Shuhet zjarri i madh në Greqi, po punohet për gjetjen e të zhdukurve/ Mbi 80 viktima, dyshohet 3 shqiptarë

ATHINE-Zjarri masiv i dy ditëve të fundit në Greqi ka lënë pas një katastrofë, ndërkohë që disa vatra vijojnë që të jenë aktive. Numri i viktimave deri tani llogaritet mbi 80, ndërsa të plagosur janë afro 200, mijëra banesa janë djegur dhe shkatërruar. Zjarrfikëset, mjetet e ushtrisë, por edhe automjetet të tjera të ndihmuar edhe nga helikopterët vijojnë luftën me flakët në Kineta dhe disa zona të tjera në periferi të kryeqytetit grek, por situata është nën kontroll.

Mes viktimave zyrtarisht është edhe një shqiptare, Nica Leka, rreth 85 vjeç me origjinë nga Leshnica e Sarandës. Por dyshohet se shqiptarët që humbën jetën nga zjarri janë 3, pasi përpos 85 vjeçares janë shpallur të zhdukura 2 shqiptare të tjera, punonjëse të një taverne, ndërsa të plagosur janë mbi 13. Ndërkohë që një emigrant shqiptar tha për Report Tv se një familje nga Saranda dhe një i ri nga Tepelena janë të zhdukur.

Vendet e Bashkimit Europian kanë reaguar duke ndihmuar Greqinë për këtë situatë të pazakontë që po kalon. Kryeministri Tsipras shpalli dje gjendjen e emergjencës në zonën që u përfshi nga zjarret, ndërkohë që vendi është në zi tre ditë.

TË GJITHA LAJMET NGA DITA E DJESHME NGA ZJARRET

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:32
6 shqiptarë të plagosur nga zjarret në Greqi, ambasada shqiptare inspektime në terren

Ambasada shqiptare në Greqi ka përcjellë një informacion të detajuar lidhur me situatën e zjarreve në verilindje të Athinës. Nga inspektimet në terren, ambasada thekson se janë konstatuar tre shtetas shqiptarë të plagosur, dy në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa tjetri ndodhet në rrezik për jetën në spitalin Evangelismos. Në total, numri i shqiptarëve të lënduar nga zjarret masive arrin në gjashtë, mes të cilëve edhe dy fëmijë të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Shtëpitë ku banonin ata, thuhet në njoftimin e ambasadës janë shkatërruar nga zjarret, ndërsa banorët e prekur janë evakuuar në një kamp pushimi të zonës i cili është shndërruar në një strehë banimi të përkohshme deri në rikthimin e normalitetit në zonat e shkretuara nga zjarri.   

Njoftimi i ambasadës shqiptare:

Në vijim të njoftimeve tona mbi situatën pas zjarreve shkatërruese në rajonin e Atikës, Ambasada ka vijuar gjatë ditës së sotme inspektime në terren nga ku rezulton se:

- Në zonën e Matit raportohet për dy shtetas shqiptarë të lënduar lehtë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, përsa i përket pjesës tjetër të komunitetit raportohet se janë djegur banesat ku jetonin disa prej tyre, si dhe disa automjete personale. Banorët e prekur janë transferuar përkohësisht në një kamp pushimi të zonës i cili është kthyer në strehë banimi të përkohshme.

- Në zonën e Rafinës raportohet një shtetas shqiptar i minoritetit grek që ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos, ndërsa familjarët e tij gëzojnë shëndet të plotë.

- Për zonat e tjera të prekura më së shumti nga zjarri, si Kokkino Limanaki dhe Ano Voutsa, Ambasada vazhdon të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet greke për të marrë informacione në vijim.

Ripërsërisim se për çdo informacion ose nevojë për ndihmë mund të na kontaktoni në 24orë në nr. +306941658183.

Zjarri masiv i dy ditëve të fundit në Greqi ka lënë pas një katastrofë, ndërkohë që disa vatra vijojnë që të jenë aktive. Numri i viktimave deri tani llogaritet mbi 80, ndërsa të plagosur janë afro 200, mijëra banesa janë djegur dhe shkatërruar. Zjarrfikëset, mjetet e ushtrisë, por edhe automjetet të tjera të ndihmuar edhe nga helikopterët vijojnë luftën me flakët në Kineta dhe disa zona të tjera në periferi të kryeqytetit grek, por situata është nën kontroll.  

Mes viktimave zyrtarisht është edhe një shqiptare, Nica Leka, rreth 85 vjeç me origjinë nga Leshnica e Sarandës. Por dyshohet se shqiptarët që humbën jetën nga zjarri janë 3, pasi përpos 85 vjeçares janë shpallur të zhdukura 2 shqiptare të tjera, punonjëse të një taverne, ndërsa të plagosur janë mbi 13. Ndërkohë që një emigrant shqiptar tha për Report Tv se një familje nga Saranda dhe një i ri nga Tepelena janë të zhdukur.

Ora 16:36
S’ka fund e keqja për Greqinë, pas zjarreve parashikohen përmbytje

Institucionet zyrtare në Bullgari paralajmërojnë fqinjët e tyre, Turqinë dhe Greqinë që të marrin masat, pasi mund të përballen me përmbytje pas reshjeve të shiut që janë parashikuar të fryjnë shtretërit e lumenjve Arda dhe Maritsa.

Ky paralajmërim vjen në një moment ku Greqia është duke shuar flakët e fundit të zjarreve që shkaktuan një katastrofë natyrore ku deri më tani raportohet për mbi 81 viktima.

Ministria e Jashtme Bullgare, në një deklaratë për mediat tha se diga Ivailovgrad, në lumin Arda, në malet Rodope në lindje, është parashikuar se do të mbushet nga reshjet e dendura të shiut.

Në Bullgari është shpallur gjendja e emergjencës pas shirave të rrëmbyeshëm. Deri tani ka humbur jetën një person pasi u rrëmbye nga përmbytjetet në Teteven.

Ora 15:41
Zjarret në Greqi, ambasada shqiptare: Shkon në katër numri i shqiptarëve të plagosur

Ambasada shqiptare në Athinë ka njoftuar sot se shkon në katër numri i shqiptarëve të plagosur nga zjarret masive që prekën bregdetin e Atikës në Greqi. 

Sipas ambasadës, shqiptari i plagosur i përket minoritetit grek dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital.  

Ambasada e RSh-së në Athinë njofton se në vijim të verifikimeve në terren rezulton se një shtetas shqiptar i minoritetit grek ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos. Jemi në ndjekje të situatës duke komunikuar me qytetarë, anëtarë të komunitetit në zonat e prekura të rajonit të Atikës, si dhe me autoritetet kompetente të emergjencës së qeverisë greke.

Ripërsërisim se për çdo informacion ose nevojë për ndihmë mund të na kontaktoni në 24orë në nr. +306941658183.

 

Ora 14:28
Misteri i dy binjakeve 9-vjeçare në Greqi/ Kush ishte burri me mjekër që i mori kur ra zjarri

Drama që ka përfshirë shtetin grek, me zjarret dhe bilancin tragjik që përkeqësohet ora-orës, nuk ka lënë të paprekur familje të shumta greke.

Dy binjake të moshës 9 vjeç, mbijetuan falë një varke, ku u morën nga një burrë, i cili ka pretenduar se ishin vajzat e tij.

Policia greke ka nisur hetimet pasi babai i vërtetë i vajzave ka parë videon teksa transmetohej dhe ka denoncuar se vajzat ishin pjesë e të zhdukurve.

Yannis Philippopoulos, i njohu 9-vjeçaret kur pa pamjet në televizion, por burri që i mori vajzat në video, thoshte se ato ishin të tij.

Mediat greke shkruajnë se sipas të dhënave burri që mori vajzat ka zbritur në port, ndërkohë që policia është duke i kërkuar. Familja e dy binjakëve kërkon ndihmë për fatin e 2 vajzave.

Ora 13:29
Flet emigrantja shqiptare: Isha tek vendi i zjarrit, ushtria në terren, katastrofë si nëpër filma

Drita Bushi, emigrantja shqiptare që jeton dhe punon në Greqi, në një lidhje telefonike për Report Tv ka treguar të tjera detaje për zjarret në Greqi. Bushi ka thënë se ka shkuar ditën e sotme në vendin e ngjarjes ku ka parë çfaarë ka ngelur në këtë zonë. Bushi ka thënë se vendi i djegur është i ngjashëm me një skenë filmi. Bushi tha se zjarri është shuar dhe se ka vetëm disa vatra të vogla. 

Tani para 15 minutash kalova tek vendi i ngjarjes ishte katastrofik, si nëpër filma. Kur kalova unë aty ishin mbledhur policia dhe gazetarët, dhe u gjetën 4 veta brenda një shtëpie. S’ta shpjegoj dot me fjalë. Ishte katastrofike. Deri tani s’ka asnjë informacion për shqiptarët. Vetëm kur të bëhet verifikimi. Ata që kam pyetur, mes tyre edhe shqiptarë s’dinë gjë. Mund të ketë shqiptarë aty në plazh ku ra zjarri i madh. Flitet për amerikanë edhe grekë. Ata që kanë humbur jetën, s’dinin rrugën nga të iknin, pasi rruga është e ngushtë dhe mund të ikësh vetëm drejt. Ka dalë komplet ushtria në terren.

Drita Bushi, emigrante shqiptare në Greqi

 

Ora 12:56
Pedagogu i njohur thirrje shqiptarëve: Mos u solidarizoni me grekët, janë mallkim

Në një kohë shumë të vështirë për Greqinë, e cila prej ditësh është e përfshirë nga flakët, askush nuk ka ngurruar të shprehë mesazhe ngushëllimi për të vdekurit. Por duket se e kundërta ka ndodhur me pedagogun dhe sociologun e njohur, Ergys Mërtirin.

Me anë të një statusi në Facebook, Mërtiri bën thirrje që shqiptarët të mos solidarizohen pasi grekët janë fqinj të këqinj dhe mallkim për ne.

Na kanë marrë territor, na kanë vrarë, persekutuar, përzënë nga shtëpitë dhe ende nuk i pranojnë krimet e tyre.  Natyrisht unë arrij të dalloj grekun e thjeshtë nga politikat shoviniste të vendit të tij dhe nuk fajësoj çdo grek tek e tek. Po të jetë për fqinjësi grekët kanë qënë historikisht një mallkim për ne.

Ergys Mërtiri

Statusi i Mërtirit:

Ora 12:50
Shkrumb dhe hi, ja çfarë la pas katastrofa në Greqi/ FOTO

Zjarret masive të dy ditëve të fundit shkatërruan periferinë e Athinës duke lënë të vdekur mbi 80 persona, ndërsa mbi 100 janë të zhdukur, rreth 200 të plagosur dhe mijëra shtëpi të shkatërruara plotësisht.

Në disa zona ka ende vatra aktive, ndërsa në disa të tjera pas largimit të flakëve, që dogjën gjithçka, mediat vendasve sjellin pamjet e katastrofës që la pas tym dhe hi, pasi mijëra banesa u shkrumbuan nga zjarri.

Mati, ishte një nga zonat më të dëmtuara nga zjarret, resortet u shkatërruan duke u djegur plotësisht, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurve. Banorët tregojnë se si erërat e fuqishme ndihmuan flakët që të përparonin me shpejtësi.

Ora 12:23
Emigranti shqiptar: Një familje nga Saranda dhe një i ri nga Tepelena të zhdukur, shpëtova për mrekulli

Emigranti shqiptar në Athinë Mondi Sinaj në një lidhje telefonike për Report Tv shprehet se autoritetet greke vijojnë operacionin e kërkimit për të zhdukurit nga zjarri masiv i dy ditëve të fundit në periferi të kryeqytetit grek. E ndërsa deri tani zyrtarisht vetëm një shqiptare është mes viktimave, Sinaj shprehet se mes të zhdukurve dyshohet se është edhe një familje nga Saranda dhe një i nga Tepelena. Ai tha se banesa e familjes nga Saranda ishte djegur plotësisht, ndërsa të afërmit kanë humbur kontaktet me familjen shqiptare. Sinaj tregon edhe sesi shpëtoi për mrekulli në momentin kur shkoi për të shpëtuar dy fëmijë shqiptarë që ishin të rrezikuar nga zjarri

Situata sot është më e qetë, ka humbje dhe kërkojnë jetë akoma. Shqiptarët ka pasur 14-15 të dëmtuar, por jo me probleme të rënda, kërkimet vijojnë akoma në shtëpi dhe makina, flitet për 100 të humbur. Aktualisht ka një vesë shi. Spitali funksionon shumë mirë, po ashtu gjendja është më e qetë sot.

Një familje nga Saranda, një çift me dy fëmijë dhe po ashtu një i ri nga Tepelena janë në kërkim. Banesa e familjes nga Saranda është djegur, familjarët nuk janë lidhur me ata, por nuk ka një njoftim zyrtar për viktimat. Kishte shumë të huaj mes viktimave, polakë, rusë, rumunë. 

Gjithsesi cdo gjë po studiohet, ka shumë më forca që vijojnë kërkimet, por edhe vullnetarë për pastrime dhe hapje të rrugëve. Kjo gjë nuk ka ndodhur që në 1970, nga tërmeti i madh në Athinë.

Deri tani policia nuk jep informacione të sakta, janë në kërkim të trupave të pajetë, është një zonë e mbyllur krejt, janë gati 70 shtëpi që nuk i kanë kontrolluar akoma. Ka pasur edhe persona të mbytur, pasi janë hedhur nga shkëmbinjtë. Isha aty, afer zjarrit, mora dy fëmijët e një shoku tim familjar dhe nuk shpjegohet me fjale, shyqyr shpëtova.

Emigranti shqiptar në Athinë Mondi Sinaj

 

Ora 11:33
Greqi/ Pas dy ditëve, vatrat e zjarrit vihen nën kontroll

Zjarri masiv që ka pushtuar Greqinë dy ditët e fundit dhe që ka lënë mbi 80 persona të vdekur, është vënë më në fund nën kontroll.

Sipas mediave greke, në zonën e Kinetas, e cila është më e dëmtuara kanë mbetur edhe dy vatra zjarri duke bërë që autoritetet të evakuojnë tre vendbanime të tjera për të shmangur ndonjë të lënduar tjetër edhe pse rreziku është i vogël.

Për neutralizimin e zjarreve në Kineta janë mobilizuar 176 forca zjarrfikëse, 3 helikopterë, dhe 3 automjete të ushtrisë.

Një tjetër vatër aktive është ajo e Kalitheinoupolit, në zonën e Atticas.

Ora 10:15
Ish-kreu i Emigrantëve në Athinë: Ka nisur procesi i identifikimit të viktimave

Ish-kreu i Federatës së Emigrantëve në Athinë, Etmond Guri, ka folur për Report Tv mbi situatën që ndodhet Greqia pas zjarreve.

Guri është shprehur se bilanci i viktimave ka vajtur në 79 dhe se nga ekipet e shpëtimit ka nisur kërkimi për të zhdukurit.

Bilanci i viktimave ka shkuar në 79. Deri në momentin që flasim janë informacionet të mbledhura janë nga të njohurit. Nuk ka njoftime zyrtare nga autoritet. Teksa flakët janë neutralizuar ka nisur procesi i identifikimit, i cili është shumë i vështirë. Numri i të zhdukurve mendohet të jetë mbi 100 veta. Ka filluar kontrolli brenda banesave.

Edmont Guri

Ora 08:59
Fatkeqësitë nuk njohin fé, Myftiu i Tiranës mesazh solidariteti për Greqinë

Fatkeqësitë i bëjnë njerëzit edhe më të bashkuar. Mesazhet fetare janë përherë kurajuese kur fuqitë mbinatyrore jua kalojnë atyre njerëzore. 

Fatkeqësitë që po kalon popullsia greke për shkak të zjarreve masive e vdekjeprurëse kanë mbledhur qindra mesazhe solidariteti. I tillë është dhe ai i Myftiut të Tiranës, Ylli Gurra i cili nuk ngurron të quajë "vëllezër" grekët ortodoksë të prekur nga katastrofa natyrore. 

Dhimbje ....... SOLIDARITET dhe MBESHTETJE per fqinjet tane greke e vellezerit shqiptare ne keto momente tragjike. E kush tjeter veç ZOTIT te Vetem Fuqiplote mund te qetesoje zemrat?

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra

Ora 08:49
"U hodh nga shkëmbi për t'i shpëtuar flakëve", historia tragjike e vajzës 13-vjeçare në Greqi

Athina prej tre ditësh është përfshirë nga zjarret masive, ndërsa numri i viktimave, sipas mediave fqinje ka shkuar mbi 77 deri tani, 187 të plagosur, ndërsa dhjetëra të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Teksa kërkimet për të zhdukurit vazhdojnë, të mbijetuarit kanë filluar të tregojnë momentet e tmerrit.

E tillë është edhe historia tragjike e një vajze 13 vjeçare, e cila në një përpjekje për të shpëtuar veten nga zjarri që po i digjte pjesën e poshtme të trupit, u hodh nga një shkëmb në det.

Sipas dëshmitarëve, vajza vdiq në vend sapo pati kontakt me uji, të njëjtin fat me të e ka pasur edhe i ati me të vëllain, të cilët u dogjën brenda makinës së tyre.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale