Është arrestuar Jacques Moretti, pronari i barit Le Constellation në Crans-Montana, ku natën e Vitit të Ri një zjarr ka vrarë 40 të rinj klientë, më shumë se gjysma e të cilëve me moshë 18 vjeç ose më pak, dhe ka plagosur edhe 116 të tjerë. Masa duhet të konfirmohet brenda 48 orësh nga gjykata e kantonit të Ëallis. Për bashkëshorten Jessica janë kërkuar në vend të saj arrest shtëpie, me shirit elektronik: masa është marrë në konsideratë sepse ajo duhet të kujdeset për një fëmijë të vogël.

Prokurorja e Sionit, Beatrice Pilloud, ka marrë vendimin për një «rrezik të mundshëm arratisjeje». Bashkëshortja Jessica Moretti ka dalë nga zyrat e prokurorisë shoqëruar nga avokatët e saj duke thënë, me lot në sy: Është një tragjedi e paimagjinueshme, që nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë, dhe ka ndodhur pikërisht në lokalit tonë. Për këtë dua të kërkoj falje». Të dy janë pyetur në mëngjesin e sotëm në Sion, në Zvicër. Burri ka dalë me një celular të policisë kantonale. Çifti, francezë nga Korsika, akuzohen për vrasje, plagosje dhe zjarrvënie të pavullnetshme në hetimin e hapur nga prokuroria kantonale e Sionit, e drejtuar nga Béatrice Pilloud.

Ky është një ndryshim qasjeje nga ana e prokurorit zviceran; në ditët e fundit masat kufizuese ndaj çifit Moretti nuk ishin konsideruar të nevojshme. Sot, megjithatë, prokurorja Pilloud ka konsideruar «konkret» rrezikun e arratisjes për Moretti «duke marrë parasysh deklaratat e tij, rrugëtimin e tij të jetës dhe situatën e tij në Zvicër dhe jashtë saj». Dje u zbulua gjithashtu se çifti kishte fshirë një sërë videosh nga profilat e tyre sociale që lidhen me atë që ndodhi në Constellation. Mund të jetë që edhe rreziku i manipulimit të provave – së bashku me rrezikun e arratisjes i ka shtyrë autoritetet të bëjnë arrestimin. Prokuroria e Sionit ka theksuar gjithashtu se i pandehuri është qytetar francez dhe se Franca nuk jep lehtë ekstradimin. Zvicra, edhe pse nuk bën pjesë në BE, i përket zonës Schengen, kështu që qytetarët e BE-së mund të kalojnë kufijtë e saj në teori pa u kontrolluar.

Interrogatori ka zgjatur mbi 6 orë. Të shoqëruar nga avokati i tyre Nicolas Perret dhe dy avokatë të tjerë, të dy kanë hyrë rreth orës 8 të mëngjesit nga një derë anësore e Prokurorisë Kantonale. Dorë për dore, fytyra të shqetësuara dhe sy të ulur, mes blicave të fotografëve. Duke parë praninë e mbi pesëdhjetë gazetarëve, të pandehurit dhe avokatët e tyre u duhet të shoqëroheshin nga agjentët e policisë brenda godinës së Prokurorisë. Siç lexohet në faqen e Radio Televizionit zviceran, seanca e sotme ishte e dedikuar situatës personale të çiftit francez dhe pasurisë së tyre të patundshme.

Nuk ishte parashikuar që të trajtoheshin ngjarjet e Vitit të Ri. Avokatët e viktimave mund të ishin të pranishëm dhe të bënin pyetje ndaj të pandehurve, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar përgjegjësitë për tragjedinë. «Ne presim që klientët tanë, familjet, të marrin përgjigje, të ndihen të dëgjuar dhe që të gjitha përgjegjësitë, nga A deri në Z, të vërtetohen», ka komentuar Romain Jordan, një nga avokatët e viktimave, i pranishëm në seancë, duke hyrë në Prokurori. Sipas avokatit, familjet duan të dinë «pse kjo tragjedi, që nuk duhej të ndodhte kurrë, ka mundur të ndodhë këtu në Zvicër, pavarësisht të gjitha masave ligjore, legjislative dhe të mbikëqyrjes që ekzistojnë».

Sébastien Fanti, avokat i familjeve të viktimave, ka deklaruar për stacionin publik zviceran Rts se është i penduar që autoritetet lejuan çiftin Moretti të mbetej i lirë. «Duhej të ishin arrestuar menjëherë në mënyrë që të gjitha provat të mund të mblidheshin dhe shtoheshin në dosje», tha Fanti, «ka qenë një gabim kolosal. Provë është që ata kanë arritur të çaktivizojnë pjesë të faqes së tyre dhe të fshijnë përmbajtje nga rrjetet sociale që mund të kishin qenë të dobishme». Ndërkohë, të enjten Prokuroria e Romës ka hapur një hetim të pavarur për vdekjen e gjashtë qytetarëve italianë.

Prokurorët kanë deleguar Prokuroritë e Milanos, Bolonjës dhe Genovës të kryejnë autopsitë mbi trupat e të rinjve, pasi tashmë janë zhvilluar funeralet. Vendimi rrjedh nga fakti që prokurorja Pilloud nuk ka urdhëruar autopsitë para se trupat e gjashtë të rinjve të ktheheshin nga Zvicra në Itali. Edhe Prokuroria e Brukselit ka hapur hetimin e saj për vdekjen e një qytetari belg, dhe ajo e Parisit për vdekjen e një francezi.

Hetimet në Itali do t’u mundësojnë familjeve të viktimave të kenë qasje në aktet që prokuroria e Sionit do t’i dërgojë në Romë ose te prokuroritë e veçanta, në mënyrë që të marrin pjesë në zhvillimin e hetimit dhe, eventualisht, në proceset gjyqësore./Corriere della Sera