Tragjeditë që sjell me
vehte sezoni turistik i verës

Tragjeditë që sjell me  <br />vehte sezoni turistik i verës
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë 500.000 vdekje në vit (0.7% të të gjithë vdekjeve) shkaktohen nga mbytja aksidentale. Këtu nuk përfshihen mbytjet që ndodhin gjatë fatkeqësive natyrore dhe ato prej aksidenteve të anijeve në det.
Mbytja është shkak madhor i vdekjes në djemtë e moshave 5-14 vjeç. Në Shtetet e Bashkuara, mbytja është shkaku i dytë i vdekjeve të lidhura me aksidentet në fëmijët 1-4 vjeç. Statistikat ndryshojnë nga një rajon i Tokës në tjetrin ku piku arrihet në Afrikë dhe në Amerikën Qëndrore.
Çfarë është mbytja?
Përkufizimi i mbytjes sipas OBSH (dhënë në vitin 2002):
“Mbytja është përvoja e pamundësisë për të marrë frymë si pasojë e zhytjes në lëng”. Mbytja fillon kur njeriu nuk merr frymë pasi është i zhytur në ujë ose uji përplaset me fytyrën duke i mbyllur rrugët e frymëmarrjes (ky quhet imersion). Mbytja është jo fatale nëse njeriu shpëton si pasojë e ndihmës së dhënë (mbytja ndërpritet), ajo është fatale kur personi vdes gjatë mbytjes.
Çfarë ndodh gjatë këtij procesi?
Një njeri që është duke u mbytur tenton me çdo kusht te mbajë ujin jashtë rrugëve të frymëmarrjes. Nëse uji futet, njeriu në mënyre reflektore kollitet, ose e pështyn ujin jashtë kur ky është në gojë. Megjithatë, ndalimi i frymëmarrjes dhe nevoja për oksigjen që pason, pas rreth 1 minute shkaktojnë aspirim (thithje) reflektive dhe uji futet në rrugët e frymëmarrjes. Kjo ndiqet menjëherë nga kolla reflektive e më pas sërish njeriu aspiron. Nëse nuk nxirret nga uji, personi vazhdon të aspirojë dhe shumë shpejt hipoksemia (mungesa e oksigjenit në gjak) sjell humbjen e ndërgjegjes. Zemra në fillim shton rrahjet (takikardi), por më pas ajo ngadalëson së tepërmi (bradikardi) derisa ndalon (arresti kardiak). Gjithë ky proces ndodh brenda pak minutave. Në rastet kur uji është shumë i ftohtë dhe njeriu është njëkohësisht hipotermik (temperaturë e ulur), procesi mund të zgjasë deri në 1 orë. Kjo sepse në temperatura të ulëta nevojat e trurit për oksigjen janë më të pakta dhe kështu qelizat e konsumojnë më ngadalë rezervën e energjisë dhe të oksigjenit që disponojnë. Konsumi i energjisë nga truri bie me 5% për çdo 1 gradë ulje nën 37 të temperatures, në kufijtë nga 37 deri në 20 gradë.
Efekti i ujit në mushkëri
Futja e ujit në alveola krijon gradient osmotik duke “thithur” për në alveola plazmën e kapilarëve alveolare. Njëkohësisht prishet integriteti i membranës alveolo-kapilare duke lehtësuar ekstravazimin (daljen nga ena e gjakut) e plazmës. Kemi të bëjmë praktikisht me edemë të mushkërive, e cila e ul së tepërmi shkëmbimin e gazeve (alveolat janë të mbushura me lëng). Një tjetër efekt është dhe zhveshja e sipërfaqes alveolare prej surfaktantit si pasojë e futjes së ujit. Në këtë mënyrë dëmtohet aftësia e mushkërive për t’u zgjeruar kur tentohet të merret frymë (nga vetë i mbyturi ose kur jepet frymëmarrje artificiale). Vihen re dhe atelektaza (mbyllje, kolabim alveolave) dhe bronkospazma (ngushtim reaktiv i bronkut). Këto efekte të fundit ulin efikasitetin e ndihmës së parë pasi, edhe nëse uji del nga mushkëria, kjo nuk hapet kur tentohet të futet ajër për të rinisur respiracionin (shkëmbimin e gazeve).
Disa të dhëna mbi pritshmëritë e ndihmës së parë
Sa më parë të jepet ndihma e parë dhe ajo e specializuar, aq më të larta janë shanset e mbijetesës.
Gjatë mbytjes, ulja e temperaturës së trurit me 10 gradë celsius, ul me 50% konsumin e ATP-së (energjisë, e për rrjedhojë dhe oksigjenit) nga truri duke dyfishuar kohën e mbijetesës së trurit pa oksigjen.
(Artikulli është marrë nga revista NEJM)
Mbytja, ja hapat e para të ndërhyrjes
Ndihma e parë jepet që në ujë. Si fillim, nëse i mbyturi nuk ka humbur ndjenjat dhe tenton të dalë në sipërfaqe, mënyra më e mirë për ta ndihmuar është duke i dhënë një objekt pluskues ku mund të kapet. Hapi i dytë është të thirret ndihma e specialistëve. Në rast se personi ka humbur ndjenjat, ringjallja zemër-mushkëri mund të bëhet në ujë, por këtë më së miri e bën një person i trajnuar në këtë fushë. Në nxjerrjen nga uji, i mbyturi duhet të mbahet në pozicion vertikal për të mbajtur hapur rrugët ajrore dhe për të parandaluar të vjellat e më tutje aspirimin e përmbajtjes së të vjellave. Me ta nxjerrë të mbyturin në breg, duhet vlerësuar e para frymëmarrja. Nëse merr frymë, i mbyturi duhet të vendosur shtrirë në krah. Nëse nuk ka frymëmarrje duhet bërë ventilimi artificial dhe masazhi i zemrës. Jepen si fillim 5 frymëmarrje artificiale që ndiqen nga 30 shtypje të kraharorit. Më pas vazhdohet me 2 frymëmarrje artificiale që ndiqen nga 30 shtypje të kraharorit, derisa të ketë shenja jete. Ndihma duhet të ndërpritet nëse pas 20 minutave nuk rikthehen rrahjet e zemrës (pulsi). Nuk duhet shtypur barku me idenë për të nxjerrë ujin jashtë. Kjo manovër rrit mundësinë që i mbyturi të vjellë e të aspirojë (thithë) përmbajtjen e stomakut duke përkeqësuar gjendjen e duke e rritur mortalitetin. Të mbyturit janë zakonisht në moshë të re. Të rinjtë përgjigjen më mirë ndaj ndihmës së parë, edhe sepse hipotermia (kjo mron trurin) tek i riu instalohet më shpejt duke rritur shanset e ringjalljes.

Si të mbroni vetveten
Mësoni notin
Mos notoni vetëm
Bindjuni shenjave paralajmëruese në det, lumë a liqen
Kurrë mos hyni në ujë pasi keni konsumuar alkool
Shmangni kamerdaret, mësoni të përdorni xhaketat e shpëtimit
Notoni në zona ku ka rojë bregdetare
Kini parasysh kushtet atmosferike para se të hyni në ujë
Gjithmonë futni këmbët të parat, në ujëra të cekëta ose të panjohura për ju
Mos e mbivlerësoni aftësinë tuaj për të notuar
Qëndroni larg dallgëve dhe rrymave të ujit (këto të fundit janë përgjegjëse për 85% të mbytjeve në plazhe)

Si të mbroni të tjerët
Mësoni të tjerët, në veçanti fëmijët, të notojnë dhe të përdorin mjetet jetëshpëtuese në ujë. Mjeti jetëshpëtues ideal është xhaketa pluskuese, jo kamerdaria.
Notoni në zona ku ka roje bregdetare
Vendosni rregulla për sigurinë në ujë
Mbaje vëmendjen të përqendruar tek fëmijët që ke nën supervizion
Mëso të përdorësh xhaketën jetëshpëtuese
Mëso si të japësh ndihmën e parë dhe ringjalljen zemër-mushkëri
Mëso të ndihmosh të tjerët pa vënë veten në rrezik
Bindju të gjitha shenjave paralajmëruese
Vendos tabelë paralajmëruese në pishina të cekëta

Shkrimi u mor nga suplementi ALMEDICUS i Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’