Politika i është bashkuar dhimbjes së familjes Preka, në Velipojë, ku një javë më parë një aksident tragjik iu mori jetën babait dhe tre fëmijëve, duke lënë të plagosur rëndë nënën e tyre. Këtë të diel, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka vizituar familjen Preka, ku iu ka shprehur ngushëllime të afërmeve të viktimave.

“Dhimbja është e madhe”, është shprehu Bushati, teksa shoqërohej nga deputeti i Shkodrës, Luan Harusha.

Gjithashtu, te familja Preka kanë shkuar dhe deputetët e djathtë, të shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho. Ky i fundit, së bashku me deputetët e PD në Shkodër dhe drejtuesit vendor të këtij qarku, kanë ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e viktimave të aksidentit tragjik.

“Lusim pushtetin lokal t’i qëndrojë afër kësaj familjeje. Shpresoj që organet e drejtësisë do të zbardhin të plotë sa më shpejt ngjarjen”, tha Spaho në emër të PD.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës së kaluar, ku humbën jetën Edmond Preka me tre fëmijët e tij, djalin 9 muajsh Rajan, dhe dy vajzat Ajsel 5 vjeçe dhe Noemi 10 vjeçe. Ndërkohë, mbeti e plagosur rëndë nëna e fëmijëve, Evisa, e cila ndodhet ende në spital dhe nuk është njoftuar për tragjedinë. 

d.c./shqiptarja.com