Ata që mendonin se do të hynin fshehurazi, pa u vënë re, u doli e kundërta. Jacques Moretti dhe Jessica Maric, pronarët e Constellation, mbërrijnë dorë për dore dhe përballen me sulmin e gazetarëve, fotografëve dhe kamerave televizive. Ai ka një shikim të ngrirë, ajo, me kokën ulur, duket e prekur emocionalisht pas syzeve të zeza të diellit, shkruan La Repubblica.

Asnjë fjalë, madje as kur një gazetar i pyet nëse duan t’u kërkojnë falje familjeve të viktimave të masakrës së Vitit të Ri. Ata shoqërohen nga tre avokatët e tyre, mes të cilëve Yawl Hayat, një figurë e njohur e avokatisë zvicerane, si edhe Nicola Meier dhe Patrick Michod.

U duhen disa minuta për të arritur të hyjnë në zyrat e prokurorisë së Valais-it, në Sion, ku i pret marrja e parë në pyetje si të dyshuar për tragjedinë që shkaktoi 40 të vdekur dhe 116 të plagosur. Në fund, të ndihmuar nga policia që hap një korridor, futen te hyrja kryesore, në mesin e bliceve të kamerave. Ata do të dëshmojnë me radhë para prokurorëve të drejtuar nga prokurorja e përgjithshme Béatrice Pilloud.

Çifti është nën hetim për vrasje nga pakujdesia, plagosje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Pak para mbërritjes së tyre në prokurori, mbërrijnë edhe avokatët që përfaqësojnë viktimat, Sebastien Fanti dhe Romain Jordan. Të dy kanë kërkuar ditët e fundit arrestimin e të dyshuarve, kryesisht për shkak të rrezikut të arratisjes: duke qenë shtetas francezë, kanë thënë se nëse do të shkonin në Francë, nuk do të ekstradoheshin dhe as nuk do të gjykoheshin në Zvicër.

Disa përmendin edhe rrezikun e manipulimit të provave: a mund të kenë fshirë ose shkatërruar prova këto ditë? Me siguri, siç doli në pah që në fillim, profilet e tyre në rrjetet sociale u zhdukën në orët menjëherë pas tragjedisë. Natyrisht, ato mund të përmbanin foto dhe video komprometuese, duke pasur parasysh problemet e mëdha të sigurisë të zbuluara në lokalin e Crans-Montana-s.

Si alternativë ndaj arrestimit, avokati Fanti kërkon të paktën bllokimin “e llogarive, pronave, të gjithçkaje”, siç i tha La Repubblica-s, pikërisht për të shmangur rrezikun e arratisjes. “Verifikimi i situatës personale të të pandehurve, veçanërisht nga pikëpamja ekonomike, është thelbësor”, theksoi Jordan. Zjarri në Le Constellation shpërtheu për shkak të qirinjve piroteknikë të ndezur mbi shishet e shampanjës dhe të afruar pranë tavanit, i cili ishte i veshur me “shkumë për përthithjen e zërit”, lehtësisht e djegshme e që brenda pak minutash shkatërroi lokalin dhe e shndërroi bodrumin ku dhjetëra të rinj po festonin Vitin e Ri në një kurth vdekjeje. Dalja e emergjencës ishte e bllokuar dhe e vetmja rrugë shpëtimi ishte shkalla që çonte në katin e sipër. Shumë persona vdiqën nga djegiet, por edhe nga asfiksia.

Komuna e Crans-Montana-s ka pranuar se nuk ka kryer kontrolle dhe inspektime në lokal për gjashtë vite të gjata, nga viti 2020 deri në 2025. Edhe administrata lokale rrezikon të përfshihet dhe të goditet nga hetimi.