Kryetarja e deleguar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, ka mbërritur në lagjen '5 Maji' në Tiranë, ku prej 3 orësh është përfshirë nga flakë masive një kapanon me 50 subjekte tregtare që shesin rroba dhe mallra të ndryshëm. 

Në një intervistë nga vendngjarja për Reportv Tv, Ristani tha se për shkak se kapanoni ku nisën flakët kishte në brendësi materiale tekstile dhe lehtësisht të ndezshme, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke kaluar edhe në një kapanon të dytë, ndërsa i pari është shkrumbuar. 

Por, sipas kryebashkiakes së deleguar të Tiranës, tashmë zjarri është nën kontrollin e plotë të forcave të shumta zjarrfikëse që ndodhen në vendngjarje dhe po avancohet në punën për shuarjen e plotë.

Gjithashtu, Ristani theksoi se është eliminuar totalisht rreziku që i kanosej banesave dhe biznesve të tjera pranë vatrës masive të zjarrit. 

"Situata paraqitet nën kontroll. Është vendosur ajo që quhet perimetër sigurie, që zjarri të mos përhapet në mjedise të tjera. Nuk ka rrezikshmëri për banorët përreth, as ndërtesat rezidenciale përreth, as në biznese. Sipërfaqja e zjarrit është goxha e konsiderueshme, e madhe, serioze. Nga kapanoni i parë kaloi te i dyti, pasi zjarrfikësit nuk mundën ta ndalonin atë. Është herët për të folur për bilance. Bëhet fjalë për biznese tekstilesh, materiale lehtësisht të ndezshme. Do të ketë një moment për bilancin dhe evidentimin e dëmeve që kanë ndodhur. Dëmi është voluminoz. Nuk mund të flasim paraprakisht, pasi ka një proces. Zjarrfikësit tanë kanë një eksperiencë të gjatë në zbulimin e shkaqeve dhe duhet t’i japim kohë",- tha Ristani për Report Tv.


Lajmi kryesor:

Tiranë/ Shuhet zjarri në tregun e rrobave në lagjen '5 Maji', 50 subjekte të shkrumbuara! Në zonë ende prani tymi (PAMJE ME DRON)