesor:

Aksidenti në Durrës, Begaj: Hetim shterues për ngjarjen! Rama: Tragjedi e pangushëllueshme (REAGIMET)