Gjykata e Masave Shtrënguese e Sionit ka vendosur lirimin nga burgu të Jacques Moretti, pronar i lokalit Le Constellation në Crans-Montana, ku natën e Vitit të Ri humbën jetën 40 persona dhe 116 të tjerë mbetën të plagosur. Moretti së bashku me bashkëshorten e tij Jessica Maric është nën hetim për vrasje nga pakujdesia, plagosje dhe zjarrvënie nga pakujdesia.
Ai pasi ka paguar një garanci prej 200 mijë frangash zvicerane (rreth 215 mijë euro), do t’i nënshtrohet masave të sigurimit, si detyrimi për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë dhe dorëzimi i dokumenteve të identitetit.
Vendimi i Gjykatës së Masave Shtrënguese për lirimin e Jacques Moretti-t është marrë pas një rivlerësimi të rrezikut të arratisjes thuhet në arsyetim dhe pas shqyrtimit të origjinës së fondeve dhe natyrës së marrëdhënieve mes të pandehurit dhe personit që ka paguar» garancinë prej rreth 215 mijë eurosh.
E njëjta gjykatë nuk e ka konsideruar të nevojshme vendosjen e byzylykut elektronik për Jacques Moretti-n, ashtu siç kishte kërkuar Prokuroria e Përgjithshme e Valais-it. Masat “klasike” të aplikuara janë ndalimi i largimit nga territori zviceran, detyrimi për të depozituar të gjitha dokumentet e identitetit dhe të qëndrimit pranë Prokurorisë, paraqitja e përditshme në një postë policie, si edhe pagesa e garancisë.
Meloni: “Qeveria do të kërkojë llogari për lirimin e Moretti-t”
'Jam e indinjuar nga lajmi i lirimit të Jacques Moretti-t, pronar i lokalit Le Constellation në Crans-Montana. E konsideroj një fyerje për kujtimin e viktimave të tragjedisë së Vitit të Ri dhe një ofendim për familjet e tyre, të cilat po vuajnë humbjen e të dashurve. Qeveria italiane do t’u kërkojë llogari Autoriteteve Zvicerane për atë që ka ndodhur», deklaroi kryeministrja Meloni.
Tajani: “Fyerje për familjet”
'Nuk kam fjalë për të komentuar lirimin në Zvicër të Jacques Moretti-t. Është një akt që përbën një fyerje të vërtetë për ndjeshmërinë e familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në Crans-Montana dhe që nuk merr parasysh zinë dhe dhimbjen e thellë që këto familje ndajnë me popullin italian», shkroi në X ministri i Jashtëm Antonio Tajani. «Po të isha unë, nuk do ta kisha dhënë lirimin me garanci. Një vendim që lë shumë për të dëshiruar», shtoi Tajani në një aktivitet të Forza Italia në Napoli. Për çështjen reagoi edhe ministri i Infrastrukturës Matteo Salvini, i cili postoi në X lajmin e lirimit të Moretti-t të shoqëruar me komentin: 'Turp!'.
Garancia dhe rreziku i arratisjes
Që në ditët e mëparshme, shuma prej 200 mijë frangash kishte shkaktuar polemika, pasi fillimisht shtypi zviceran kishte parashikuar një garanci prej një milion frangash. Prokuroria e Sionit e kishte arsyetuar kështu zgjedhjen e saj: Duke qenë se i pandehuri aktualisht nuk ka të ardhura, se ai dhe bashkëshortja zotërojnë pasuri të paluajtshme të hipotekuara dhe mjete në leasing, shuma duket e përshtatshme». Për nivelin e hipotekave flitet në dokumente të tjera: mbi dy pasuri të çiftit nën akuzë (për vrasje nga pakujdesia, plagosje të rëndë nga pakujdesia dhe zjarrvënie) për tragjedinë e Vitit të Ri në lokalin Le Constellation, rëndojnë shuma prej 1.100.000 dhe 250.000 frangash.
'Nuk kam menduar kurrë të arratisem dhe as më ka shkuar në mendje. Familja dhe miqtë e mi janë këtu. Nuk kam një jetë diku tjetër, sepse jeta ime është këtu. Nëse duhet të gjej një punë ndërsa procedimi përfundon, do ta gjej. Është e paimagjinueshme. E dua shumë familjen time për ta vënë në rrezik me një veprim të tillë. Nuk kam pasur kurrë ndërmend të largohem nga Zvicra, sepse dua që e vërteta për gjithë këtë ngjarje të dalë në dritë. Babai im erdhi të më vizitonte me makinë dhe do të kisha mundur të largohesha me të', kishte deklaruar Moretti para gjyqtarëve, lidhur me një lirimin e mundshëm./Corriere della Sera
Komente







