Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe personazhe të tjerë të politikës kanë reaguar pas aksidentit tragjik të ndodhur ditën e sotme në Durrës, ku humbën jetën 2 fëmijë, u plagos rëndë një tjetër i mitur dhe mbetën të lënduar lehtë 2 të rritur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj teksa u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave, kërkoi nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë mbi këtë ngjarje të rëndë.

Po ashtu Begaj u bëri thirrje institucioneve që të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullimin rrugor dhe qytetarëve që të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit.

"I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë. Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital. Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!", ka shkruar Begaj në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë në Armeni për takimin e Komunitetit Politik Europian, e ka cilësuar ngjarjen si të pangushëllueshme.

“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.

Më tej Rama, përmes një tjetër postimi në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje mediave që të tregohen të kujdesshme me pamjet e rënda që publikojnë, pasi sipas tij, në këtë mënyrë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse shtojnë dhimbjen e familjarëve të viktimave.

"Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit", shkroi mes të tjerash kryeministri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:51
Përplasja për vdekje e 2 fëmijëve në Durrës, Berisha: Ngushëllime familjarëve! Autori të marrë ndëshkimin më të rëndë

1776771544_saliberisha.jpeg

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për familjet e dy fëmijëve që humbën jetën në Durrës, pasi u përplasën për vdekje nga një automjet që drejtohej nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Berisha kërkon ndëshkimin më të rëndë për drejtuesin e automjetit.

‘Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet më të ndjera familjeve të engjëjve viktima. Unë i lutem Zotit që shpirti i tyre të bëhet dritë dhe prindërit të gjejnë forcën për të përballuar këtë gjëmë të rëndë si dhe uroj shërim të shpejtë vogëlushit në spital’, ka shkruar mes të tjerash Berisha në mesazhin e tij.

Ora 20:37
Tragjedia në Durrës, Rama thirrje mediave: Tregoni vetëpërmbajtje! Publikimi i pamjeve të rënda nuk informon, por shton dhimbjen e familjarëve

1776770016_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje mediave që të tregohen të kujdesshme dhe të përgjegjshme lidhur me ngjarjen tragjike në Durrës, ku 2 të mitur humbën jetën pasi u përplasën nga një automjet dhe një tjetër i mitur u plagos rëndë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama thekson se publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda, nuk bën gjë tjetër veçse shton dhimbjen e familjarëve të viktimave.

Teksa nënvijësoi se dinjiteti njerëzor duhet të jetë mbi ‘luftën’ e klikimeve, kryeministri kërkoi më shumë solidaritet dhe humanizëm në një ditë tragjike si kjo.

Reagimi i Ramës:

Ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim për këtë ngjarje dhe drejtesia bën punën e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e mediave e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit.

Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e të prekurve drejtëpërdrejt duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo.

Ora 19:33
Kryeministri Rama reagon nga Armenia për aksidentin në Durrës: Tragjedi e pangushëllueshme, Zoti i bekoftë dy shpirtrat e vegjël!

“Tragjedi e pangushëllueshme”. Kështu e cilëson kryeministri Edi Rama aksidentin e rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.

Në një reagim në platformën X, Rama shkruan se e ka marrë lajmin sapo ka mbërritur në Erevan të Armenisë , ku ndodhet për takimin e Komunitetit Politik Europian.

“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.

 

Ora 19:18
'Kjo është vrasje me dashje', Erion Braçe reagon ashpër për tragjedinë në Durrës

Pamje nga vendi i ngjarjes

“Kjo është vrasje me dashje, jo aksident”. Me këtë qëndrim të fortë reagoi sot edhe deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe për tragjedinë në Durrës, duke publikuar edhe videon e momentit kur Nikoll Radaçi u përplas mbi 2 fëmijë në zonën e Ish-Kënetës dhe u mori jetën. “U vranë sepse vrasje është! Madje vrasje me dashje! Nuk është aksident por vrasje me dashje!”, shkruan ai, duke kërkuar që ngjarja të trajtohet si e tillë edhe nga drejtësia.

Braçe bën thirrje për ndryshime të menjëhershme në Kodin Rrugor dhe atë Penal, duke nënvizuar se vetëm përmes ndëshkimeve të forta raste të tilla mund të ndalen. Ai kërkon gjithashtu masa konkrete për sigurinë në zonat e banuara, nga kufizimi real i shpejtësisë deri te krijimi i hapësirave të sigurta për fëmijët. “Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani!”, thotë ai. 

Postimi i plotë i Erion Braçes

"Kështu u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë, sot, ditën për diell! U vranë sepse vrasje është! Madje vrasje me dashje! Nuk është aksident por vrasje me dashje! Po e postoj videon ashtu siç është, me zhurmën e makinës, zhurmën e përplasjes, zhurmën e marrjes zvarrë të fëmijëve, klithmat e prindërve e njerëzve të tjerë në rrugë;
këto pamje!

E di e rëndë është; por dua ta dëgjoj kështu, ta dëgjojnë kështu edhe kolegë të mi deputet të çdo ane, për tu bindur për të ndryshuar atë kod rrugor dhe atë kod penal për ta cilësuar një akt të tillë siç është, vraaaaaaaaaasj eeeeeeeeeee! Dhe duhet ta bëjmë tani, ta bëjmë menjëherë! Siç bëmë atë ndryshimin për parkimin dysh e që edhe pse është në fuqi, nuk e zbaton kërkush; ta bëjmë me atë shpejtësi e vendosmëri por për ta zbatuar si qytetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë! Mbase vetëm duke ndëshkuar kështu-siç për vrasje me dashje në rrugë, mund t’i ndalim vrasësit të dalin në rrugë!

Ndërkohë, kjo ngjarje më në fuuuuund të na shtyjë të mendojmë e veprojmë për urbanizim edhe më të thellë, përfshirë rrugë që e disfavorizojnë shpejtësinë në to, ndalime të shpejtësisë së makinave brenda lagjeve e jo vetëm tabela që një takëm i pështyjnë, mbylljen e rrugëve për t’i dhënë mundësi fëmijëve e të moshuarve të luajnë e lëvizin, pushojnë të sigurt, ndërtimin me çdo çmim të fushave e këndeve të sigurta për fëmijët e të moshuarit! I kemi votat për t’i bërë këto; i kemi me shumicë! Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani!"

Ora 18:54
Taulant Balla reagon për tragjedinë në Durrës: Autori nuk është një shofer por një terrorist!

Ngjarja e rëndë në Durrës ku jeta e dy fëmijëve u pre në mes nga Nikoll Radaçi,ka sjellë reagimet e para nga politika. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dalë me një qëndrim të fortë publik, duke e quajtur atë që ndodhi një akt të një terroristi dhe jo thjesht një aksident rrugor.

“Ngjarja tragjike në Durrës nuk është aksident rrugor. Autori nuk është një shofer në një timon, por një terrorist”, shkruan ai në një postim në rrjete sociale, të cilën e shoqëron me një foto të trishtë.

Në të duket një top i mbetur në rrugë, një detaj i vogël, por që flet më shumë se çdo fjalë. Një lojë e ndërprerë në mes, një pasdite që nuk do të vazhdojë më kurrë për ata fëmijë dhe shumë jetë të shkatërruara.