“Xhesika jeton përgjithmonë në zemrat tona”. “Na mungon tashmë”. “Shkëlqeje dhe do të shkëlqesh”. Kështu shokët e shkollës dhe miqtë kujtojnë 15-vjeçaren me origjinë shqiptare që humbi jetën së bashku me babanë Arti, nënën Jonida dhe vëllain Hajdar nga rrjedhja e monoksidit të karbonit që të mërkurën në mbrëmje shkatërroi familjen Kola në Porcari.
Nxënëse e klasës së tretë të shkollës së mesme të ulët në Camigliano, fraksion i Capannorit, për Xhesikën, siç e quanin miqtë, drejtoresha e institutit Gloria Giuliani ka shkruar një letër drejtuar gjithë komunitetit shkollor, në të cilën shpreh “ngushëllime të thella” për ngjarjen, “duke u bashkuar me pjesëmarrje të sinqertë me familjarët, në këtë moment dhimbjeje të madhe”.
Nxënësit e Camiglianos po mbështeten nga një psikologe, e aktivizuar nga shkolla. Mbrëmjen e së enjtes shumë të rinj, së bashku me prindërit, u mblodhën për një vigjilje spontane. Dhimbja për tragjedinë ka përfshirë edhe një tjetër shkollë të mesme, atë të Porcarit, të frekuentuar nga kushëriri i Xhesikës dhe Hajdarit, djali i Durim Kolës, vëllait të Artit, i cili të mërkurën në mbrëmje hyri në shtëpi bashkë me karabinierët duke u përpjekur të shpëtonte familjen.
I shtruar në spital po atë mbrëmje pasi kishte thithur edhe ai monoksid karboni, Durimi u kthye në shtëpi të enjten: është jashtë rrezikut, por i tronditur. “Nuk arrita t’i shpëtoj”, u ka thënë personave më të afërt.
Në planin gjyqësor, Prokuroria e Luccës do të urdhërojë autopsinë e trupave, ndërsa shtëpia mbetet nën sekuestrim: hetimet teknike po vazhdojnë dhe nuk përjashtohet dhënia e një ekspertize për kaldajën. Për momentin nuk ka persona të regjistruar në regjistrin e të dyshuarve, edhe pse është hapur një dosje për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia.
Duhet rindërtuar edhe rruga e ndjekur nga ekipet e shpëtimit, të cilat fillimisht nuk arritën të gjenin shtëpinë e familjes Kola për shkak të numrit civil të gabuar të treguar nga Hajdari, me shumë gjasa tashmë në gjendje konfuzioni në momentin e telefonatës në 112.
“Është koha e zisë dhe për rrjedhojë, edhe e një heshtjeje që peshon si gur për të gjithë ata që kanë njohur Artin Kola, bashkëshorten e tij Jonida dhe fëmijët e tyre Hajdar dhe më e vogla Xhesika. Atij që vuan nga kjo heshtje i them: mos lejoni që vdekja të shqiptojë fjalën e fundit — ka thënë ipeshkvi i Luccës, Paolo Giulietti — Lërini dashurinë dhe miqësinë që keni parë te këta vëllezër dhe motra tanë të jenë busulla e hapave tuaj në rrugën e jetës. U drejtohem veçanërisht të rinjve, që kanë njohur Hajdarin dhe Xhesikën”.
Sonte në kishën e San Giustos në Porcari do të mbahet një vigjilje ku do të marrë pjesë kardinali Ernest Simoni (Troshani), edhe ai me origjinë shqiptare dhe në kontakt me komunitetet toskane. Ndërkohë, presidenti i Rajonit Eugenio Giani hedh idenë e një “fushate informimi mbi funksionimin dhe mirëmbajtjen e impianteve”, e orientuar drejt zonave më pak të dendura nga popullsia.//Corriere
Komente












