Prokuroria e Sionit ka caktuar 400 mijë franga (429 mijë euro) si shumë garancie që çifti Jacques dhe Jessica Moretti të shmangin paraburgimin. Çifti akuzohet për vrasje nga pakujdesia. Gjykatësit e kantonit të Valaisit kanë kërkuar, sipas rsi.ch, një garanci prej 200 mijë frangash për secilin. Gjykata e masave shtrënguese do të duhet të shprehet, duke vendosur edhe nëse do të ndryshojë shumën e propozuar nga prokuroria.
Në rastin e bashkëshortes, e cila është e lirë, por nën vëzhgim, zëvendësprokurorja e përgjithshme Catherine Seppey i kishte propozuar gjykatës “të urdhëronte masa alternative ndaj paraburgimit”. Konkretisht: sekuestrimin e dokumenteve të identitetit, detyrimin për t’u paraqitur çdo 3 ditë në stacionin e policisë, detyrimin për të mbajtur një byzylyk elektronik dhe pagesën e një garancie prej 200 mijë frangash.
Gjykata, në vendimin e saj të 12 janarit, ka vendosur për Jessica Moretti detyrimin për dorëzimin e dokumenteve të identitetit dhe të qëndrimit, si dhe detyrimin për t’u paraqitur çdo ditë në një stacion policie. Sa i përket garancisë, gjyqtari ka përcaktuar se ajo do të caktohet në përfundim të një hetimi të përshtatshëm.
Sa i përket Jacques, i cili ndodhet në paraburgim, gjykata kishte deklaruar se, në parim, i pandehuri duhet të qëndrojë aty deri në caktimin e garancisë. Megjithatë, ka theksuar se në rastin e bashkëshortes, prokuroria nuk kishte kërkuar paraburgim dhe se për rrjedhojë gjykata nuk mund ta urdhëronte atë.
“Duke marrë parasysh se i pandehuri aktualisht nuk ka asnjë të ardhur dhe se ai dhe bashkëshortja zotërojnë pasuri të hipotekuara dhe mjete të marra me financim, shuma prej 200 mijë frangash duket e përshtatshme”, shkroi prokurori në kërkesën e tij të datës 10 janar.
Komente










